“…përmbusheni gëzimin tim, që ju të mendoni të njëjtën gjë, duke pasur të njëjtën dashuri, të bashkuar shpirtërisht, duke menduar një qëllim të vetëm, duke mos bërë asgjë për ambicie egoiste dhe as për lavdi boshe, por me përulësi, duke e çmuar njëri-tjetrin më lart se vetveten.” FILIPIANËVE 2:2-3
Edhe pse është e dobishme që anëtarët e kishës të marrin inciativën për të shërbyer, një bashkësi e shëndetshme besimtarësh nuk do të qeveriset nga idetë dhe agjendat individuale. Nëse duam që kisha të jetë me të vërtetë nën kryesinë e Krishtit, atëherë mendjet tona duhet të bashkohen së pari rreth ungjillit. Pa atë unitet, ne do të shtyhemi veçse nga dëshirat dhe agjendat tona egoiste.
Bibla ka shumë për të thënë në lidhje me mendjen tonë, pasi ne jemi ashtu siç mendojmë. Kur e stërvitim mendjen tonë që të mendojë drejt, ne do të mësojmë të duam siç duhet dhe do të shërbejmë në një frymë dhe qëllim. Një pjesë e betejës sonë mendore është e rrënjosur në natyrën tonë njerëzore, të vjetër dhe egoiste. Një nga gurët më të mëdhenj të pengesës nuk është aq shumë urrejtja sa ç’është dashuria për veten: ne jemi të prirur ndaj një qëndrimi mburravec, i cili bie krejtësisht në kundërshtim me karakterin e Zotit tonë, dhe mungesa jonë e përulësisë bëhet një pengesë që na ndalon të përjetojmë harmoni me njerëzit përreth nesh. Madje edhe veprat tona më të mira shpesh kanë motive jo të pastra pas tyre.
Nëse duam të jemi të bashkuar në Krishtin, nuk mund të këmbëngulim që të bëhet si duam ne. Përkundrazi, ne duhet ta çmojmë “njëri-tjetrin më lart se vetveten”. Kjo do të thotë t’i kujtojmë vetes më të mirën për të tjerët, përpara se të mendojmë për veten tonë; të jemi më të shpejtë për të pyetur se ç’do të ishte më e mira për të tjerët, në vend të asaj që do të ishte më e volitshme për ne; dhe të jemi të gatshëm për të hyrë në jetën dhe përleshjet e të tjerëve, në vend që të qëndrojmë larg tyre. Përulësia e vërtetë nuk kërkon të ulet në vend të parë dhe as nuk fillon gjithmonë me “unë”. Përkundrazi, ajo është “asgjësia që i lë hapësirë Perëndisë për të treguar fuqinë e Tij”. Pali na thotë se kjo është një karakteristikë të cilën e shfaqi Vetë Jezusi: “Secili nga ne t’i pëlqejë të afërmit për të mirën e tij për ndërtim; se edhe Krishti nuk i pëlqeu vetvetes…’” (Romakëve 15:2-3).
Kur mendojmë së pari për veten tonë, bëhet e vështirë — në fakt, e pamundur — që ta vëmë në veprim fjalën e Perëndisë. Mirëpo kur të mësojmë t’i vendosim të tjerët përpara vetes, ne do të jemi shumë herë më të gatshëm për t’u kujdesur për interesat e tyre para tonave. Kur e bëjmë këtë gjë, mund të jemi me të vërtetë të bashkuar me trupin e Krishtit. Ka të ngjarë që njeh njerëz të cilët e shfaqin këtë lloj përulësie të perëndishme. Lavdëroje tani Perëndinë për ta dhe lutu që të mësosh se si të ndjekësh shembullin e tyre — dhe mbi të gjitha, të ndjekësh shembullin e Vetë Krishtit. Ai e konsideroi nevojën tënde si më të rëndësishme se rehatinë e Tij — madje më të rëndësishme edhe se jetën e Tij. Sfida e Palit për secilin prej nesh është kjo: “Këtë gjë mendoni në ju, që ishte edhe në Krishtin Jezus” (Filipianëve 2:5).