foto113

NGA JOHN PIPER

Një prej zbulimeve të mëdha të Reformimit, një zbulim ky i lidhur në mënyrë të veçantë me Martin Luterin, ishte që Fjala e Perëndisë vjen te ne në formën e një libri dhe ky është Bibla. Luteri e kapi dhe u kap fort pas këtij fakti të fuqishëm: Perëndia e ruan përvojën e shpëtimit dhe të shenjtërisë nga një brez në tjetrin përmes një libri zbulese, dhe jo përmes një peshkopi në Romë.

Rreziku jetëdhënës dhe jetëkërcënues i Reformimit ishte hedhja poshtë e papës dhe e koncilëve si autoriteti final dhe i pagabueshëm i kishës. Kundërshtari i Luterit, Silvester Prieria (Sylvester Prierias) shkroi: “Ai që nuk e pranon doktrinën e Kishës së Romës dhe papën e Romës si rregullin e pagabueshëm të besimit, prej të cilëve edhe Shkrimet e Shenjta marrin forcën dhe autoritetin e tyre, është kryekëput heretik”. (Luther, fq. 193). Ajo që ndodhi për pasojë, ishte që Luteri u shkishërua nga Kisha Katolike e Romës. Hajko Obermani thotë: “Risia që solli Luteri, kishte të bënte me idenë e bindjes absolute ndaj Shkrimit përkundrejt çdo autoriteti tjetër, qoftë ky papa apo koncilët” (Luther, fq. 204).

Ky rizbulim i Fjalës së Perëndisë mbi gjithë pushtetet tokësore pati një ndikim të fuqishëm te Luteri dhe i dha formë gjithë Reformimit. Mirëpo, rruga që ndoqi Luteri derisa arriti te rizbulimi i kësaj të vërtete, ishte një monopat torturues dhe filloi me një stuhi me bubullima dhe vetëtima kur ai ishte 21 vjeç.

Murgu besnik

Më 2 korrik 1505, kur po kthehej nga universiteti për në shtëpi, Luteri u gjend mes një stuhie plot me rrufe dhe një prej tyre e hodhi përtokë nga kali. Ai klithi: “Më ndihmo, o Shën Anë! Do të bëhem murg po më shpëtove.” Pesëmbëdhjetë ditë më vonë, për habinë e të atit Luteri i braktisi studimet për jurisprudencë dhe e mbajti betimin e bërë.

Ai trokiti në portën e eremitëve agustinianë në Erfurt dhe i kërkoi kryemurgut që ta pranonte në rendin e tyre. Në moshën 21-vjeçare Martini u bë murg agustinian. Dy vjet më pas, gjatë meshës së parë që celebroi, Luteri u pushtua aq thellë prej mendimit të madhështisë së Perëndisë, saqë qe gati ta linte atë përgjysmë. Kryemurgu e bindi që të vazhdonte.

Mirëpo, ky incident frike dhe dridhjeje nuk do të ishte i vetmi në jetën e Luterit. Vetë Luteri do t’i kujtonte më vonë këto vite: “Edhe pse jetoja në mënyrë të paqortueshme si murg,
e ndieja që isha mëkatar para Perëndisë dhe ndërgjegjen e kisha jashtëzakonisht të shqetësuar. S’mund ta besoja dot që Ai ishte i kënaqur me arritjet e mia” (Selections, fq. 12).

Do të kalonin dhe njëzet vjet përpara se Luteri të martohej me Katerina fon Borën më 13 qershor 1525, dhe kjo do të thotë që ai jetoi me tundimet seksuale si burrë beqar deri në moshën 42-vjeçare. Mirëpo, “kur isha në manastir”, tha ai, “nuk mendoja për gratë, paranë apo pronat; përkundrazi zemra ime dridhej dhe trazohej për faktin nëse Perëndia do të më jepte hirin e Tij apo jo”. Ai digjej nga dëshira e zjarrtë që të përjetonte lumturinë e favorit të Perëndisë. “Nëse do të mund ta besoja që Perëndia nuk ishte më i zemëruar me mua, do të qëndroja përmbys mbi kokë nga gëzimi”, – thoshte Luteri në lidhje me atë kohë.

Lajmi i mirë: Drejtësia e Perëndisë

Në vitin 1509, mbikëqyrësi, këshilltari dhe miku i dashur i Luterit, Johan fon Shtaupic (johannes von Staupitz), e lejoi Luterin të jepte mësim Biblën në universitet. Tre vjet më pas, më 19 tetor 1512, në moshën 28-vjeçare Luteri mori doktoratë në teologji dhe Fon Shtaupici i dha në dorë katedrën e teologjisë biblike në Universitetin e Vitenbergut, rol të cilin Luteri e luajti gjatë gjithë jetës së tij.

