Peter Waldo

NGA JON BLOOM

Më tepër se treqind vjet para se të lindte Martin Luteri, në Francën jugperëndimore e pikërisht në qytetin e Lionit, u shfaq papritur një reformator. Protesta e tij kundër doktrinave dhe praktikave të Kishës Katolike të Romës qe një lëkundje e fortë që paralajmëroi ardhjen e tërmetit frymëror të njohur ndryshe si Reformim. Lëvizja e nisur prej tij mbijetoi duke iu bashkuar më pas Reformimit të madh. Në histori ai ka hyrë me emrin Pjetër Valdo.

Ka shumë detaje të jetës së Valdos të cilat nuk i njohim, përfshirë këtu edhe emrin e tij. Nuk e dimë nëse Pjetër ishte emri i tij i vërtetë, përderisa nuk shfaqet në asnjë dokument deri 150 vjet pas vdekjes së tij. Mbiemri i tij me shumë gjasë ishte Valdès apo Vaudès, ndërsa Valdo (Waldo) është përshtatja e këtij të fundit në italisht. Nuk e njohim as vitin e lindjes së Pjetrit apo vitin e saktë kur vdiq, sepse historianët nuk bien dakord nëse vdiq mes 1205 dhe 1207 apo mes 1215 dhe 1218.

Por ama dimë disa të dhëna rreth jetës së tij që tronditën botën.

Një sundimtar pasanik pendohet

Në vitin 1170 Pjetri ishte një tregtar shumë i pasur dhe me emër në qytetin e Lionit. Jetonte bashkë me të shoqen dhe me dy vajzat e tyre, ndërsa pasuria e tij ishte e pamasë. Por diçka ndodhi — disa thonë që ai përjetoi vdekjen e papritur të një shoku, të tjerë thonë që dëgjoi këngën frymërore të një muzikanti shëtitës — dhe Pjetri u shqetësua së tepërmi për gjendjen frymërore të shpirtit të tij dhe ishte i dëshpëruar për të mësuar se si mund të shpëtohej.

Gjëja e parë që vendosi të bënte ishte të lexonte Biblën. Mirëpo, meqenëse nuk ekzistonte asnjë përkthim i Biblës përveç Vulgatës Latine dhe meqenëse latinishtja e tij ishte shumë e keqe, punësoi dy skolastikë që ta përkthenin në gjuhën e folur, me qëllim që ai ta lexonte dhe studionte.

Pastaj, kërkoi këshillë frymërore nga një prift, i cili e drejtoi te historia e të riut pasanik në Ungjill dhe i citoi fjalët e Jezusit: “Të mungon ende një gjë: shit gjithë sa ke dhe shpërndajua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell; dhe eja e më ndiq” (Luka 18:22). Fjalët e Jezusit i sëmbuan në zemër Valdos. Sikurse i riu pasanik, Valdo befas e kuptoi se në realitet i kishte shërbyer mamonit dhe jo Perëndisë. Por ndryshe nga i riu pasanik i cili u largua nga Jezusi, Valdo u pendua dhe bëri saktësisht atë që tha Jezusi: ai ua dha gjithë sa kishte të varfërve (pasi kishte siguruar mjaftueshëm për gruan dhe vajzat e tij). Që nga ai moment e në vazhdim ai vendosi të jetonte duke qenë plotësisht i varur nga provania e Perëndisë.

Lind një lëvizje

Valdo filloi menjëherë që të predikonte nga Bibla e tij rrugëve të Lionit, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë të varfërve. Shumë u kthyen në besim dhe rreth vitit 1175 dishepujt e Valdos përbënin një grup të madh në numër. Edhe ata i dhanë pasuritë e tyre dhe po predikonin (si burrat ashtu edhe gratë). Populli filloi t’i quante “Të varfrit e Lionit”. Më vonë, teksa grupi u shndërrua në një lëvizje dhe u përhap në Francë dhe pjesë të tjera të Evropës, ata u bënë të njohur si “Valdezët”.

