Kapitulli 42: Përlëvdimi (Marrja e trupit të ringjallur)

Përlëvdimi (Marrja e Një Trupi të Ringjallur)

Kur do të marrim trupa të ringjallur? Si do të jenë ato?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Kur Krishti na shpengoi, Ai nuk është se shpengoi vetëm frymën tonë (apo shpirtin tonë)—Ai na shpengoi tërësisht si persona, dhe kjo përfshin shpengimin e trupave tanë. Për rrjedhojë, zbatimi i veprës së shpengimit të Krishtit ndaj nesh, nuk do të përmbushet derisa trupat tanë të jenë çliruar plotësisht nga efektet e rënies e të sillen në gjendjen e përsosmërisë për të cilën Perëndia i krijoi. Në fakt, shpengimi i trupave tanë do të ndodhë vetëm kur Krishti të kthehet e t’i ngjallë prej së vdekuri trupat tanë. Por sa për tani, Pali thotë se ne presim për “shpengimin e trupit tonë,” dhe pastaj shton: “Sepse me shpresë ne shpëtuam” (Rom. 8:23–24). Faza në zbatimin e shpengimit kur ne marrim trupa të ringjallur, është quajtur përlëvdim. Duke iu referuar asaj dite të ardhshme, Pali thotë se ne do të jemi të “përlëvduar bashkë” me Të (Rom. 8:17). Për më tepër, kur Pali gjurmon hapat në zbatimin e shpengimit, i fundit që ai përmend është përlëvdimi: “Por ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirri, ata ai edhe i drejtësoi; dhe ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi” (Rom. 8:30).

Dita kur ne të jemi të përlëvduar, do të jetë një ditë me fitore të madhe për shkak se në atë ditë, armiku i fundit, vdekja, do të shkatërrohet, pikërisht ashtu sikurse Shkrimi e parashikon: “Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja” (1 Kor. 15:25–26). Në kontekstin e një diskutimi të ringjalljes së trupave tanë kur Krishti të kthehet, Pali thotë: “Atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: "Vdekja u përpi nga fitorja". O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (1 Kor. 15:54–55). Kur trupat tanë të jenë ringjallur, ne do të përjetojmë një fitore të plotë mbi vdekjen e cila erdhi si rezultat i rënies së Adamit dhe Evës. Atëherë shpengimi ynë do të jetë i plotë.

Për rrjedhojë, ne mund ta përkufizojmë përlëvdimin si vijon: Përlëvdimi është hapi i fundit në zbatimin e shpengimit. Ai do të ndodhë kur Krishti të kthehet e të ringjallë nga të vdekurit trupat e të tërë besimtarëve të të gjitha kohërave të cilët kanë vdekur, dhe i bashkon ata me shpirtin e tyre, dhe i ndryshon trupat e të tërë besimtarëve që mbeten gjallë, e për rrjedhojë u jep të tërë besimtarëve në të njëjtën kohë, trupa të përsosur ringjalljeje si ai i Tiji.

A. Prova nga Besëlidhja e Re për Përlëvdimin

Pasazhi kryesor i Besëlidhjes së Re mbi përlëvdimin apo ringjalljen e trupit, është “1 Korintasve” 15:12–58. Pali thotë: “kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij” (vgj. 22–23).[209]1 Pali diskuton natyrën e trupit të ringjalljes deri diku me hollësi në vargjet 35–50, të cilat ne do t’i shqyrtojmë në seksionin C më poshtë. Pastaj ai e përmbyll pasazhin duke thënë se jo të tërë të krishterët do të vdesin, por për një pjesë që do mbetet gjallë kur Krishti të kthehet, trupi i tyre thjesht do të shndërrohet në çast në një trup të ri të ringjallur, i cili nuk mund të plaket apo dobësohet, e që nuk mund të vdesë kurrë:

Ja, po ju them një mister: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi, në një çast, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e borisë së fundit; sepse do të bjerë boria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi. (1 Kor. 15:51–52)

Pali shpjegon më tej tek “1 Thesalonikasve” që shpirtrat e atyre të cilët kanë vdekur e që kanë shkuar për të qenë me Krishtin, do të kthehen e do të bashkohen me trupat e tyre në atë ditë, sepse Krishti do t’i sjellë ata me Vete: “Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, kështu edhe Perëndia ata që kanë fjetur në Jezusin do t'i sjellë bashkë me të” (1 Thes. 4:14). Por këtu Pali pohon jo vetëm se Perëndia do të sjellë me Krishtin ata të cilët kanë vdekur; Ai gjithashtu pohon se “të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët” (1 Thes. 4:16). Kështu, këta besimtarë të cilët kanë vdekur me Krishtin gjithashtu janë ngritur për të takuar Krishtin (Pali thotë tek v. 17 se “ne... do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë me ata, për të dalë përpara Zotit në ajër”). Kjo ka kuptim vetëm nëse është shpirti i besimtarëve të cilët kanë shkuar në praninë e Krishtit e ai që kthehen me Të, dhe nëse janë trupat e tyre ato që ringjallen prej së vdekurish për t’u bashkuar me shpirtin e tyre e pastaj për t’u ngjitur për të qenë me Krishtin.

Përveç këtyre pasazheve tek “1 Korintasve” 15 dhe “1 Thesalonikasve” 4, ka një sërë pasazhesh të tjera të Besëlidhjes së Re të cilat pohojnë realitetin e doktrinës së përlëvdimit. Jezusi thotë: “Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e gjyqit” (Gjoni 5:28–29).[210]2 Jezusi thotë gjithashtu: “Por ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë prej të gjithave që ai më ka dhënë, por t'i ringjall në ditën e fundit. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme; dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit” (Gjoni 6:39–40; kr. vgj. 44, 54).

Pali thotë: “Ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Rom. 8:11; kr. 2 Kor. 5:1–10). Ai e kupton se të krishterët duhet të jetojnë në një pritshmëri të zellshme të kthimit të Krishtit si dhe për ndryshimin në trupin tonë që të jetë si trupi i Tij i përsosur. Ai thotë: “Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim me durim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i një forme me trupin e tij të lavdisë, sipas veprueshmërisë së tij që t'i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” (Fil. 3:20–21).

B. Mbështetje nga Besëlidhja e Vjetër për Përlëvdimin

Nganjëherë, njerëzit kanë pretenduar se Besëlidhja e Vjetër ka pak në mos aspak prova të shpresës në një ringjallje të ardhshme të trupit, por në fakt ka më shumë prova nga Besëlidhja e Vjetër për këtë nga sa ne mund të kuptojmë. Së pari, edhe përpara se Jezusi të ringjallej prej së vdekuri, Besëlidhja e Re lë të kuptohet se shumë judenj që jetonin në kohën e Krishtit, kishin ca shpresë për një ringjallje të ardhme të trupit. Kur Jezusi vjen në shtëpinë e Llazarit pasi ky i fundit kishte vdekur dhe i thotë Martës: “Yt vëlla do të ringjallet,” Marta i përgjigjet: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit” (Gjoni 11:23–24). Për më tepër, kur Pali ishte përpara gjyqit, ai i tha Feliksit se kishte një “shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, [akuzuesit e tij judenj] se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve” (Veprat 24:15).

Sa për besimin e atyre që jetonin në kohën e Besëlidhjes së Vjetër, “Hebrenjve” 11 na thotë se Abrahami “priste qytetin, që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia” (Heb. 11:10). Ne lexojmë gjithashtu se shumë shenjtorë të Besëlidhjes së Vjetër “Të gjithë ata vdiqën në besim, pa marrë premtimet, por i panë ato për së largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato, duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.... Por tani dëshirojnë një më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp për ta të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.” (Heb. 11:13–16). Autori madje thotë se Abrahami “llogariti se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish” (Heb. 11:19).

Kur ne shikojmë mësimet aktuale të vetë Besëlidhjes së Vjetër, gjejmë shenja që tregojnë se autorët e Besëlidhjes së Vjetër kishin një pritshmëri të fortë për ringjalljen që do të ndodhte në të ardhmen. Jobi thotë: “Por unë e di që Shpengimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin dhe jo një tjetër” (Jobi 19:25–27). [211]3

Tek “Psalmet” lexojmë: “Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë” (Ps. 49:15; kr. 73:24–25). Dhe lexojmë tek “F. e Urta”: “Mos ia kurse ndreqjen fëmijës.... do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli” (F. e Urta 23:13–14). Isaia thotë: “Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time do të ringjallen” (Isa. 26:19). Danieli ka një profeci shumë të shkoqur se “Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme” (Dan. 12:2). (kr. gjithashtu vizioni i Ezekielit për eshtrat e thara tek “Ezek.” 37:1–14.)

Edhe pse besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër padyshim që nuk kishin edhe aq detaje rreth natyrës së ringjalljes apo mënyrës se si ajo do të realizohej përmes ringjalljes së Mesisë, dhe paçka se ata nuk kishin një bazë aq të qartë për të patur bindje të fortë për ringjalljen sikurse ne kemi në ngjarjen aktuale të ringjalljes trupore të Krishtit, gjithsesi, padyshim që ashtu sikurse e kemi parë, kishte një pritshmëri për një ditë të ardhshme të ringjalljes trupore. Njerëzit të cilët për vite me radhë kishin medituar si dhe kishin besuar se këto deklarata të Shkrimit (si për shembull ajo e Martës tek “Gjoni” 11:24) qenë përgatitur për të marrë mësimin e zhvilluar plotësisht të Besëlidhjes së Re mbi ringjalljen me shumë zell, sepse ai thjesht siguronte më shumë detaje dhe më shumë siguri për atë që ata e besonin tashmë.

C. Si do të jenë trupat tanë të ringjallur?

Nëse Krishti do t’i ringjallë trupat tanë kur të kthehet, dhe nëse trupat tanë do të jenë si trupi i Tij i ringjallur (1 Kor. 15:20, 23, 49; Fil. 3:21), atëherë, si do të jenë trupat tanë të ringjallur?

Duke përdorur shembullin e mbjelljes së një fare në tokë e pastaj shikimin e saj se si kthehet në diçka shumë më të mrekullueshme, Pali vazhdon që të shpjegojë në më tepër detaje se si do të jenë trupat tanë të ringjallur:

Mbillet në prishje, ringjallet në paprishje; mbillet në çnderim, ringjallet në lavdi; mbillet në dobësi, ringjallet në fuqi; mbillet trup natyror, ringjallet trup frymëror.... Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit. (1 Kor. 15:42–44, 49)

Fakti që trupat tanë të rinj do të jenë të “paprishshëm” do të thotë se ata nuk do të dëmtohen apo plaken apo se do të jenë ndonjëherë subjekt i ndonjë lloj sëmundjeje apo lëngate. Ata do të jenë tërësisht të shëndetshëm e të fortë përgjithnjë. Për më tepër, përderisa procesi gradual i plakjes është pjesë e procesit përmes të cilit trupat tanë janë subjekt i “prishjes,” është e përshtatshme që të mendojmë se trupat tonë të ringjallur, nuk do të kenë shenja plakjeje, por do të kenë përgjithnjë karakteristikat e një burri apo gruaje në moshë madhore. Nuk do të ketë shenja sëmundjeje apo dëmtimi, sepse gjithçka do të bëhet e përsosur.[212]4 Trupat tanë të ringjallur do të tregojnë plotësimit e mençurisë së përsosur të Perëndisë në krijimin tonë si qenie njerëzore që janë kurora e krijimit që Ai bëri si dhe mbartësit e përshtatshëm të ngjashmërisë dhe imazhit të Tij. Në këto trupa të ringjallur ne do të shikojmë në mënyrë të qartë njerëzimin ashtu sikurse Perëndia synonte që të ishte.

Pali thotë gjithashtu se trupat tanë do të ringjallen “në lavdi.” Kur ky term vihet përballë termit “çnderim,” ashtu sikurse bëhet këtu, nxirret në pah një bukuri tërheqëse të pamjes së jashtme që trupat tanë do të kenë. Ata nuk do jenë më të “çnderuar” apo jo tërheqës, por do të duken “të lavdishëm” në bukurinë e tyre. Për më tepër, për shkak se fjala “lavdi” është përdorur shpesh herë në Shkrime për vezullimin e shkëlqyer që rrethon praninë e Perëndisë Vetë, ky term sugjeron se do të ketë gjithashtu një lloj drite apo rrezatimi që do të rrethojë trupat tanë që do të jetë një provë e përshtatshme e jashtme e pozitës së përlartësimit dhe sundimit mbi të tërë krijimin që Perëndia na ka dhënë. Kjo gjë sugjerohet gjithashtu tek “Mateu” 13:43, ku Jezusi thotë: “Atëherë të drejtët do të ndriçojnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre.” Në mënyrë të ngjashme, lexojmë në vizionin e Danielit: “Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë” (Dan. 12:3, në një pasazh që bën fjalë për ringjalljen përfundimtare). Tani, të dyja këto deklarata ka mundësi që të merren me një kuptim metaforik, dhe nëse ndodh kështu, ato nuk do të tregonin se një ndriçim apo rrezatim aktual do të rrethojë trupat tanë të ringjallur. Por nuk ka arsye në kontekstin e asnjë prej tyre që do të na bënte t’i shikonim si metaforike, dhe pjesët e tjera të provave argumentojnë kundër bërjes së kësaj. Grimat e vogla të epokës që do të vijë që u panë në shkëlqimin e lavdisë së Perëndisë nga fytyra e Moisiut (Eks. 34:35), dhe në një mënyrë shumë më të madhe, drita e shndritshme që shkëlqeu nga Jezusi në shndërrimin e Tij (Mat. 17:2), bashkë me faktin që ne do t’i përngjajmë Krishtit e se do të jemi si Ai (1 Kor. 15:49), ndërthuren duke na treguar se faktikisht do të ketë një ndriçim apo rrezatim që na rrethon kur jemi në trupat tanë të ringjallur.[213]5

Trupat tanë do të ngjallen “në fuqi” (1 Kor. 15:43). Kjo bie ndesh me “dobësinë” të cilën shikojmë në trupat tanë tani. Trupat tanë të ringjallur, jo vetëm që do të jenë pa sëmundje dhe plakje, por atyre do t’u jepet plotësi force dhe fuqie, jo fuqi të pafundme si Perëndia, sigurisht, dhe me shumë mundësi jo ajo që ne do të mendonim si një fuqi “mbinjerëzore” në kuptimin që kanë “superheronjtë” në shkrimet fantastiko-shkencore për fëmijë, për shembull, por gjithsesi me fuqi dhe forcë të plotë njerëzore, me forcën që Perëndia synonte që njerëzit të kishin në trupat e tyre kur Ai i krijoi. Për rrjedhojë, do të jetë forcë e cila është e mjaftueshme për të bërë gjithçka që ne dëshirojmë të bëjmë në përputhje me vullnetin e Perëndisë.

Si përfundim, Pali thotë se trupi është ringjallur si një “trup frymëror” (1 Kor. 15:44). Në letrat e Palit, fjala “frymëror” (Gr. πνευματικός, G4461) rrallë herë ka kuptimin “jo fizik” por më tepër “e përputhshme me karakterin dhe veprimtarinë e Frymës së Shenjtë” (shiko për shembull, “Rom.” 1:11; 7:14; “1 Kor.” 2:13, 15; 3:1; 14:37; “Gal.” 6:1 [“ju që jeni frymërorë”]; Efe. 5:19). Përkthimi i versioni anglisht të Biblës të titulluar [214]RSV, “Mbillet trup fizik, ngjallet trup frymëror,” të çon në drejtim të gabuar,[215]6 dhe një parafrazim më i qartë do të ishte: “Është mbjellë një trup natyror që është subjekt i karakteristikave dhe dëshirave të kësaj epoke, e që drejtohet nga vullneti i vet mëkatar, por është ngritur një trup frymëror, tërësisht subjekt i vullnetit të Frymës së Shenjtë si dhe reagues ndaj udhëzimit të Frymës së Shenjtë.” Një trup i tillë nuk është aspak “jofizik,” por është një trup fizik i ngritur deri në shkallën e përsosmërisë për të cilën Perëndia fillimisht e krijoi.

Si përfundim, kur Krishti të kthehet, Ai do të na japë trupa të rinj të ringjallur të cilët do të jenë si trupi i Tij i ringjallur. “Kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të” (1 Gjonit 3:2; kjo deklaratë vlen të thuhet jo vetëm në një kuptim etik, por gjithashtu në lidhje me trupat tanë fizikë; kr. “1 Kor.” 15:49; gjithashtu “Rom.” 8:29).

