image001

NGA NOËL PIPER

Në vitin 1540, Vibrandis Rozenblat lindi në Zekingen të Gjermanisë. Gjatë gjashtëdhjetë viteve në vijim ajo u martua dhe mbeti vejushë katër herë, duke frymëzuar kështu një shkrimtar që ta pagëzonte atë si Reformationfrau — “Nusja e Reformimit”.

Ludvig Keller

Martesa e saj në vitin 1524 me Ludvig Kelerin nuk zgjati shumë. Në korrik 1526, 22-vjeçarja Vibrandis mbeti vejushë duke pasur prej kësaj martese edhe një vajzë të quajtur gjithashtu Vibrandis.

Mes udhëheqësve të Reformimit, martesa e klerikëve po shndërrohej në “një mënyrë të re për të shërbyer në komunitetin e Jezu Krishtit”. Johan Ekolampadi (Johannes Oecolampadius) kishte argumentuar publikisht në mbrojtje të së drejtës së pastorëve për t’u martuar, edhe pse ai vetë qe ende beqar. Shoku i Ekolampadit, Volfgang Kapito (Wolfgang Capito) i shkroi: “Nëse të njohin me një person të përshtatshëm, mendoj që nuk duhet të refuzosh. Të pasurit e një bashkëshorteje që shfaq të njëjtin zell si edhe ti, vetëm i jep më shumë lavdi Zotit.”

Johan Ekolampadi

Dikush duhet t’i ketë folur atij për Vibrandisin. Më 15 mars 1528, ajo dhe Ekolampadi u martuan duke shkaktuar habi në disa njerëz për shkak të dallimit në moshë (ai 45 vjeç dhe ajo 24 vjeçe) dhe një gëzim të pamasë te shumica e miqve të tyre. Ai shkroi në një letër: “Zoti më ka falur një motër dhe një bashkëshorte… një vejushë që ka disa vite përvojë në mbartjen e kryqit. Do të dëshiroja që të ishte më e madhe në moshë, por nuk shoh që ajo të jetë gërnjare, si të rinjtë e sotëm. I lutem Zotit që të na japë një martesë të gjatë dhe të lumtur” (Women of the Reformation, fq. 82).

Në këtë pikë të historisë së kishës, pastorët kishin shekuj që nuk martoheshin. Vibrandisi dhe gratë e tjera të reformatorëve të shekullit të gjashtëmbëdhjetë zunë shoqëri me njëra-tjetrën përmes shkëmbimit të letrave, duke e përcaktuar dhe duke i dhënë formë rolit të tyre, teksa e jetuan atë në praktikë.

Shumë shpejt, familjes së tyre iu shtuan tre fëmijë — Eusebi, Alithia dhe Irena — para se Ekolampadi të vdiste në nëntor të vitit 1531 për shkak të helmimit të gjakut prej një lunge qelbi. Po atë nëntor, vdes gruaja e Kapitos, Agnesi.

Menjëherë pas kësaj Martin Buceri e shfaqi sërish dhuntinë për mblesëri. “Zgjedhja ime për Kapiton është vejusha e Ekolampadit… Më ka shkruar dhe më ka treguar që është prekur shumë kur e ka parë vejushën e Ekolampadit dhe fëmijët e saj jetimë” (Women of the Reformation, fq. 85). Vibrandisi dhe Kapito u martuan më 11 gusht 1532.

Kapito ishte pastori i Kishës së Re të Shën Pjetrit në Strasburg. Në familjen e tyre përfshihej nëna e Vibrandisit dhe katër fëmijët nga martesat e saj të mëparshme. Lindën edhe pesë fëmijë të tjerë — Anjeza, Dorotea, Irena (pas vdekjes së Irena Ekolampadit), Gjon Simoni, dhe Volfgangu.

“Përderisa ajo e plotësonte në pikat e tij të dobëta, i mbante shtëpinë dhe financat familjare në rregull, arritjet e saj e kanë vendin mes kronikave të pashkruara të heroizmit” (Women of the Reformation, fq. 87). Mirëpo, murtaja e vitit 1540 i rrëmbeu asaj fëmijët Euseb, Dorotea, Volfgang dhe vetë Kapiton.