Sa më tepër që Valdo e studionte Shkrimin, aq më tepër shqetësohej rreth disa doktrinave, praktikave dhe strukturave qeverisëse të Kishës Katolike, pa përmendur këtu pasuritë e shumta të saj. Ai e ngriti zërin me guxim kundër këtyre gjërave. Por, meqë Kisha ua ndalonte zyrtarisht njerëzve të thjeshtë që të predikonin Shkrimin, Valdo dhe grupi i tij modest u përball me kundërshtimin e udhëheqësve të kishës.

Një simbol që duhej kundërshtuar

Kryepeshkopi i Lionit u bezdis tej mase prej kësaj lëvizjeje reformuese të vetëshpallur, që përbëhej prej njerëzish të paarsimuar, dhe për këtë arsye u përpoq ta shtypte atë. Por në vitin 1179, Valdo iu drejtua drejtpërdrejt papës Aleksandri III dhe mori aprovimin e tij. Megjithatë, vetëm pesë vjet më pas, papa Luçio III mbajti anën e kryepeshkopit të Lionit duke e shkishëruar Valdon dhe ndjekësit e tij.

Gjatë viteve të saj të hershme, lëvizja Valdeze qe një përpjekje për të reformuar Kishën e Romës. Pjetër Valdo nuk kishte kurrë për qëllim që të largohej nga kisha, madje besonte në shumë doktrina tradicionale të Kishës. Por pas shkishërimit të tyre dhe pas vdekjes së Valdos, bindjet e mëposhtme, gati-protestante të Valdezëve, vazhduan të shtoheshin dhe të përforcoheshin:

    • Hodhën poshtë të gjitha pretendimet për autoritet përveç Shkrimit.
    • Mohuan të gjithë ndërmjetësit mes Perëndisë dhe njeriut përveç Krishtit Jezus njeri (edhe pse Maria vazhdoi të përnderohej për njëfarë kohe).
    • Hodhën poshtë doktrinën që vetëm prifti mund të dëgjonte rrëfimin dhe arsyetuan që të gjithë besimtarët ishin të kualifikuar për këtë gjë.
    • Hodhën poshtë doktrinën e purgatorit, duke hedhur poshtë kështu indulgjencat dhe lutjet për të vdekurit.
    • Besonin që të vetmet sakramente të urdhëruara nga Shkrimi ishin Pagëzimi dhe Darka e Zotit.
    • Hodhën poshtë ritet e Kishës në lidhje me agjërimin, ditët e festave dhe kufizimet e ngrënies së ushqimeve.
    • Hodhën poshtë sistemin e shtresave priftërore dhe murgjërore.
    • Hodhën poshtë përnderimin e relikeve, pelegrinazhet dhe përdorimin e ujit të shenjtë.
    • Hodhën poshtë pretendimin e papës për autoritet mbi sundimtarët tokësorë.
    • Në fund, ata mohuan vazhdimësinë apostolike të papës.

Para-Reformimi bashkohet me Reformimin

Pavarësisht nga shkishërimi dhe vdekja e Valdos, Lëvizja Valdeze vazhdoi të rritej për një kohë të gjatë. Ajo u përhap në Itali, në disa zona të Spanjës, Austrisë, Gjermanisë, Hungarisë dhe Polonisë.

Mirëpo edhe përndjekja katolike po ashtu vazhdoi dhe u bë gjithnjë e më e ashpër, deri në shekullin e pesëmbëdhjetë kur radhët e Valdezëve u rralluan në disa komunitete të vogla dhe të parëndësishme në luginat alpine të Francës dhe Italisë. Por kur Reformimi protestant u shfaq në skenë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, shumica e Valdezëve u bënë protestantë.

Pjetër Valdo ishte prototipi protestant, edhe pse nuk ishte i vetëdijshëm për këtë. Ai ishte një tregtar i thjeshtë që u bë profet, i cili thjesht e besoi Fjalën e Perëndisë me gjithë zemër, gjë të cilën e demonstroi gjatë tërë jetës. Duke i zënë besë Fjalës së Perëndisë, Valdo e ktheu botën e tij kokëposhtë.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme