Përkthyesi i fshehtë – William Tyndale

NGA JOHN PIPER

Në fillim të viteve 1530 një tregtar anglez i quajtur Stefan Vogan (Stephen Vaughan) u urdhërua nga mbreti Henri VIII që të gjente Uilliam Tindëllin dhe ta informonte që mbreti dëshironte që ai ta linte Evropën dhe të kthehej në mëmëdhe. Në një letër të shkruar më 19 qershor 1531, Vogani shkroi për Tindëllin (1494-1536) këto fjalë të thjeshta: “Kam vënë re që ai është nga ata që në një vrimë i bien fyellit.”

Vrima në të cilën i binte fyellit Tindëlli, ishte kjo: A do ta lejojë mbreti i Anglisë përkthimin e Biblës në gjuhën e folur të popullit të tij? Nëse jo, Tindëlli nuk do të kthehet. Nëse po, Tindëlli do t’i dorëzohet mbretit dhe nuk do të shkruajë më asnjë libër.

Mbreti refuzoi. Prandaj Tindëlli nuk u kthye më kurrë në mëmëdhe. Për shkak se mbreti dhe Kisha Katolike nuk do të lejonin kurrë përkthimin dhe shtypjen e Biblës në anglisht për t’u lexuar nga njerëzit e zakonshëm, ishte Tindëlli ai që e bëri këtë, edhe pse e dinte se kjo mund t’i kushtonte jetën e vet. Kështu edhe ndodhi në realitet.

Bujqit do ta njohin Biblën e tyre

Në vitin 1522, kur ai ishte në moshën 28-vjeçare, Tindëlli shërbente si mësues privat në shtëpinë e Gjon Uolshit (John Walsh) në Gloçestershajër të Anglisë, dhe pjesën më të madhe të kohës së vet e kalonte duke studiuar Dhiatën e Re në greqisht të botuar nga Erazmi, vetëm gjashtë vite më parë, në vitin 1516.

Teksa të vërtetat e Reformimit po bëheshin edhe më të qarta për Tindëllin përmes Dhiatës së Re në greqisht, ai ra në sy në shtëpinë katolike të Gjon Uolshit. Gjon Foks (John Foxe) na tregon që një ditë një studiues i bezdisur katolik, teksa po hante darkë me të zotin e shtëpisë në prani të Tindëllit tha: “Më mirë pa ligjin e Perëndisë sesa pa atë të papës.”

Tindëlli kërceu i kuq flakë dhe plot pasion tha fjalët e tij të famshme: “Unë e sfidoj papën dhe gjithë ligjet e tij… Nëse Perëndia ma kursen jetën për shumë vite, do të bëj që edhe një djalosh fshati që lëron me parmendë, të dijë më tepër nga Shkrimet sesa ti.”

Kreshendoja e fyellit

Katër vite më pas, në Vorms të Gjermanisë, Tindëlli ia doli ta përkthente në anglisht Dhiatën e Re greqisht dhe filloi ta fuste kontrabandë në Angli duke e fshehur mes dengjeve të rrobave. Në tetor 1526, peshkopi Tanstall (Tunstall) e kishte ndaluar qarkullimin e Biblës në Londër, por ishin shtypur të paktën tre mijë kopje. Librat po arrinin në duart e njerëzve. Përgjatë tetë viteve në vijim, u printuan edhe pesë botime të tjera të paligjshme.

Në vitin 1534, Tindëlli botoi një Dhiatë të Re të rishikuar, pasi ndërkohë kishte mësuar edhe hebraishten, ndoshta në Gjermani, gjë e cila e ndihmoi të kuptonte më mirë lidhjet mes Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re. Biografi i tij, David Danieli, e quan këtë version të Dhiatës së Re të vitit 1534 si “kryevepra e jetës së tij” (William Tyndale, fq. 316). Nëse Tindëlli vazhdonte t’i “binte fyellit po në një vrimë” kjo ishte kreshendoja e këngës së jetës së tij — Dhiata e Re e përfunduar dhe e rishikuar në gjuhën angleze.

Për herë të parë në histori, Dhiata e Re në greqisht u përkthye në anglisht. Para martirizimit të tij në vitin 1536, Tindëlli do të përkthente në një anglishte të qartë e të përditshme jo vetëm Dhiatën e Re por gjithashtu edhe Pesëlibërshin, nga Jozueu tek 2 i Kronikave dhe Jonën. I gjithë ky material u bë baza e Biblës së Madhe (Great Bible) që u botua nga Majëlls Kavërdejll (Miles Coverdale) në Angli në vitin 1539 si dhe baza për Biblën e Gjenevës (Geneva Bible), e cila u botua në vitin 1557 — “Bibla e kombit”, që u shit në më tepër se një milionë kopje nga viti 1560 deri 1640.

Përkthimi i Biblës dhe e vërteta e Ungjillit

Çfarë e shtyu Tindëllin që gjithë jetën e vet t’i binte fyellit po në një vrimë? Ishte bindja e tij e palëkundur që të gjithë njerëzit janë skllevër të mëkatit, të verbër, të vdekur, nën mallkim dhe të pashpresë, si dhe që Perëndia përmes Krishtit kishte siguruar shpëtimin prej hirit përmes besimit. Kjo gjë fshihej në Biblën latinisht dhe në sistemin kishtar të pendesave dhe të veprave të mira. Kjo ishte arsyeja se përse Bibla duhej përkthyer dhe në fund të fundit kjo është arsyeja pse Tindëlli u martirizua. Ai shkroi:

Është besimi, nëna e gjithë veprave të mira, që na drejtëson përpara se të bëjmë ndonjë vepër të mirë: ashtu sikurse bashkëshorti martohet me bashkëshorten para se të ketë fëmijë të ligjshëm me të. (William Tyndale, fq. 156-157)

Njeriu është i humbur, frymërisht i vdekur dhe i dënuar. Perëndia është sovran, Krishti është i gjithëmjaftueshëm, besimi është gjithçka. Përkthimi i Biblës dhe e vërteta e Biblës ishin të pandashme për Tindëllin, dhe ishte pikërisht e vërteta — posaçërisht e vërteta e drejtësimit vetëm me anë të besimit — ajo e cila e përflaku Britaninë me zjarrin e Reformimit dhe që solli dënimin me vdekje të përkthyesit të Biblës.

Në tetor të vitit 1536, në moshën 42-vjeçare, fyelli me një vrimë i Tindëllit u thye, teksa e lidhën pas turrës së druve, u mbyt nga xhelati dhe u përcëllua nga flakët. Por për shkak të përkthimit të tij të Biblës në gjuhën e përditshme, fishkëllima u shndërrua në një kor të madh britanik të përbërë prej shërbëtoresh, këpucarësh, si dhe madje bujqish të rinj.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme