Përgatitu për të parë Krishtlindjen

Dhjetor 2020


21 dhjetor

Mateu 16:15–17

Ai u tha atyre: ”Po ju, kush thoni se jam unë?” Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.” Dhe Jezusi duke iu përgjigjur, i tha: “I lum je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.”

Vepra absolutisht e pazëvendësueshme e Perëndisë në zbulimin e Birit të tij—si atëherë për Pjetrin, ashtu edhe tani për ju dhe mua—nuk i shton asaj që tashmë shohim dhe dëgjojmë te vetë Jezusi, por hap sytë e zemrës tonë për të shijuar dhe për të parë lavdinë e vërtetë hyjnore që gjendet në Jezusin.

Kur njerëzit kanë dyshime rreth të vërtetës së Jezusit, mos i largoni me këshillën që të kërkojnë mesazhe të veçanta prej Perëndisë. Drejtojini te Krishti! U tregoni atë që keni parë dhe dëgjuar në jetën dhe mësimet e Tij. Pse? Për shkak se ky është vendi ku Perëndia ndërhyn me fuqinë e Tij zbuluese. Atij i pëlqen ta përlëvdojë Birin e vet! Atij i pëlqen të hapë sytë e të verbërve, ndërsa ata shikojnë Birin e Tij!

Perëndia nuk ma zbulon Birin e Tij duke ardhur dhe duke më thënë: “Dëgjo Xhon, e di që nuk sheh ndonjë gjë madhështore në Birin tim. Ti nuk e sheh Atë si të gjithëlavdishëm, hyjnor dhe tërheqës përmbi gjithë të mirat tokësore. Ti nuk e sheh Atë si thesarin tënd, që do të të kënaqë plotësisht, dhe nuk i sheh shenjtërinë, urtësinë, fuqinë dhe dashurinë e Tij si të bukura përtej çdo përshkrimi. Më beso kur të them, Ai është i tillë. Thjesht besoje.” Jo!

Një besim i tillë nuk do ta nderonte Birin e Perëndisë. Ky besim nuk mund ta përlëvdojë Birin. Besimi shpëtues bazohet mbi një vështrim frymëror të Jezusit, ashtu si është në vetvete, si Biri i gjithëlavdishëm i Perëndisë. Kjo pamje frymërore na jepet përmes Fjalës së Tij të frymëzuar, Shkrimit. Sytë e zemrës tonë hapen për ta njohur Atë dhe për ta pranuar, jo me urtësinë e mishit dhe të gjakut, por përmes veprës zbuluese të Atit të Tij qiellor.

Apostulli Pal tha: “sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.”

Si ta përgatisni zemrën tuaj për ta pranuar Krishtin këtë Krishtlindje? Përqendroni vështrimin tuaj tek Jezusi në Bibël. Shihni drejt Krishtit! Merrni parasysh Jezusin. Lutuni! Shihni përtej mishit dhe gjakut tuaj, dhe kërkoni që Perëndia t’ju japë sy për të parë dhe vesh për të dëgjuar që edhe ju të mund të shpallni sikurse Pjetri: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë!”


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin