foto87

NGA DOUGLAS WILSON

Pjer Vireja lindi në vitin 1511. Ai ishte apologjet, orator, humorist dhe ekonomist, thënë shkurt një njeri shumë përpara kohës së vet. Përveç gjithë kësaj, ai ishte edhe një teolog i madh.

Një biografi e shkruar kohët e fundit nga Zhan-Mark Bert-hud (Jean-Marc Berthoud) për Pjer Virenë mban nëntitullin Një gjigant i harruar i Reformimit, një nëntitull i cili e përmbledh më së miri personin dhe veprën e Pjer Viresë. Na është bërë zakon të ndalemi te gjigantët e njohur të Reformimit, personalitete të tilla si Luteri apo Kalvini, dhe kështu kemi harruar se edhe ata kishin vërsnikët e tyre.

Njerku i Gjenevës

Vireja ishte mik i ngushtë i Kalvinit dhe që të dy i ishin borxhli deri në fyt të njëjtit burrë, njërit që quhej Guljelm Fareli. Ishte pikërisht Fareli ai që dëgjoi se Kalvini po kalonte nga Gjeneva te një jetë e rehatshme studimesh në një bibliotekë diku gjetkë dhe kështu e bindi këtë të fundit që të qëndronte dhe të ndihmonte në veprën e Reformimit. Të themi se 
e bindi është një mënyrë mjaft e zbutur për të përshkruar se çfarë i bëri Fareli Kalvinit atë natë — Fareli e mallkoi Kalvinin me shkatërrim nëse ky i fundit nuk qëndronte në Gjenevë, — sepse Uilliam Fareli e tmerroi Kalvinin për ta detyruar që të zinte vendin e rëndësishëm që ai do të kishte në historinë e botës.

Pjer Vireja ishte zviceran, por kishte studiuar në Universitetin e Parisit. Ai ishte kthyer në besimin e reformuar gjatë qëndrimit në Paris dhe pastaj ishte kthyer në vendlindje (në qytezën e Orbesë) për t’u shpëtuar përndjekjeve që kishin filluar anembanë Francës. Ishte pikërisht Fareli ai që e thirri edhe Virenë në shërbesë dhe kështu ndodhi që ky e mbajti predikimin e tij të parë në moshën 20-vjeçare, në maj të vitit 1531. Kjo ndodhi pesë vjet përpara se Fareli t’i punonte qindin Kalvinit. Falë shërbesës së tij të pakursyer të predikimit në Orbe, Vireja pati privilegjin e madh t’i shihte prindërit e vet të ktheheshin në besim dhe t’i bashkoheshin Reformimit.

Ashtu siç u lidh Kalvini me Gjenevën, edhe Vireja u bë i pandashëm nga Lozana. Akademia e Gjenevës me të drejtë u bë e famshme anembanë kontinentit, por duhet thënë se fillesat e saj qenë fryti i punës voluminoze që bëri Vireja në vitet e para të Reformimit. Vireja e themeloi Akademinë e parë të reformuar në Lozanë në vitin 1537. Akademia u rrit dhe lulëzoi në Lozanë, duke pasur në kulmin e lulëzimit të saj rreth një mijë studentë të regjistruar pranë saj. Disa prej ish-studentëve të saj shkruan Katekizmin e Hajdelbergut (Ursini [Ursinus] dhe Oleviani [Olevianus]) si dhe Rrëfimin Belg (De Breja [de Bres]). Drejtori i akademisë qe Teodor Beza.

Djegia e urave

Mirëpo, Vireja u ballafaqua me një sfidë të ngjashme sikurse ajo e Kalvinit, e cila kishte të bënte me mënyrën se si duhej ushtruar disiplina kishtare në një kishë të kontrolluar nga shteti. Meqenëse Lozana gjendej nën autoritetin e qytetit të Bernës dhe meqenëse autoritetet civile nuk e lejonin disiplinën kishtare pa lejen dhe aprovimin e tyre, pikërisht për këtë shkak ai qytet lëngonte nën një prishje të vazhdueshme morale.

Një shembull flagrant i sa më lart ishte rasti i një burri që kishte hapur një shtëpi publike në shtëpinë e së ëmës, por që Berna vendosi që t’i jepej Darka e Zotit me gjithë protestat e forta të kishës së Lozanës. Sipas biografit Zhan-Mark Berthud: “Në shkrimet e tij polemike Vireja shpesh shkruante që papa i Bernës me veladon të shkurtër (shteti absolutist), ishte një armik shumë më i keq për besimin, sesa ishte papa i moshuar i Romës me veladonin e tij të gjatë” (Pierre Viret, fq. 35).

Pas shumë përgjërimesh, Vireja vendosi që kishte ardhur çasti për t’ia vënë shtegun tek thana “papës së Bernës”. U kërkoi autoriteteve vendore që ta shtynin një shërbesë Darke Zoti, me qëllim që ai të kishte mundësi të shqyrtonte dhe të udhëzonte ata që do të vinin për t’u kunguar. Kur princat e Bernës e dëgjuan këtë, u tërbuan dhe kërkuan që Vireja të shkarkohej në vend, gjë e cila ndodhi. Pastaj Vireja shkoi në Gjenevë dhe në shenjë proteste i gjithë personeli pedagogjik i Akademisë dha dorëheqjen. Si rezultat i kësaj, pak muaj më vonë u themelua akademia e Gjenevës. Me pak fjalë, Akademia e Lozanës u zhvendos në Gjenevë dhe bashkë me të u zhvendos edhe reja e bekimeve që e shoqëronte këtë institucion arsimor.

Përherë i buzëqeshur ky reformatori

Fareli që përmendëm më lart, ishte plotësisht ortodoks për sa i përket doktrinës, por duhet pranuar që zjarri që i digjej përbrenda, ia kishte djegur edhe mendjen. Ndryshe prej tij, Vireja ishte shumë më i ekuilibruar. Edhe pse Vireja ishte një polemist i efektshëm, dhe aspak një paqebërës kishtar, pas vdekjes së tij në vitin 1571, fitoi nofkën “Buzëqeshja e Reformimit”.

Vireja dinte se si të ishte luftarak, duke qenë njëherësh edhe mjaft tërheqës. Dhëntë Zoti që fara e këtij burri të shquar të Reformimit të rishfaqet dhe të shtohet në numër.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme