“Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin
nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë
se do t’u bënte dhe nuk e bëri.” JONA 3:10
Bibla e bën të qartë se Perëndia është i pandryshueshëm. Megjithatë, Libri i Jonas pohon faktin që Ai mundet dhe realisht e ndryshon qëndrimin e Tij ndaj njerëzve, si dhe mënyrën se si i trajton ata. Si mund ta kuptojmë këtë kontradiktë të dukshme?
Këtë tension e dallojmë edhe në vende të tjera në Shkrim. Për shembull, në mënyrën se si e trajtoi mbretin Saul, Perëndia tha: “Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhrat e mia…” (I i Samuelit 15:11). Mirëpo vetëm disa vargje më pas na thuhet: “Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet” (v. 29). Duket sikur Perëndia pendohet për vendimin e Tij, por më pas na thuhet se Ai nuk pendohet.
Pavarësisht nga kjo nuk ekziston asnjë mospërputhje mes këtyre dy mënyrave të shprehjes. Kur thuhet se Perëndia nuk pendohet ose nuk e ndryshon mendjen e Tij, gjuha përshkruese është një ndihmë për këndvështrimin tonë të kufizuar njerëzor. E thënë thjesht, Sauli nuk ishte më ai burrë që ishte dikur. Ai ishte treguar vazhdimisht i pabindur dhe Perëndia reagoi ndaj asaj rrethane të ndryshuar në një mënyrë që ishte tërësisht në përputhje me karakterin e Tij. Në mënyrë të ngjashme, si reagim ndaj predikimit të Jonas, niniveasit e ndryshuan sjelljen e tyre — dhe kësaj here ndoqën drejtimin e kundërt: ata e e braktisën ligësinë. Perëndia është vazhdimisht kundër mëkatit dhe e favorizon pendimin dhe besimin; karakteri i Tij nuk ndryshon. Paralajmërimet e Tij kanë për qëllim ta shkundin rebelin dhe ta kthejnë atë në pendim — dhe nëse pendimi ndodh, atëherë Perëndia reagon në përputhje me të.
Vetëm për shkak se Perëndia reagon në këtë mënyrë, mëkatari që beson në Jezusin, mund ta dijë se është pranuar prej Tij. Për shkak se “Jezu Krishti është i njëjti dje dhe sot, dhe në shekujt e shekujve” (Hebrenjve 13:8), ne mund ta dimë se, kur vijmë me pendim dhe besim si prej fëmije, Perëndia na pranon me dhembshuri dhe mëshirë. Kjo është natyra e Tij dhe Ai nuk do të ndryshojë. Nga këndvështrimi ynë, mund të duket sikur Ai ka ndryshuar mendje — mirëpo Perëndia gjithmonë i qëndron besnik çdo fjale që Ai ka shqiptuar ndonjëherë. Në një botë që gjithmonë ndryshon dhe ku edhe më të mirët prej nesh nuk mund ta mbajnë dot gjithmonë fjalën, ky është vendi ku gjejmë një bazë të mirë për sigurinë dhe gëzimin tonë sot.
