foto91

NGA SCOTT HUBBARD

10 shkurt 1554: Dy ditë përpara se Ledi Xhejn Grei të ekzekutohet me prerje koke. Prifti katolik Gjon Fekenham (John Feckenham) hyri në qelinë e Xhejnit në Kullën e Londrës me shpresën se do t’i shpëtonte shpirtin. Të paktën kështu mendonte ai.

Mbretëresha Mari (e njohur ndryshe si “Maria gjakatarja”) tashmë e kishte vulosur dënimin me vdekje të kushërirës së saj Xhejn, por gjithsesi i dërgoi kapelanin e saj më të zotë për një përpjekje të fundit që ta bindte Xhejnin të kthehej në fenë katolike pak para ekzekutimit të saj. Xhejni ishte rreth shtatëmbëdhjetë vjeç në atë moment.

Kështu filloi një debat i fortë mes apologjetit katolik Fekenham dhe adoleshentes së reformuar, Ledi Xhejnit. Ai përpiqej ta bindte vashën se drejtësimi vjen prej besimit dhe veprave, ndërsa ajo qëndronte e palëkundur mbi sola fide – vetëm përmes besimit. Ai thoshte se buka dhe vera e Darkës së Zotit janë vetë trupi dhe gjaku i Krishtit, ndërsa ajo këmbëngulte se këto elemente nuk janë veçse simbole që tregojnë për veprën shpëtuese të Jezusit në kryq. Ai pohonte autoritetin e Kishës Katolike krahas Shkrimit; ajo ngulte këmbë që kisha gjendet nën vështrimin depërtues të Fjalës së Perëndisë.

Më në fund Fekenhami i thotë: “Jam i sigurt që ne të dy nuk do të takohemi më kurrë”, duke nënkuptuar kështu mallkimin e saj në ferr. Mirëpo, Ledi Xhejni ia kthen atij me të njëjtën monedhë: “Po, është e vërtetë që nuk do të takohemi [më], veç në ta ndryshoftë ty zemrën Perëndia.”

Perëndia sovran i Ledi Xhejnit

Nga një këndvështrim, jeta e Ledi Xhejnit është një histori intrigash e manipulimi të njerëzve të pushtetshëm që përdorin një vajzë adoleshente si mjet për të përparuar me agjendën e tyre sociale dhe politike. Prindërit e saj e detyruan të ndiqte një regjim të ashpër arsimimi, me shpresën që ajo do të martohej një ditë me trashëgimtarin e fronit të Anglisë. Kur kjo mundësi ra, familja Grei ra në ujdi me kryeministrin e mbretit që ta martonin Ledi Xhejnin me Gilford Dadlin (Guildford Dudley), një burrë të cilin ajo e përbuzte. Pastaj, me vdekjen e mbretit, një grup komplotistësh politikë vendosën mbi kryet e saj kurorën për të cilën Ledi Xhejni do të paguante me jetën e vet.

Me aq sa mund të shohim, ky është një këndvështrim i vërtetë, mirëpo mbetet ende një këndvështrim sipas Librit të Predikuesit — dhe kjo është perspektiva “nën diell” për Ledi Xhejnin. Mirëpo, nëse e shohim të njëjtën jetë përmes lenteve të provanisë së Perëndisë, përpara nesh shfaqet një Ledi Xhejn kryekëput tjetër. Një Ledi Xhejn që e përdori greqishten dhe hebraishten që i mësoi gjatë viteve të regjimit të ashpër arsimor për ta studiuar Shkrimin e Shenjtë në këto dy gjuhë origjinale të tij. Një Ledi Xhejn që u çua në oborrin e Henrit VIII për t’u edukuar, por që u takua me Jezusin përmes dëshmisë së mbretëreshës Katerina Par (Katherine Parr), e cila ishte një e krishterë e perëndishme. Së fundi, shohim një Ledi Xhejn që u përball me gjyqin, burgimin dhe prerjen e kokës duke pasur vetëm fjalët e Perëndisë në gojën e saj.

Ky këndvështrim i dytë që na u paraqit nuk është një përpjekje për të shkruar një tjetër biografi të shenjtë apo për të na nxitur që ta adhurojmë si heroinë. Tregimet na thonë që Ledi Xhejni ishte po aq kokëfortë, sa një mushkë. Ky këndvështrim thjesht pranon faktin që Perëndia i Jozefit vazhdon t’i përdorë të afërmit dinakë dhe qelitë e ftohta të burgut për të sjellë shpengimin e Vet. Xhejni mund t’u ketë thënë disa njerëzve: “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës” (Zanafilla 50:20).

Qelia e burgut

Ledi Xhejni hipi gjithë ngurrim në fron më 10 korrik 1553 dhe u largua prej tij vullnetarisht më 19 korrik 1553, kur Maria mblodhi një ushtri për ta hequr qafe mbretëreshën, kushërirën e vet. Prandaj, shpesh Ledi Xhejni mbahet mend prej një numri: Mbretëresha e Nëntë Ditëve.

Më 7 shkurt 1554, Maria nënshkroi dënimin me vdekje, i cili do ta çonte Ledi Xhejnin para xhelatit për t’i prerë kokën vetëm pesë ditë më pas. Përveç debatit me Fekenhamin, Ledi Xhejni i kaloi ditët e saj të fundit duke përgatitur një fjalim të shkurtër në lidhje me ekzekutimin e saj dhe duke nisur disa letra të fundit. Brenda Dhiatës së saj të Re në greqisht ajo la një shënim për motrën e saj të vogël, Katerinën:

E dashur motër, ky është libri i Ligjit të Zotit, është testamenti i tij i fundit, të cilin na e ka lënë ne të mjerave. Ky libër do të të udhëheqë drejt shtegut të gëzimit të përjetshëm… Për sa i përket vdekjes sime, gëzohu edhe ti si unë o motër e dashur, sepse do të shpëtoj nga prishja e kësaj bote dhe do të vesh mosprishjen. Jam e sigurt që duke humbur këtë jetë të vdekshme, do të fitoj jetën e pavdekshme.

Përpara xhelatit

Mëngjesi i 12 shkurtit e gjeti Ledi Xhejnin mbi murin e Kullës së Bardhë qendrore, ku e priste një turmë e vogël dhe xhelati. Duke u kthyer nga të pranishmit, Ledi Xhejni shpalli: “Nuk pres të shpëtohem prej asnjë gjëje tjetër, por veç prej mëshirës së Perëndisë, në gjakun e Birit të Tij të vetëm Jezu Krisht.” Pastaj u gjunjëzua dhe recitoi Psalmin 51:
“O Perëndi, ki mëshirë për mua…”

Pasi ia mbuluan sytë, Ledi Xhejni u përçap drejt trungut të ekzekutimit dhe vendosi kokën te pjesa e gdhendur për atë qëllim. Tingulli i fundit që dëgjoi turma para se sëpata të ngulej në dru, ishte një lutje nga zëri i shtatëmbëdhjetë-vjeçares Ledi Xhejn: “Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.” Kështu përfundoi jeta e Ledi Xhejn Greit, martires adoleshente.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme