foto95

NGA SHAWN WRIGHT

Teodor Beza lindi në një familje që i përkiste sërës së fisnikërisë së vogël franceze dhe përfitoi një edukim të shkëlqyer në përgatitje për karrierën e tij si jurist. Falë provanisë së hirshme të Perëndisë, në moshën nëntëvjeçare Teodori u dërgua që të studionte pranë Melkior Volmarit (Melchior Wolmar), një luteran gjerman, i cili jo vetëm që i mësoi greqisht dhe latinisht, por edhe parimet bazë të besimit të krishterë. Për periudhën që kaloi nën mësuesin Volmar, Beza thoshte se  ajo shënonte “fillimin e gjithë gjërave të mira që kishte marrë që nga ajo ditë e tutje dhe që do të merrte në jetën tjetër”.

Bashkëpiloti i Kalvinit

Megjithatë, pas përfundimit të studimeve, Beza jetoi një jetë të shthurur në Paris për afërsisht një dekadë derisa u katandis aq keq, sa zuri shtratin dhe u sëmur për vdekje. Pastaj, në vitin 1548, Perëndia e solli në vete. Beza iu kthye përkushtimit të tij ndaj Jezusit dhe u largua nga Franca për t’iu bashkuar kauzës së Reformimit në Zvicër. Ai filloi të jepte mësim në akademinë e pastorëve në Lozanë dhe në vitin 1558 u thirr në Gjenevë për të shërbyer bashkë me Gjon Kalvinin. Beza dhe Kalvini u bënë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë gjatë viteve të fundit të jetës së këtij të fundit. Kalvini shkroi që ai vetë e kishte: “Shumë për zemër Bezën, i cili më do më fort sesa një vëlla dhe më nderon më tepër sesa një atë.”

Përveç disa udhëtimeve jashtë qytetit-shtet zviceran, Beza e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij në Gjenevë, shpesh në kushte tepër sprovuese. Ai nuk e dinte nëse katolikët do ta sulmonin qytetin dhe do të vrisnin banorët e tij. Kështu iu desh të luftonte kundër një vale polemikash në rritje nga luteranët kundër protestantëve të reformuar.

Mbrojtësi i Gjenevës

Beza la gjurmën e vet në procesin e Reformimit dhe këtë e bëri në disa mënyra. Së pari, mbi të ra barra e udhëheqjes së Reformimit të Gjenevës pas vdekjes së Kalvinit në vitin 1564. Për plot dyzet vjet, Beza shërbeu si pastor dhe profesor, udhëtoi në Francë për të ndihmuar protestantët e shtypur atje, si dhe debatoi me katolikët dhe luteranët.

Nuk ka dyshim që Gjon Kalvini ishte babai i kalvinizmit, por Beza me plot të drejtë mund të konsiderohet kalvinisti i parë. Ai gjithashtu i dha trajtë asaj që tani e quajmë kalvinizëm, duke i zgjeruar dhe mbrojtur doktrinat që Kalvini i risolli në qendër të vëmendjes. Përmes mësimit dhe shërbesës së tij libërshkruese, Beza mbrojti llogaritjen e drejtësisë së Krishtit si elementin thelbësor për drejtësimin e mëkatarit, ai shpjegoi se pse ishte e drejtë të besohej në paracaktimin e dyfishtë, si dhe shtjelloi ngushëllimin që besimtari merr prej shlyerjes së përcaktuar të Krishtit.

Përveç udhëheqjes së tij pastorale, Beza i siguroi kishës së re e të reformuar frëngjishtfolëse literaturën e nevojshme në ndihmë të rritjes së saj. Gjatë jetës së tij, Beza u bë i njohur më tepër për punën e tij me Dhiatën e Re, punë e cila kulmoi në veprën Annotations of the New Testament (Shënimet e Dhiatës së Re). Kjo kryevepër gjuhësore përfshinte tekstin e Dhiatës së Re në greqisht, përkthimin e Vulgatës Latine, dhe përkthimin origjinal në latinisht nga Beza. Beza shtoi shënimet e veta shpjeguese dhe ato në fund të faqeve, duke demonstruar që besimi i reformuar ishte qartësisht një gjë që mësohej në Bibël. Shënimet e tij në veprën e Dhiatës së Re luajtën një rol ndikues në botimin e Biblës në anglisht në vitin 1560, ose siç njihet ndryshe Bibla e Gjenevës, vepër e cila u bë përkthimi më popullor i Biblës mes puritanëve. Teksti i Dhiatës së Re në greqisht që botoi Beza, ishte ai që u përdor nga përkthyesit e King James Bible (Biblës së mbretit Jakob) në vitin 1611.

Nën dorën e pushtetshme të Perëndisë

Beza trashëgoi vizionin biblik të Kalvinit për sovranitetin e ëmbël të Perëndisë mbi të gjitha çështjet e jetës njerëzore. Pas vdekjes së Kalvinit, Beza përjetoi kohëra të trazuara dhe sprova të cilat do ta shtynin të besonte edhe më fort në Zotin e tij. Në vitin 1587, për shembull, kur dukej sikur Gjeneva do të pushtohej nga katolikët, Beza e inkurajoi bashkësinë e tij që të besonte fort në provaninë e mirë të Atit të tyre qiellor:

Kjo doktrinë është plot ngushëllim të mrekullueshëm. Përmes saj kuptojmë që prej fuqisë së Perëndisë tonë zbutet dhe pushon hungërima e atij luani të lidhur me zinxhirë, kuptojmë gjithashtu që Perëndia nuk do ta lejojë kurrë që ai të bëjë ndonjë gjë kundër fëmijëve të tij, e cila të mos jetë për të mirën dhe dobinë e tyre, sikurse na thotë edhe apostulli (Romakëve 8:28) dhe na e mëson gjithashtu përmes shembullit të tij (2 e Korintasve 12:17).

“Me të vërtetë, – u tha ai dëgjuesve të tij, – shpresa jonë e vetme është që Perëndia ynë është sovran, madje aq sovran saqë mund të na shpëtojë nga mëkatet tona kur jemi krejtësisht të vdekur frymërisht”:

Në natyrën tonë nuk ka asgjë tjetër veçse rebelim kokëfortë dhe të dëshpëruar, gjersa Fryma e Perëndisë shporr tutje fillimisht errësirën e mendjes sonë, e cila në vetvete s’mundet dhe as që ka për të menduar kurrë për gjërat e Perëndisë (2 e Korintasve 3:5), dhe së dyti, shëron gatishmërinë e vullnetit tonë, i cili është armik i Perëndisë dhe i gjithçkaje që është vërtet e mirë (Romakëve 5:10 dhe 8:7).

Mendja dhe zemra e Bezës u ndriçuan aq sa të kuptonte që për shkak se Perëndia mbretëron dhe ka gjithë pushtetin, të krishterët mund të shpresojnë në mirësinë e Tij si për shpëtimin e tyre, ashtu dhe për mbrojtjen që do t’u ofrohet përkundër rreziqeve, me të cilat do të ballafaqohen gjatë shtegtimit të tyre tokësor.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme

>