Martin Bucer

Lajmi i vdekjes së Kapitos i erdhi Bucerit kur Elisabeta Bucer po jepte shpirt. Elisabeta iu përgjërua bashkëshortit të saj dhe Vibrandisit që të martoheshin pas vdekjes së saj, dhe kështu bënë në prill të 1542-shit.

Buceri shkroi: “Nuk dëshiroj asgjë tjetër më tepër për bashkëshorten time të re përveç faktit që është kaq e vëmendshme dhe e kujdesshme. Ajo nuk është aq e shpejtë për të bërë kritika, sa ishte gruaja ime e parë… Vetëm shpresoj që mund të jem aq i mirë me gruan time të re, sa është edhe ajo ndaj meje. Por, oh sa më dhemb shpirti për gruan që humba” (Women of the Reformation, fq. 87-88).

Mund ta imagjinojmë lehtë edhe vajtimin e Vibrandisit për tre bashkëshortët e saj. Ajo u përshtat për herë të katërt me një bashkëshort të ri dhe të dy ata mësuan si ta donin dhe mbështesnin njëri-tjetrin në përputhje me nevojat, shërbesat dhe preferencat e tyre të veçanta.

Në vitin 1548, u miratuan ligje të reja, të cilat vendosnin kushte të tilla mbi kishat protestante me të cilat Buceri nuk binte dakord. Ai shkoi në mërgim në Angli dhe dha mësim në Kembrixh, ndërsa jepte kontributin e tij për përkthimin e Biblës dhe në |zhvillimin e liturgjisë. Një vit më vonë, pasi kaloi një dimër të ftohtë e të gjatë dhe shumë lëngata trupore, i dërgoi fjalë Vibrandisit që të vinte tek ai. Ajo erdhi dhe pastaj solli edhe familjen.

Gjatë muajve të fundit të Bucerit, Vibrandisi u kujdes për të pa reshtur, duke bërë gjithashtu gjithë sa nevojitej për pjesën tjetër të familjes, e cila përbëhej nga fëmijët dhe nëna e saj. Pas vdekjes së bashkëshortit në shkurt 1551, Vibrandisi shkroi shumë letra të sakta për të sqaruar gjendjen e tyre financiare dhe për ta kthyer familjen në Strasburg. Disa letra ishin në gjermanisht dhe disa të tjera në latinisht dhe përmes tyre zbulojmë aftësinë e saj në të shkruar dhe zotërimin e shkëlqyer të gjuhëve të huaja.

Gruaja Vibrandis

Me qëllim që të mos tundohemi për ta parë Vibrandisin si një grua të nënshtruar, e cila ishte viktimë e rrethanave dhe vendimeve të burrave autoritarë, pa të dëgjojmë pak se me ç’zë të fuqishëm i flet djalit të saj Gjon Simon Kapitos, i cili asokohe ndiqte universitetin:

U bë kohë që nuk kam marrë fjalë prej teje, por e di shumë mirë që edhe po të ndodhte kjo, lajmet nuk do të ishin shumë përdëllyese… Jetofsha deri atë ditë që të dëgjoj lajme të mira prej teje! Atëherë do të vdes tërë gëzim… Po të ndiqje shembullin e babait tënd, atëherë gjyshja, motrat, dhe krushqia do të jepnin jetën e tyre për ty… biri im, kthehu po qe se ke ndërmend të sillesh siç duhet. Nëse nuk ke ndër mend ta bësh këtë, atëherë bëj si të duash. Të uroj një vit të mbarë! Nëna jote besnike (Women of the Reformation, fq. 93-94).

Në vitin 1564, Bazeli humbi 7 000 banorë nga murtaja dhe mes tyre ishte edhe Vibrandis Rozenblat. Ajo u varros pranë Ekolampadit.

Sot në vendlindjen e saj, Bad Zekingen, gjendet një rrugë e shkurtër me emrin “Wibrandis-Rosenblatt-Weg”, e cila të çon në brigjet e Rinit. Përkrah rrugës ngrihet “Evangelische Kirchengemeinde”, një kishë protestante.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme