“Dhe kur e pa gruan, Zoti pati dhembshuri për të dhe i tha: ‘Mos qaj!’. Dhe si u afrua, preku tabutin; dhe ata që po e mbartnin, qëndruan, dhe ai tha: ‘Djalosh, ty të them: çohu!’.” LUKA 7:13-14
Ardhja e mbretërisë së Perëndisë nuk u shpall nga fitoret dramatike dhe spektakulare mbi fuqitë dhe pushtetet e botës, por përmes diçkaje edhe më shumë transformuese: përmes dhembshurisë së madhe të Mbretit të saj.
Nëpër të gjitha tregimet e tyre për Jezusin, shkrimtarët e Ungjillit na e paraqesin takim pas takimi shfaqjen e dhembshurisë së pashoqe të Krishtit. Në këto ndodhi zbulohet fuqia e Krishtit ndërkohë që Ai tregon dhembshurinë e Tij. Për shembull, në kapitullin 7 të ungjillit të tij, Luka nxjerr në pah reagimin plot dhembshuri të Jezusit ndaj një vejushe të pikëlluar — një reagim ky që largon çdo dyshim në lidhje me madhështinë e Tij.
Gruaja në këtë pjesë të tregimit të Lukës kishte një nevojë reale. Bashkëshorti i saj kishte kohë që kishte vdekur dhe tani sapo i kishte vdekur edhe i biri. Në shoqërinë e lashtë të Lindjes së Mesme, kjo do të thoshte që ajo nuk kishte asnjë mjet mbrojtjeje dhe sigurimi për jetën. Ajo gjendej përballë një jete plot trishtim, vetmi dhe rrezik — dhe pastaj fundin e emrit të familjes së saj.
Mirëpo Jezusi hyri në pikëllimin e jetës së kësaj gruaje dhe “kur e pa gruan, Zoti pati dhembshuri për të dhe i tha: ‘Mos qaj!’”.
Gjithçka që u nevojit për ta nxitur dhembshurinë e Bariut tonë të mirë, ishte pamja e kësaj gruaje që po vajtonte. Në kuptimin e drejtpërdrejtë, fjala “dhembshuri” do të thotë “u trazua përbrenda” — ose siç themi, “iu bë një lëmsh në stomak”. Kur Jezusi, përmes të cilit dhe për të cilin u krijuan të gjitha gjërat, e sheh trishtimin dhe vajtimin në këtë botë të thyer, Ai e ndien atë. Ja ku kemi një Mbret që kujdeset nga thellësia e shpirtit.
Edhe më i bukur akoma është fakti që Jezusi e kishte fuqinë për ta plotësuar nevojën e kësaj gruaje, prandaj zgjodhi të bënte diçka që vetëm Ai mund ta bënte: ta kthente djalin e saj sërish në jetë. Megjithatë, nuk është se Ai thjesht e ktheu në jetë birin e vdekur të një nëne që po vajtonte, duke ia plotësuar kështu nevojën dhe duke ia pushuar vajin. Më e rëndësishmja ishte që Jezusi ia zbuloi Veten turmës (dhe neve!) në gjithë fuqinë, mirësinë dhe autoritetin e Tij — madje edhe autoritetin e Tij mbi vdekjen.
Skena të tilla na tregojnë se Jezusi nuk mjaftohet vetëm me një koment ose me një të qarë për sëmundjen dhe vdekjen, këta armiq të mëdhenj të njerëzimit. Ai i mposht ata. Ai i dëgjon thirrjet e të pikëlluarve dhe ballafaqohet me sëmundjen dhe vdekjen, jo vetëm në kuptimin tokësor dhe të përkohshëm, por edhe në një mënyrë përfundimtare, të përsosur dhe të përjetshme, duke ofruar Veten e Tij si mjetin e shpëtimit për të gjithë ata që besojnë.
Mbreti yt nuk është vetëm pafundësisht i pushtetshëm; Ai është edhe pafundësisht i dhembshur. Kombinimi i këtyre dy cilësive në Jezusin është i mjaftueshëm për të të kaluar përmes çdo trishtimi dhe vajtimi në këtë botë, derisa të qëndrosh në praninë e Tij dhe Ai të fshijë çdo lot nga sytë e tu.
