foto109

NGA KRISTIN TABB

Një natë të ftohtë prilli, dymbëdhjetë murgesha hipën pa bërë zhurmë në një karro që përdorej për transport peshku dhe pritën që këshilltari i qytetit Leonard Kope (Leonard Koppe) të nisej, duke numëruar në ethe sekondat e fundit të jetës së tyre prej murgeshe.

Këto gra u arratisën prej Kuvendit të Nimbshenit në Gjermani (falë planit të zgjuar të Martin Luterit), duke rrezikuar që të ndëshkoheshin si keqbërëse nëse kapeshin, por edhe duke e ditur se, edhe nëse ia dilnin në ndërmarrjen e tyre, i priste një e ardhme e pasigurt. E ardhmja e tyre varej tërësisht nga gatishmëria e familjeve të tyre për t’i pranuar dhe “për t’i fshehur” ato, megjithëse ishin murgesha të arratisura. Murgeshat që nuk pranoheshin prej familjeve të tyre, duhej të gjenin burrë, apo të zbulonin ndonjë formë të rrallë punësimi për gratë, që të siguronin kështu jetesën në mënyrë të pavarur.

Njërës prej këtyre murgeshave, e cila quhej Katerina fon Bora, nuk iu ofrua asnjëra nga këto mundësi. Ndodhi që nga dy raste që pati për martesë, nuk u bë as njëri dhe as tjetri, duke bërë që Luteri të ndihej përgjegjës për fatin e kësaj ish-murgeshe. Çapkënia Katerinë më në fund këmbënguli që do të martohej ose me Martin Luterin, ose me shokun e tij Nikolas fon Amsdorfin (Nicolas von Amsdorf). Me sa duket, Luteri e pranoi sfidën dhe u martua me këtë murgeshë të arratisur më 13 qershor 1525.

Bashkëshortja e pastorit

Martesa me Luterin përbënte një zbritje në hierarkinë shoqërore për Katerinën, sepse qe lindur në një familje fisnike, e cila kishte prodhuar breza të tërë zotërinjsh feudalë. Kjo bëri që të shpërthente një skandal i vërtetë dhe që Katerinën ta përqeshnin për hapin e saj në dukje të gabuar. Madje punët shkuan deri aty, sa Erazmi i Roterdamit parashikoi që nga ky bashkim do të lindte vetë Antikrishti!

Pavarësisht nga trazirat që shkaktoi martesa e tyre e debatueshme, kjo lidhje doli që kishte në vetvete shumë ndjenjë, dashuri, frytshmëri, besnikëri dhe qëndrueshmëri. Çifti hyri në shtëpinë e tyre të re të quajtur “Manastiri i zi” dhe Katerina u bë nismëtarja e një thirrjeje “të re” që në kohët mesjetare kishte munguar: bashkëshorte pastori.

Mëngjesin pas ditës së dasmës, Katerina ia nisi nga puna në thirrjen e saj të re duke u shërbyer mëngjesin disa miqve që kishin marrë pjesë në dasmë një natë më parë. Roli i Katerinës si bashkëshortja e reformatorit të famshëm, si nënë e gjashtë fëmijëve biologjikë dhe njerkë e shumë fëmijëve të birësuar, por edhe si administratore e shtëpisë (një tjetër risi kjo e Reformimit) dhe e pronave të tyre, u kthye në një shembull për t’u ndjekur nga gratë e pastorëve protestantë të asaj periudhe.

Reformatorët e themeluan mirë këtë rol si një thirrje e lartë me një bazë teologjike dhe biblike duke u dhënë kështu një dinjitet të ri grave të krishtera, rol i cili ndërthurte punët e shtëpisë me shërbesën e ungjillit. Kjo solli për pasojë edhe transformimin radikal të modelit ideal të gruas së krishterë në krahasim me modelin mesjetar, model i cili bazohej tek ai i murgeshës së përshpirtshme.

Perëndia në çdo punë

Për Katerinën, kjo thirrje përfshinte përkujdesjen për Luterin, përkrahjen e punës dhe organizimin e udhëtimeve të tij, rritjen e fëmijëve të tyre, si dhe një larmi të madhe punësh që kishin të bënin me shtëpinë e tyre. Ajo e rehabilitoi manastirin e braktisur agustinian, që shërbente si shtëpia e tyre; mirëpriste vizitorët që qëndronin në dyzet dhomat e tij; u shërbente rregullisht ushqim tridhjetë deri dyzet njerëzve, si dhe organizonte gosti për më shumë se njëqind mysafirë. Po ashtu, e gatuante vetë bukën, si dhe bënte djathë dhe fermentonte birrë.

Në përputhje me pikëpamjen e reformatorëve që e gjithë jeta është frymërore, Katerina nuk bënte dallim mes punëve “praktike” dhe atyre “frymërore”, por inkurajohej që t’i kryente punët e saj të përditshme sa më mirë prej faktit që, edhe tek bënte punë, ajo në fakt po i shërbente Perëndisë. Përfshirja e saj në diskutime teologjike kufizohej në pjesëmarrjen e saj në “bisedat rreth tryezës” që familja Luter mbante në shtëpinë e tyre. Ajo e njihte mjaft mirë latinishten dhe Shkrimin e Shenjtë, aq sa ia dilte të përfshihej aktivisht në “bisedat rreth tryezës” pas darke, një zakon që me sa duket Luteri e inkurajoi.

“Do të ngjitem pas Krishtit”

Në vitin 1542 Katerina dhe Luteri mbajtën zi për humbjen e vajzës së tyre 13-vjeçare, Magdalenës, për të cilën Luteri shkroi: “Bashkëshortja ime dhe unë nuk kemi veç falënderime plot gëzim për largimin aq të hareshëm dhe fundin aq të bekuar [të Magdalenës]… megjithatë forca e dashurisë sonë të natyrshme është aq e madhe, sa nuk mund ta bëjmë dot këtë pa qarë dhe pa vajtuar në zemrat tona apo pa e përjetuar vdekjen vetë… Madje dhe vetë vdekja e Krishtit… nuk është në gjendje ta heqë tej plotësisht këtë përjetim, ashtu sikurse duhet.”

Ky vajtim do të barabitej vetëm me atë të Katerinës për vdekjen e Luterit në vitin 1546, gjë të cilën ajo e përshkruan në një prej letrave që ka ardhur deri në ditët e sotme:

Në të vërtetë jam trishtuar aq shumë, sa s’mund t’ia shpreh dot sëmbimin e fortë të zemrës asnjë personi dhe nuk e kam idenë se si jam dhe ndihem. As më hahet dhe as më pihet. Madje nuk më flihet. Edhe sikur të kisha humbur një perandori të tërë nuk do të isha ndier aq keq, sa ndihem qëkur Zoti ynë i dashur Perëndi ma mori këtë burrë të dashur dhe të denjë, jo vetëm mua por edhe gjithë botës që e donte.

Katerina i kaloi ditët që i mbetën duke kërkuar mbështetje nga bashkëpunëtorët e Luterit në përpjekje për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për shtëpinë dhe fëmijët e saj, derisa ajo vetë vdiq pas një aksidenti me karrocë në dhjetor 1552. Tek po jepte shpirt, tha fjalët e mëposhtme: “Do të ngjitem pas Krishtit si rrodhja pas shajakut.”

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme

Kalvinisti i parë – Theodore Beza