foto99

NGA THOMAS S. KIDD

Hyrja e Katekizmit të Hajdelbergut (1563) përbën një prej pohimeve më të qarta të besimit në mbarë historinë e krishterimit:

Pyetja: Cila është shpresa jonë e vetme në jetë dhe vdekje?

Përgjigjja: Nuk i përkas më vetes, por me mish e me shpirt, në jetë dhe në vdekje, i përkas Perëndisë dhe Shpëtimtarit tim besnik, Jezu Krisht!

Katekizmi i Hajdelbergut ishte produkti i një ekipi autorësh që u autorizuan prej princit gjerman Frederiku III, një princ i devotshëm protestant gjatë dekadave të para të Reformimit gjerman. Kryesori në mes autorëve të katekizmit ishte profesori i Universitetit të Hajdelbergut, Zakaria Ursini.

Reformatori i përulur

Ursini ishte studenti i Filip Melanktonit, njërit prej dishepujve kryesorë të reformatorit gjerman Martin Luterit. Luteri vdiq më 1546-n. Duke qenë një djalosh në vitet ’50 të shek. XVI, Ursini udhëtoi në shumë prej qyteteve kryesore të Reformimit evropian, ku u takua me Gjon Kalvinin në Gjenevë dhe me shumë udhëheqës të tjerë kyç të Reformimit.

Gjatë kësaj periudhe, reformatorët gjermanë ishin shumë të ndarë mbi çështjet teologjike lidhur me natyrën e saktë të Darkës së Zotit. Kur e thirrën Ursinin e përulur që të bëhej profesor në Hajdelberg në vitin 1561, ai u tha kolegëve: “Sikur të mbetesha i fshehur në një qoshe!” Mirëpo, Perëndia po e thërriste Ursinin në Hajdelberg për të ndihmuar në konsolidimin e trashëgimisë së Reformimit.

Ngushëlluesi i Hajdelbergut

Katekizmi i Hajdelbergut u botua në mënyrë anonime, por shumica e studiuesve sot ia atribuojnë Ursinit rolin kryesor në shkrimin e kësaj vepre teologjike. Theksi që vihej në doktrinën kalviniste, e bëri këtë katekizëm të ishte një prej katekizmave më me ndikim që na ka mbërritur nga periudha e Reformimit.

Shumë shpejt Katekizmi i Hajdelbergut u përkthye në disa gjuhë, përfshirë këtu edhe në anglisht në vitin 1572. Këtë katekizëm do ta tejkalonte për nga fama në botën anglishtfolëse vetëm Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit, i cili u hartua në Angli gjatë shek. XVII. Një prej arsyeve përse Katekizmi i Hajdelbergut ishte kaq i suksesshëm, kishte të bënte me faktin që përdorte një gjuhë përbashkuese rreth çështjeve të debatuara, të tilla si Darka e Zotit. Ursini nuk dëshironte që ndasitë mes protestantëve të thelloheshin më tej.

Megjithatë, në përputhje me bindjet kalviniste të Ursinit, katekizmi përshkruan një tablo të zymtë për sa i përket gjendjes së njerëzimit pa Krishtin. Në pyetje-përgjigjen 5 të katekizmit, Ursini na thotë (duke u bazuar në një sërë referencash mbështetëse biblike) që ne jemi “të prirë nga natyra” për ta urryer Perëndinë dhe të afërmit tanë. Pyetje-përgjigjja 8 pyet nëse jemi “aq të prishur, sa të jemi të paaftë për ndonjë gjë të mirë”. Ursini përgjigjet dhe thotë po, ne jemi aq të prishur, dhe e vetmja rrugëdalje prej kësaj situate është “ripërtëritja prej Frymës së Perëndisë”.

Nga ana tjetër, një jetë e shpenguar prej Perëndisë është një jetë shenjtërie, kënaqësie dhe gëzimi të patregueshëm në përjetësi. Ngushëllimi që gjendet në pyetjen e parë, vjen prej të kuptuarit të thellësisë dhe madhësisë së mëkatit tonë, çlirimit të madh që sjell Krishti nga “mjerimi” ynë dhe nga zemërimi që qëndron mbi ne si shpata e Damokleut për shkak të mëkatit, si dhe mirënjohjen e thellë ndaj Perëndisë që rrjedh prej njohjes dhe pranimit të çlirimit tonë. Ursini shpjegon që “natyra jonë e re” në Krishtin është një “gëzim zemre në Perëndinë përmes Krishtit, një dashuri dhe kënaqësi për të jetuar sipas vullnetit të Perëndisë në vepra të mira”. Për Ursinin gëzimi për shkak të shpengimit tonë është themeli i një jete të shenjtë.

Trashëgimia e gëzimit

Pavarësisht se Ursini u përpoq t’i bashkonte grupet kundërvënëse të protestantëve, pasuesi i Frederikut III e hoqi atë bashkë me disa profesorë të tjerë kalvinistë nga fakulteti i Hajdelbergut në vitet 1570. Ursini gjeti më pas punë në një akademi të reformuar që gjendej jo shumë larg Hajdelbergut. Ai vdiq në vitin 1583 në moshën 48-vjeçare.

Përmes Katekizmit të Hajdelbergut, si dhe përmes leksioneve të shumta që botoi në mbrojtje të teologjisë së shprehur te katekizmi, Ursini la pas një pasuri të madhe materialesh biblike për ndërtimin e brezave të ardhshëm të besimtarëve. Mësimet e Ursinit ende ngjallin shumë gëzim e hare edhe sot, pikërisht për shkak të punës së madhe që Perëndia kreu përmes tij dhe gjithë aradheve të reformatorëve të tjerë.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme

Kalvinisti i parë – Theodore Beza