udheheqesia

Prill 2021                                                     Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Një thirrje e lartë

Drejtuesit duhet të jenë të paqortueshëm, të japin llogari për njerëzit që iu janë besuar. Inkurajohu në lidhje me këtë thirrje të lartë nga fjala e Perëndisë me vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Psalmi 78:72

Me zemër të pastër i udhëhoqi, me duar të afta u priu.

Davidi doli nga vathët e deleve. Ashtu si Moisiu (Eksodi 3:1), ai mësoi të ishte bari i deleve të vërteta. Idealisht mbreti është bariu i popullit të vet (krahaso me 2 e Samuelit 5:2), kujdeset për ta, i mbron dhe i drejton që të jenë besnikë ndaj besëlidhjes. Davidi bëri më të mirën për të punuar me ndershmëri zemre dhe shkathtësinë e duarve, edhe pse kishte dështimet e veta morale; shumë mbretër të linjës së tij mbretërore nuk ishin kaq të ndershëm dhe të shkathët. Termi “udhëhoqi” u bë i përdorshëm nga drejtuesit në Izrael (priftërinjtë, fisnikët dhe gjykatësit), dhe profeti Ezekiel foli për barinjtë lakmitarë të ditëve të tij (Ezekieli 34). Ai mezi priste kohën e mërgimit, kur Perëndia do të ngrinte “shërbëtorin e tij David” (pra, Mesian) që do të ishte “bariu” i popullit të tij (Ezekieli 34:23–24). Kur Jezusi e quajti veten “bariu i mirë” (Gjoni 10:11, 14), Ai shpalli se ishte trashëgimtari i shumëpritur i Davidit, që do ta drejtonte popullin përsosmërisht.

Fjalët e Urta 11:14

Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve.

Roli i këshilltarëve është të ndihmojë personin të marrë vendime të mençura (krahaso me Fjalët e Urta 15:22; 24:6). Ndërsa kjo gjë është e rëndësishme për ata që udhëheqin njerëz, Fjalët e Urta theksojnë gjithashtu aplikimin e gjerë që ato kanë për vendimet që njerëzit marrin në çdo lloj situate—krahaso me Fjalët e Urta 11:5 dhe me përshkrimin që bën kontrastin me të pabesin që bie “për shkak të paudhësisë së tij”.

Mateu 20:26–28

...Por kështu nuk do të jetë ndër ju; por kush të dojë të bëhet i madh ndër ju le të jetë shërbenjësi juaj; edhe kush të dojë të jetë i parë ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj. Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.

Një shërbëtor ishte një punëtor i punësuar për mirëmbajtjen e shtëpisë së pronarit, ndërsa një skllav ishte dikush që detyrohej të shërbente. Këto ishin dy prej pozicioneve më të ulëta në shoqërinë judaike, megjithatë Jezusi e ruan statusin e tyre në komunitetin e dishepujve duke treguar superioritet dhe madhështi.

Vetë Jezusi është shembulli më i lartë i shërbëtorit. Jezusi jep jetën e Tij si shpengim i shumë vetëve (greqisht lutron, çmimi i lëshimit, term shpesh i përdorur për paratë që paguhen për të çliruar skllevërit). “Për” (greqisht anti) do të thotë “në vend të” dhe përfaqëson idenë e shkëmbimit dhe zëvendësimit të jetës së Jezusit në kryq për të gjithë ata që e pranojnë pagesën e Tij për mëkatet e tyre (shih shënimet tek 1 e Pjetrit 2:24; 1 e Pjetrit 3:18).

Luka 12:48

“Kujt iu dha shumë, do t'i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t'i kërkohet më shumë.”

