“Tani, pse më thërrisni ‘O Zot, o Zot’ dhe nuk bëni ato që ju them? Kushdo që vjen tek unë dhe i dëgjon fjalët e mia, dhe i bën, do t’ju tregoj se kujt i ngjan: I ngjan një njeriu që ndërton një shtëpi, i cili gërmoi dhe shkoi thellë, dhe e vuri themelin mbi shkëmb…” LUKA 6:46-48
Jezusi dëshiron të shohë që fjalët dhe jeta jonë të përputhen. Prandaj, Ai e mbyll Predikimin e Tij në Fushë me këto pyetje retorike dhe shumë zhbiruese: “Tani, pse më thërrisni ‘O Zot, o Zot’ dhe nuk bëni ato që ju them?”. Ai dalloi një kontrast mes asaj që njerëzit po thoshin dhe mënyrës se si po silleshin, dhe Ai donte t’i ftonte ata që të bënin një vetëshqyrtim serioz frymëror. Ai donte që ata, sikurse edhe ne, të sigurohemi që rrëfimi gojor i besimit në Të të shoqërohet me bindje morale ndaj Tij.
Jezusi nuk mësoi se hyrja në mbretërinë e qiellit është përmes veprave të mira të bindjes. Shpëtimi është vetëm me anë të hirit, nëpërmjet besimit, pa shtuar asgjë tjetër (shih Efesianëve 2:8). Gjithçka që ne i sjellim Krishtit, është mëkati për të cilin kemi nevojë që të falemi. Atëherë, çfarë po mëson Ai? Thjesht këtë: vetëm ata që i binden Atij — ata që e shprehin besimin e tyre me anë të veprave — e kanë dëgjuar vërtet ungjillin dhe janë transformuar prej tij. Siç e vunë në pah edhe Reformatorët, vetëm besimi na shpëton, por besimi që shpëton, nuk është kurrë vetëm. Apostulli Gjon u referohet fjalëve të Jezusit dhe në letrën e tij të parë thotë: “Po të themi se kemi përbashkësi me të dhe të ecim në errësirë, gënjejmë dhe nuk po ushtrojmë të vërtetën” (I e Gjonit 1:6). Në Shkrim bëhet e qartë që mënyra se si i dëgjojmë fjalët e Jezusit dhe u bindemi atyre ka rëndësi për gjithë përjetësinë, pasi ajo zbulon gjendjen e vërtetë dhe realitetin e besimit tonë.
Asnjë shumicë veprash të dukshme fetare dhe asnjë numër fjalësh fetare nuk do të jenë në gjendje për ta mbuluar sjelljen tonë private përpara Perëndisë. Pali thotë se prova reale e atyre që e thërrasin emrin e Zotit — dhe meqë ra fjala, le të mos i shmangemi aspak kësaj kërkese serioze — është që ata të largohen “nga padrejtësia” (shih II Timoteut 2:19). Pikërisht këtu qëndron prova e besimit të vërtetë.
Edhe pse asnjëri nga ne nuk do të jetojë dot një jetë të përsosur, të gjithë jemi thirrur për të jetuar jetë të ndryshuara. Ne jetojmë nën sundimin e Krishtit si Zot; Fryma e Tij tani banon brenda nesh. A do të kemi sukses të plotë? Jo. Mirëpo do të jemi të ndryshëm dhe jeta jonë do të demonstrojë gjithnjë e më fort faktin që jemi kthyer “nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë” (I Selanikasve 1:9). Prandaj mendo për jetën tënde. A e quan Jezusin Zot? Mirë! Por edhe më e rëndësishme se kjo është pyetja: A mund të tregosh prova në jetën tënde — në ato gjëra që nuk i bën dhe në ato që i bën, në tundimet me të cilat lufton dhe në virtytet që përpiqesh të arrish, si dhe në faljen që e kërkon vazhdimisht me pendim — se Ai është vërtet Zoti yt?