Ndërsa Luteri iu fut punës për të lexuar, studiuar dhe mësuar Shkrimin në gjuhët origjinale, ndërgjegjja e tij e trazuar po vlonte nën sipërfaqe, ca më tepër kur u përball me frazën “drejtësia e Perëndisë” te Romakëve 1:16-17. Për Luterin, “drejtësia e Perëndisë” mund të nënkuptonte vetëm një gjë: ndëshkimin e drejtë të Perëndisë mbi mëkatarët. Kjo frazë nuk ishte “ungjill” për të, por përkundrazi ishte një dënim me vdekje.

Mirëpo, ja tek erdhi një çast, kur gjithë urrejtja e Luterit ndaj drejtësisë së Perëndisë u kthye në dashuri. Ai kujton:

Më në fund, falë mëshirës së Perëndisë, teksa përsiatja ditë e natë, i kushtova vëmendje kontekstit të fjalëve, domethënë: “Sepse, drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të prej besimit në besim siç është shkruar: ‘I drejti do të jetojë prej besimit’”… Dhe ky është kuptimi: drejtësia e Perëndisë zbulohet përmes ungjillit, domethënë, drejtësia pasive me të cilën Perëndia i mëshirshëm na drejtëson përmes besimit, sikurse është shkruar: “I drejti do të jetojë prej besimit.”

Dhe kështu Luteri nxori këtë përfundim: “Në këtë çast u ndjeva sikur kisha lindur për së dyti dhe sikur po hyja në parajsë përmes portave të hapura.”

Qëndrimi mbi Librin

Luteri nuk ishte pastori i kishës së qytetit të Vitenbergut, por shërbeu përmes predikimit së bashku me pastorin, shokun e tij Johan Bugenhagenin. Historia jep dëshmi se sa plotësisht i përkushtuar ishte ai ndaj predikimit të Shkrimit të Shenjtë. Për shembull, në vitin 1522 ai dha 117 predikime, një vit më pas prej gojës së tij rrodhën 137 predikime. Në vitin 1528 predikoi pothuaj 200 herë, ndërsa nga viti 1529 na kanë ardhur 121 predikime. Prandaj mesatarja e atyre katër viteve ishte një predikim çdo dy ditë e gjysmë.

Gjatë 28 viteve të ardhshme, Luteri do të predikonte me mijëra predikime, do të botonte qindra pamflete dhe libra, do të zhvillonte debate të panumërta, si dhe do të këshillonte një numër shumë të madh qytetarësh gjermanë dhe e gjitha kjo u bë me të vetmin qëllim për të përhapur lajmin e mirë të drejtësisë së Perëndisë te një popull i burgosur nën sistemin e arritjes së shpëtimit me anë të meritave të tyre. Gjatë gjithë këtyre përpjekjeve, Luteri kishte vetëm një armë përmes së cilës do ta shpëtonte ungjillin nga shitja si një mall i rëndomtë në tregjet e Vitenbergut, dhe kjo armë ishte Shkrimi. Ai i dëboi këmbyesit e parave — shitësit e indulgjencave — me Biblën, kamxhikun e Fjalës së Perëndisë.

Në vitin 1545, një vit para se të vdiste, Luteri deklaroi me një forcë kumbuese: “Kush dëshiron që Perëndia t’i flasë, le të lexojë Shkrimin e Shenjtë.” Vetëm këtu, në faqet e Biblës, Perëndia flet me autoritet përfundimtar. Te Shkrimi gjendet autoriteti më i lartë për besimtarët. Vetëm nga Shkrimi rrjedh dhurata e drejtësisë për mëkatarët që po rendin drejt ferrit.

Luteri jetoi sipas këshillës që dha. Në vitin 1533 ai shkroi: “Për vite me radhë e kam lexuar Biblën dy herë në vit. Nëse Bibla do të ishte një pemë e lartë dhe madhështore dhe të gjitha fjalët e saj të ishin degë të vogla, të jeni të sigurt se i kam shkundur të gjitha ato, me dëshirën për të mësuar çfarë ka në to dhe çfarë më ofrojnë mua” (What Luther Says, vëll. 1, fq. 83). Obermani thotë që Luteri e bëri këtë gjë për të paktën dhjetë vjet (Luther, fq. 173). Bibla ishte bërë më e rëndësishme për Luterin sesa gjithë shkrimet dhe komentarët e etërve të kishës.

Këtu qëndroi Luteri, këtu qëndrojmë edhe ne. Jo mbi shpalljet e papëve apo mbi vendimet e koncilëve, apo mbi rrymat e mendimit të një epoke a të një tjetre, por mbi “atë Fjalë, e cila qëndron mbi gjithë pushtetet tokësore” — mbi Fjalën e gjallë dhe të përjetshme të Perëndisë.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme

Kalvinisti i parë – Theodore Beza