Pararendësi fiorentin - Girolamo Savonarola

NGA ZACH HOWARD

Përqark bazamentit të monumentit të Luterit në Vorms të Gjermanisë gjenden katër pararendës të Reformimit protestant, e pikërisht Jan Husi, Gjon Uiklifi, Pjetër Valdo dhe Xhirolamo Savonarola. Këta të katër dallonin tej mase nga njëri-tjetri, e megjithatë secili prej tyre i frymëzoi reformat e Luterit në mënyrën e vet. Për Luterin, Savonarola ishte frymëzuesi i tij personal, aq sa tek po udhëtonte për t’u gjykuar në Kuvendin e Vormsit në vitin 1521 pasi kishte djegur dekretin e papës që e shkishëronte, ai mbante me vete një pikturë të murgut dominikan.

Tek u përball me mundësinë e vdekjes në Vorms, Luteri me shumë gjasë e krahasoi jetën e tij me atë të Savonarolës: me një zë profetik, Savonarola kishte dënuar shthurjen e Kishës së Romës. Konflikti i tij me papën arriti kulmin në shkishërimin dhe djegien në turrën e druve të këtij të fundit. Edhe Luteri u shkishërua për ankesat e tij ndaj abuzimeve të papës. Edhe pse i shpëtoi dënimit me vdekje, Luteri gjeti një përputhje të veçantë mendimesh me Savonarolën, madje dy vjet pasi ishte fshehur në kështjellën e Vartburgut, ai botoi meditimet e Savonarolës së burgosur rreth Psalmit 31 dhe 51, duke e lavdëruar këtë të fundit si “burri i perëndishëm i Firences”.

Profeti i popullit

Lindur në vitin 1452 në një familje të pasur në Ferrara të Italisë, Savonarola ishte një djalosh shumë i zgjuar dhe i dhënë tej mase pas të nxënit. Prindërit kishin dëshirë që të studionte për mjekësi, por në moshën 23-vjeçare ai bëri një zgjedhje të papritur për t’iu bashkuar rendit të murgjve dominikanë, pasi ishte tepër i zhgënjyer nga kotësia e kulturës italiane. Si murg i ri, Savonarola u zhyt thellë në shkrimet e Tomas Akuinit (Thomas Aquinas) si dhe në Shkrimet e Shenjta, duke demonstruar shumë shpejt një mendje tejet të mprehtë, që e aftësoi ta mësonte Shkrimin përmendsh.

Savonarola u zhvendos në Firence në vitin 1490 dhe tashmë ishte mjaft i njohur për arsimimin e tij, megjithatë ishin predikimet e tij ato që e hodhën vrullshëm në qendër të jetës politike të Firences dhe të reformës së atjeshme. Nga katedralja e Firences, Savonarola u predikonte shpesh mijëra njerëzve në gjuhën e përditshme, duke përdorur figura të fuqishme letrare dhe një shtjellim të thjeshtë të Shkrimeve. Ai shpalli hirin shpëtues të Krishtit me një forcë biblike dhe në të njëjtën kohë me kritika therëse ndaj praktikave të pamoralshme të udhëheqësve politikë dhe atyre kishtarë.

Predikimi i tij me mjaft ndikim, i ndërthurur me disa ndodhi të rëndësishme që ishin jashtë kontrollit të Savonarolës, siç ishin pushtimi i papritur i Italisë nga mbreti i Francës, i shoqëruar prej një murtaje shkatërrimtare, bëri që papritur të shtohej tej mase ndikimi i tij në Firence. Po aq e rëndësishme sa pozita e tij si zëri profetik i qytetit, ishte edhe besimi i përhapur gjerësisht mes njerëzve të zakonshëm rreth një përmbysjeje të madhe katastrofike që do të shënonte fundin e kohërave, e cila pritej të ndodhte tek afrohej viti 1500.

Shkishërimi

Nga viti 1494 deri në vitin 1498 Savonarola nxiti një ndryshim dramatik politik dhe shoqëror. Predikimi i tij u bë edhe më profetik. Duke theksuar kthimin e Krishtit, ai i bëri thirrje qytetit të Firences të jetonte si një Jerusalem i Ri. Reformat e tij morale sollën për pasojë riorganizimin politik të qytetit tek po punonte për themelimin e një “republike të krishterë”, shumë të ngjashme me atë që u ndërtua më vonë në Gjenevë nën drejtimin e Kalvinit.

Afër kulmit të këtyre ndryshimeve, Savonarola i organizoi të rinjtë e Firences që të ngriheshin në këmbë në mbështetje të reformës, gjë e cila rezultoi në disa “Zjarre të kotësive” si protestë kundër festimeve të përvitshme të së Martës së Karnavaleve (Mardi Gras Carnival). Të rinjtë i udhëhoqën qytetarët në shkatërrimin e mjeteve të tundimit, sikurse maskat e karnavaleve, letrat e bixhozit, fustanet e bukura, makijazhi, pasqyrat, dhe madje edhe instrumentet muzikore. Zjarri i fundit i Kotësive u ndez në sheshin “Piazza della Signoria” në qendër të Firences më 7 shkurt 1497, vetëm disa muaj para se papa Aleksandër VI ta shkishëronte Savonarolën.

Pas shkishërimit të tij shpërtheu konflikti mes Savonarolës dhe papa Aleksandrit VI, kur papa kapi letrat që Savonarola u kishte dërguar mbretërve të Francës, Anglisë, Spanjës, Hungarisë dhe perandorit të Gjermanisë, duke iu përgjëruar atyre të thërrisnin një kuvend kishtar për ta shkarkuar nga detyra papën për abuzimet e tij. Savonarola nuk e kundërshtonte ofiqin e papës, por personin e Aleksandrit VI dhe në këtë mënyrë dallohej nga kritikat më të mëdha të reformatorëve të mëvonshëm ndaj autoritetit të papës dhe doktrinës Katolike të Romës.

Shkëndija e Luterit

Meqenëse Savonarola pohoi përparësinë e Pjetrit, nxiti përnderimin e Marisë dhe anonte drejt një pikëpamjeje gjysmëpelagjiane për shpëtimin, mund të thuhet se nga pikëpamja doktrinare ai mbeti brenda Kishës Katolike të Romës. Mirëpo, duke u nisur nga fakti që bëri thirrje për reformë morale, që dënoi abuzimet e papës dhe lartësoi autoritetin e Shkrimit, mund të thuhet se ishte pararendësi i Reformimit.

Edhe pse lëvizja reformuese e një njeriu të vetëm (Savonarolës) në Firence, e cila nuk vazhdoi gjatë në Itali pas vdekjes së tij, predikimi i tij plot pasion dhe reformat e zellshme që kishte vënë në zbatim, kishin demaskuar shthurjen e kishës, ashtu si një shkrepëse e vogël, por e shndritshme, që ndizet në një shpellë të errët. Shkëndija e Savonarolës e ndezi flakë urën e zjarrit, me të cilën Luteri do të ndizte zjarrin e Reformimit njëzet vjet më pas.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme