foto65

NGA DAVID MATHIS

Në një epokë kur priftërinjtë beqarë veçoheshin prej besimtarëve të thjeshtë dhe në pjesën më të madhe nuk mbanin mjekër, reformatorët protestantë u bënë mjekroshë për t’i dhënë një mesazh të caktuar botës. Ata po ripërtërinin si burrërinë, ashtu dhe anën njerëzore në udhëheqjen e kishës dhe nuk kishin frikë që këtë mesazh ta jepnin me vetë fytyrat e tyre.

Thuhet se Hajnrih Bulingeri, shërbestari kryesor në Zyrihun e asaj kohe, pra, një prej qyteteve kryesore të Zvicrës, kishte mjekrën më fisnike nga të gjithë. Një historian e përshkruan mjekrën e Bulingerit si një “shtëllungë e madhërishme” dhe kjo vërtet lidhej me teologjinë që ai kultivoi dhe promovoi pas humbjes së parë tronditëse të Reformimit.

Protestant dhe predikues

Bulingeri, biri i një prifti katolik, lindi në një qytet të Zvicrës që quhej Bremgarten në vitin 1504. Ai frekuentoi Universitetin e Këlnit në Gjermani në vitin 1519 për të studiuar shkencat sociale, jo teologjinë mesjetare. Atje ai u bë dëshmitari i një ceremonie për djegien e veprave të Luterit dhe kjo ngjarje i ngjalli interesin për çështjet e besimit. Më pas ai vendosi t’i lexonte vetë veprat e Luterit dhe gjatë leximit bota iu kthye përmbys. Megjithëse tepër i ri, sapo kishte mbushur të tetëmbëdhjetat, Bulingeri u kthye në besimin protestant.

Në vitin 1523, një vit pas kthimit të tij në besim, Bulingeri u takua me Ulrih Zvinglin (1484-1531), i cili ishte kthyer në besim në vitin 1519, pothuajse në të njëjtën kohë me Luterin, dhe shumë shpejt u bë udhëheqësi i Reformimit zviceran. Zvingli ishte njëzet vjet më i madh se Bulingeri, por të dy u bënë aleatë dhe 8 vjet më vonë jetët e tyre u lidhën një herë e përgjithmonë kur fatkeqësia goditi lëvizjen e re reformuese.

Pasuesi i pastorit të Zyrihut

Zvingli jo vetëm që ishte pastori i Zyrihut, por gjithashtu edhe kapelani i ushtrisë së qytetit. Më 11 tetor 1531, reformatori i madh iu bashkua betejës së Kapelit për të mbrojtur qytetin kundër forcave katolike. Atje ai mbeti i plagosur, u zu rob nga ushtria pushtuese dhe u ekzekutua.

Pas humbjes së ushtrisë protestante, qyteti i Bulingerit, ku ai shërbente edhe si pastori i kishës protestante, gjendej në rrezik. Kështu që ai u kthye menjëherë në Zyrih. Kur shkoi atje, mori në shtëpinë e vet bashkëshorten dhe dy fëmijët e mikut të tij të dashur, dhe brenda pak javëve u zgjodh si pasuesi i Zvinglit dhe shërbestari kryesor i qytetit, një ofiq të cilin Bulingeri e mbajti për 44 vjet, nga mosha 27-vjeçare deri në vdekjen e tij në moshën 71-vjeçare në vitin 1575.

Ndër të parët teologë të besëlidhjes

Sa shpesh ndodh që historia ndërthur te burrat e mëdhenj forcën e madhe me dobësi po aq të mëdha. Një prej kontributeve më domethënëse të Bulingerit ishte forma e tij primitive e “teologjisë së besëlidhjes”. Në këtë pikë ai ndoqi udhëheqjen e Zvinglit, i cili e organizoi teologjinë e tij sistematike sipas kriterit të besëlidhjes dhe jo sipas kritereve mesjetare.

Zvingli e vendosi qendrën e tij teologjike në besëlidhjen e Perëndisë në krijim me Adamin. Bulingeri e poqi dhe e përshtati atë teologji për t’u fokusuar tek Abrahami, një hap ky në drejtimin e duhur, por sikurse vë në pah historiani David Shtajnmec (David Steinmetz), që të dy e vendosën qendrën e gravitetit të teologjisë së tyre në Dhiatën e Vjetër dhe jo në të Renë. Pikat e forta përfshinin leximin e Biblës si një histori e vetme; pikat e dobëta përfshinin një prirje për të minimizuar (apo mohuar) ndërprerjet mes besëlidhjeve, që zbulohen në Dhiatën e Re.

Me pak fjalë, Zvingli dhe Bulingeri e lexuan të gjithë Biblën, por e panë si një rrafshinë të njëtrajtshme. Ajo që mbetet ende e paqartë, është se sa ndikoi kjo teologji e hershme besëlidhjeje në keqtrajtimin e anabaptistëve (ripagëzuesve) nga Zvingli dhe deri në ç’masë qe ky një reagim ndaj këtyre “radikalëve”. Në vitin 1525, Zvingli dhe Bulingeri së bashku e mbrojtën pagëzimin e foshnjave në një debat publik me anabaptistët, gjë e cila çoi në mbytjen e disa prej këtyre të fundit.

Bulingeri gjithashtu ndoqi qëndrimin e Zvinglit në kundërshtimin e muzikës kishtare për shkak të rrezikut të saj për t’u bërë idhull dhe për ta penguar adhurimin e vërtetë. Bulingeri e mori instinktin e Zvinglit dhe e ktheu në parim normativ, duke bërë kështu që muzika kishtare të mos përdorej në Zyrih deri gati një çerek shekulli pas vdekjes së Bulingerit.

Paqebërësi

Megjithatë trashëgimia që la pas dhe jeta që ai jetoi nuk ishte ajo e një përçarësi, por përkundrazi e një bashkuesi. Pas mjekrës së tij të madhërishme fshihej një prej zemrave më të mëdha të epokës së Reformimit, por edhe një prej paqebërësve më të palodhur. Edhe pse Bulingeri rrallë largohej nga Zyrihu, ai u përfshi në korrespondenca personale voluminoze (rreth dymbëdhjetë mijë letra të tij kanë mbërritur deri në ditët e sotme) për t’i këshilluar udhëheqësit e Reformimit anembanë Evropës dhe për të nxitur krijimin e aleancave mes tyre.

Më tepër sesa për vetë talentin e tij si predikues, Bulingeri u bë i njohur për durimin, urtësinë dhe zemërgjerësinë e vet. Ai e stabilizoi kishën e re, por me shumë ndikim të Zyrihut, duke e bërë që të kapërcente me sukses tragjedinë tronditëse që pësoi, duke e udhëhequr për plot dyzet vjet pas saj. Ai kultivoi dhe rriti atë që filloi Zvingli. Sipas Shtajnmecit: “Pa Zvinglin nuk do të kishte Reformim në Zyrih, por pa Bulingerin Reformimi nuk do ta kishte pasur të gjatë në këtë qytet.”

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme