HYRJE

Një ballafaqim me shenjtërinë e Perëndisë është gjithmonë përjetim traumatizues. Përgjatë Shkrimit, kur njerëzit takojnë Perëndinë, ata dridhen para Tij. Në këtë mësim, Dr. Sproul përshkruan çfarë i ndodhi Isaias si reagim i vizionit të tij dhe demonstron se si kjo përputhet me modelin biblik të reagimit njerëzor ndaj pranisë së Perëndisë.

SYNIMET E TË NXËNIT

Kur ta keni përfunduar këtë mësim duhet të jeni në gjendje të:

Kuptoni pse Dr. Sproul përdor shprehjen “trauma e shenjtërisë”

Përvijoni modelin biblik se si reagojnë njerëzit, kur përballen me Perëndinë

Shpjegoni kategoritë parësore të orakujve profetikë duke përdorur shembuj

Dalloni hirin transformues të Perëndisë në jetën e Isaias

IDETË KYÇ

Shenjtëria e Perëndisë është traumatizuese për njerëzit e pashenjtë.

Modeli i reagimeve njerëzore ndaj pranisë së Perëndisë në Shkrim sugjeron që sa më i drejtë të jetë dikush, aq më tepër dridhet para një Perëndie të shenjtë.

Orakulli i parë që shqiptoi Isaia si profet kur u takua me Perëndinë ishte një orakull mjerimi—mbi veten e tij.

Kur takojmë një Perëndi të shenjtë, përballemi me mëkatshmërinë tonë, por gjithashtu mund të përballemi edhe me hirin e Tij.

PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI

Çfarë mendoni?

Kaloni disa minuta për t’ju përgjigjur pyetjeve të mëposhtme. Ato do t’ju përgatisin për leksionin.

A ka ndonjë gjë rreth portretizimit biblik të Perëndisë, të cilën nuk ndiheni rehat ta ndani me të tjerët apo ende nuk e kuptoni vetë?

Si do ta përshkruanit atë që përjetoi Isaia, kur u ballafaqua për herë të parë me shenjtërinë e Perëndisë tek Isaia 6?

  Shenjtëria e Perëndisë

Leximi i Shkrimit

Atëherë Jobi iu përgjigj ZOTIT dhe tha: «E pranoj që mund të bësh gjithçka dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet. Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja. Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh. Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty, por tani syri im të sheh. Prandaj ndiej neveri ndaj vetes dhe pendohem në pluhur dhe hir.»—Jobi 42:1–6

Si mendoni se u ndje Jobi bazuar te reagimi i tij ndaj Zotit, pasi Ai iu shfaq në mes të stuhisë (shihni Jobi 38:1-3)?

Përgjigjuni pyetjeve të mëposhtme ndërsa ndiqni videon. Ato do t`ju drejtojnë përgjatë leksionit.

Modeli biblik                                                                                          0:00–13:00

Pse shumë njerëz priren ta zbutin portretin biblik të Perëndisë?

Si e përshkroi Habakuku reagimin e tij ndaj pranisë së Perëndisë?

Cilat janë dy kategori kryesore të orakujve profetikë, të cilat i përshkruan Dr. Sproul? Jepni një shembull për secilën.

Një standard i shenjtë                                                                       13:00–31:24

Çfarë shtyhemi të bëjmë në mënyrë të natyrshme në praninë e Perëndisë?

Çfarë arsyeje jep Dr. Sproul për faktin se jemi rehat me papërsosmëritë tona?

Pse shqetësimi parësor i Isaias ishte për “buzët e papastra”?

Pas videos

Përgjigjuni pyetjeve të mëposhtme, pasi ta keni përfunduar leksionin. Ato do t’ju ndihmojnë të identifikoni dhe të përmblidhni pikat kryesore.                                                                                                 

Çfarë është domethënëse rreth orakullit të parë të Isaias si profet i Izraelit? Çfarë vë në pah kjo rreth kuptimit që Isaia kishte për veten e tij?

Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve që të lexojnë Luka 18:9-14. Si ngjason lutja e tagrambledhësit me orakullin e parë të Isaias? Çfarë ju tregon kjo rreth natyrës së besimit shpëtues?

Isaia nuk u pastrua pa pendim. Çfarë tha Isaia pas orakullit të mjerimit? Çfarë ju tregon kjo rreth natyrës së jetës së krishterë?

Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve që të lexojnë 1 e Timoteut 1:12-16. Pali e përshkruan veten si kreu i mëkatarëve. A e besonte vërtet këtë gjë apo thjesht po përdorte hiperbolë? A duhet që të krishterët, ashtu si Pali, të presin të kenë një vetëdije në rritje rreth mëkatit përgjatë jetës së tyre?

Në këtë mësim, Dr. Sproul përshkruan një qëndrim dhe justifikim mbizotërues ndaj mëkatit: “Askush nuk është i përsosur.” Si do t’ja shpjegonit dikujt se Perëndia nuk gjykon sipas këtyre standardeve? Çfarë pjesë të Shkrimit do të përdorje?

Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve të diskutojnë përgjigjet e tyre për mënyrën se si do t’i shpjegonin dikujt se Perëndia gjykon vetëm sipas standardit të Tij të drejtësisë.

LUTJE

Vuloseni me lutje atë që keni mësuar prej Fjalës së Perëndisë gjatë këtij mësimi.

Lavdëroni Perëndinë për gjykimin e Tij të drejtë dhe të shenjtë.

Rrëfeni mëkatet e gjuhës, me të cilat përlesheni më tepër.

Falënderoni Perëndinë për gatishmërinë e Tij për t’i falur dhe përdorur mëkatarët e përulur.

Kërkojini Perëndisë që ta përdorë për lavdinë e Tij përjetimin tuaj të mëshirës së Tij të madhe.

Comments are closed.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}