Administruesi besnik dhe i mençur është ai që kujdeset me besnikëri dhe drejtësi për ata që janë nën përgjegjësinë e tij, duke i dhënë secilit pjesën e vet… në kohën e duhur. Kur pronari të kthehet, administruesi besnik do të shpërblehet—një përshkrim metaforik i shpërblimeve që do t’u jepen besimtarëve besnikë kur Krishti të kthehet. Administruesi besnik krahasohet me shërbëtorin jobesnik që rreh shërbëtorët dhe dehet. Megjithatë, për çudinë e shërbëtorit jobesnik, pronari do të kthehet në një moment që ai nuk e pret (Luka 12:46), duke marrë kështu një gjykim të ashpër dhe të menjëhershëm: do ta copëtojë (krahaso me Jeremia 34:18) dhe do ta vendosë me të pabesët—një referencë metaforike për ndëshkimin që e pret jobesimtarin në kthimin e Krishtit. Përshkrimi i mëvonshëm (krahaso me Luka 13:27–28 dhe sidomos vargun paralel te Mateu 24:51) tregon gjykim të përjetshëm dhe ndarje nga Perëndia (krahaso me Luka 8:13). “Do t’i kërkohet shumë”. Njerëzit të cilëve Perëndia u ka besuar shumë aftësi dhe përgjegjësi do të përballen me një standard më të lartë në ditën e fundit (krahaso me shënimet te Mateu 25:29; Marku 4:24, 25).

Gjoni 13:13–17

Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam. Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar. Po t'i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t'i bëni.

Dishepujt do të kuptonin plotësisht vetëm pas kryqit, edhe pse e në këto çaste kuptojnë pjesërisht përulësinë e mrekullueshme të Jezusit, që shërben si model për të gjithë dishepujt e Tij.

Larja e këmbëve vazhdon si një ceremoni e rregullt në një sërë denominacionesh moderne, të cilët i binden në kuptimin e parë urdhërimit të Jezusit: “edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.” Të tjerë besojnë se gjuha është e figurshme, duke nënkuptuar rëndësinë e të shërbyerit njëri-tjetrit, dhe se ky veprim specifik në fakt, nuk kërkohet.

Veprat 20:28

Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij.

“Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj.” Drejtuesit shpirtërorë duhet së pari të ruajnë pastërtinë e tyre morale dhe shpirtërore. Pjesa e fundit e këtij vargu i referohet gjakut të Krishtit që u derdh përmes vdekjes së Tij shlyese në kryq (krahaso me Romakëve 3:25; 5:9; Efesianëve 1:7; etj.). Referenca ndaj Perëndisë në pjesën e parë të vargut (“kishën e Perëndisë”) me shumë mundësi është referencë për Krishtin si kreu i kishës dhe si “Perëndia Bir,” personi i dytë i trinisë. Nga ana tjetër, nëse është referuar Perëndia Atë në shprehjen “kishën e Perëndisë,” atëherë shprehja “me gjakun e tij” i referohet gjakut të vetë Perëndisë, që është, “vetë Biri i Perëndisë” (që do të ishte një alternativë tjetër e leximit në greqisht).

Romakëve 12:3–8

Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë sesa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit. Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion, kështu edhe ne, megjithëse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njër- tjetrit. Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit; nëse kemi shërbim, le t'i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit; dhe ai që nxit, le t'i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t'i bëjë me gëzim.

Diversiteti dhe uniteti i kishës ilustrohet duke u krahasuar me trupin njerëzor. Ashtu si trupi i njeriut përbëhet nga shumë pjesë (pjesët e trupit, gjymtyrët), po ashtu kisha bashkohet, edhe pse përbëhet nga shumë anëtarë. Në lidhje me temën e kishës si trupi i Krishtit, shih gjithashtu 1 e Korintasve 12 dhe Efesianëve 4:4, 12–16.

Varieteti i trupit është i dukshëm në larminë e dhuntive, që Perëndia i ka dhënë kishës. Në lidhje me dhuntinë e profecisë shih shënimet te Veprat 21:4; 21:10–11; 1 e Korintasve 12:10; Efesianëve 2:20; 1 e Thesalonikasve 5:20–21; dhe shënime të tjera te 1 e Korintasve 12–14. Pali i udhëzon profetët të flasin vetëm kur besojnë ose janë të sigurtë se Fryma e Shenjtë po u shfaq vërtetë diçka, dhe jo ta tejkalojnë besimin që Perëndia iu ka dhënë, duke u përpjekur të bien në sy.

Të krishterët duhet t’i përqendrojnë energjitë e tyre te dhuntitë që Perëndia iu ka dhënë, si në shërbimin ndaj të tjerëve, në mësimin e fjalës së Perëndisë me durim ose në inkurajimin dhe nxitjen e njerëzve në gjërat e Perëndisë. Për këtë Pali ndan veç tri qëndrime të nevojshme për praktikimin e këtyre dhuntive të veçanta: (1) ata që kanë dhunti ndihmën financiare nuk duhet të japin me gjysëm mendje por me bujari; (2) ata që drejtojnë, shpesh nuk kanë dikë, të cilit mund t’i japin llogari, e kështu mund të bien pre e përtacisë; (3) ata që tregojnë mëshirë ndaj të lënduarve nuk duhet të lodhen, por të vazhdojnë shërbesën me gëzim.

Efesianëve 4:11–13

Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit,

Krishti u jep dhunti të veçanta dhe specifike njerëzve në kishë, misioni parësor i të cilëve është t’i shërbejnë fjalës së Perëndisë (Efesianëve 4:12). Në lidhje me profetët, pikëpamjet e ndryshme në lidhje me natyrën e dhuntisë së profecisë në Besëlidhjen e Re ndikojnë në të kuptuarit e këtij vargu. Duke qenë se struktura e greqishtes këtu është ndryshe nga Efesianëve 2:20 dhe Efesianëve 3:5, disa e shohin këtë varg më shumë si një tjetër referencë të dhuntisë së profecisë në kishën e Besëlidhjes së Re, sesa si referencë për profetët “themelues” që përmenden tek Efesianëve 2:20 dhe Efesianëve 3:5. Nga fjala greke për “ungjillin” (euangelion), fjala ungjillor nënkupton njerëz si Filipi dhe Timoteu që e shpallën ungjillin (Veprat 21:8; 2 e Timoteut 4:5). Barinj (ose “pastorë” [sipas shënimeve të ESV]), në Besëlidhjen e Vjetër këta janë mbretër dhe gjykatës (2 e Samuelit 5:2; 7:7). Në Besëlidhjen e Re, pleqtë “kullosin” duke u kujdesur dhe ushqyer kishën (Veprat 20:28; 1 e Pjetrit 5:1–2). Ka paqartësi nëse “barinj dhe mësues” i referohet dy roleve apo funksioneve të ndryshme në shërbesë (krahaso me shënimet e ESV), apo nëse kjo referencë është vetëm për një rol në shërbesë si “bari-mësues” (krahaso me shënimet e ESV), duke qenë se Pali përdor një tjetër lidhëz në fund të listës, duke i bashkuar këta dy emra më tepër se të tjerët në listë. Nëse “mësuesit” janë një grup më vete, ata mund të kuptohen si një degëzim i barinjve (mbikqyrës, pleq) që janë përgjegjës për të dhënë udhëzimet nga fjala e Perëndisë (krahaso me 1 e Timoteut 5:17).

Drejtuesit e kishës, që kanë dhunti të ndryshme (Efesianëve 4:11), duhet të pajisin të shenjtët (të gjithë të krishterët) që ata të bëjnë punën e shërbesës. Të gjithë të krishterët kanë dhunti shpirtërore që duhet të përdoren për t’i shërbyer njëri-tjetrit (1 e Korintasve 12:7, 11; 1 e Pjetrit 4:10).

Jakobi 3:1

Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër,

Mësuesit ishin shumë të rëndësishëm në kishën e hershme (Veprat 2:42; Romakëve 12:7; 1 e Korintasve 12:28; Efesianëve 4:11), dhe ata që ishin ambiciozë e kërkonin statusin e mësuesit për arsyet e gabuara. Megjithatë, sa më e madhe përgjegjësia, aq më të mëdha pritshmëritë nga Perëndia (Luka 12:48; Hebrenjve 13:7), dhe mësuesit do të gjykohen më imtësisht (pra, “gjykim më të ashpër”), duke qenë se japin llogari për më shumë gjëra.

Filipianëve 2:3–4

Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.

Jemi vazhdimisht të tunduar për të qenë si kundërshtarët e Palit te Filipianëve 1:17 që vepronin në frymë egoiste, duke kërkuar vetëm interesat e veta. Një mendjemadhësi e tillë (pra “mburrje”) kundërshtohet duke i çmuar të tjerët më shumë se veten. Pali vë në dukje se të gjithë njerëzit kanë tendencën të kërkojnë interesat e veta. Çelësi është që të njëjtin nivel shqetësimi ta aplikojmë për interesat e të tjerëve. Një dashuri e tillë radikale është e rrallë, prandaj Pali e shfaq realitetin e saj suprem në jetën e Krishtit (Filipianëve 2:5–11).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-leadership/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>