Pavarësisht këtij theksi të fortë që Besëlidhja e Re i bën ngjashmërisë mes trupave tanë si dhe trupit të Jezusit pas ringjalljes, disa kanë kundërshtuar duke thënë se ne nuk do të kemi trupa fizikë për shkak se Pali thotë se asnjë: “Mish dhe gjak nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen” (1 Kor. 15:50). Ky është pikërisht ai seksion në të cilin ai ka qenë duke diskutuar ringjalljen e të vdekurve. Por padyshim që është keqkuptim të thuash se ky varg nënkupton se ne nuk do të kemi trupa fizikë. Kur Pali thotë: “mish dhe gjak nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë,” ajo që ai nënkuptonte me “mish dhe gjak” është natyra jonë e tanishme njerëzore veçanërisht trupat tanë fizikë, ashtu sikurse ato po ekzistojnë tani në ngjashmëri me Adamin pas rënies—d.m.th. duke qenë subjekt i dobësisë, prishjes, dhe vdekjes si përfundim. Kjo është pika që ai ka ngritur në katër vargjet e mëparshme (1 Kor. 15:45–49), në të cilat ai ka vënë në krahasim Adamin me Krishtin. Ai shpjegon: “Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët” (d.m.th. ne vetë, në këto kohë të tanishme, 1 Kor. 15:48). Pastaj ai shpjegon: “Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit” (1 Kor. 15:49). Me “mish dhe gjak” këtu Pali nënkupton “mishin dhe gjakun në gjendjen e tanishme të ekzistencës me një trup si ai i Adamit pas rënies, një trup i cili është subjekt i kalbjes dhe vdekjes.” Ai nuk nënkupton që ne do të ekzistojmë në një gjendje jofizike, sepse i tërë qielli dhe toka do të bëhen të reja e do të përtëriten për ne që të jetojmë në to (Rom. 8:18–25), dhe ne vetë “të gjithë do të shndërrohemi, në një çast, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e borisë së fundit” (1 Kor. 15:51–52). Ne nuk do të reshtim së ekzistuara në trupa fizikë, por do të ndryshohemi dhe do të kemi një trup të paprishshëm, “sepse kjo prishje duhet të veshë mosprishjen dhe e vdekshmja të veshë pavdekësinë” (1 Kor. 15:53).

Për më tepër, rastet e përsëritura në të cilat Jezusi u demonstroi dishepujve se kishte një trup fizik i cili mund të prekej, që kishte mish dhe kocka (Luka 24:39), e që mund të hante ushqim, tregon se trupi i Jezusit, i cili është modeli ynë, qe padyshim një trup fizik i cili qe bërë i përsosur.[216]7

Çfarë lloj vazhdimësie do të ketë mes trupave tanë të tanishëm si dhe trupave të ardhshëm të ringjallur? A do të duken ekzaktësisht njëlloj trupat tanë e a do të kenë ekzaktësisht të njëjtat karakteristika, apo ato do të jenë disi ose pothuajse tërësisht ndryshe? Për më tepër, a do të bëhen trupat tanë të ringjallur prej të njëjtave molekula prej të cilave përbëhen trupat tanë tokësorë, apo ata do të jenë një krijim tërësisht i ri nga Perëndia, ose ndoshta do të jenë një kombinim i të vjetrës me të renë?

Ka një sërë pasazhesh të cilat të lënë të kuptosh që Pali priste një vazhdimësi të konsiderueshme mes trupave tanë të tanishëm tokësor si dhe trupave tanë të ardhshëm të ringjallur. Pali tha: “ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Rom. 8:11). Ai tha se Jezusi “do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i një forme me trupin e tij të lavdisë” (Fil. 3:21). Dhe kur Pali foli për natyrën e trupit të ringjallur, ai dha një shembull të një fare të mbjellë në tokë: “Dhe çfarë ti mbjell, nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga gruri ose ndonjë farë tjetër. Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë, trupin e vet” (1 Kor. 15:37–38). Në këtë shembull, ai bazohet tek njohuria e përgjithshme njerëzore se ka dallime mes asaj që mbillet e asaj që rritet (vgj. 42–44), por ka gjithashtu vazhdimësi—ashtu sikurse një farë rritet e kthehet në një bimë më të madhe, duke e ruajtur lëndën në të cilën qe por duke përvetësuar materiale të tjera nga toka gjithashtu, po kështu edhe ne do të kemi vazhdimësi dhe ndryshime gjithashtu. Mbi këtë analogji, ne mund të themi se pavarësisht asaj që mbetet në varr nga trupat tanë fizikë, ajo do të merret nga Perëndia dhe do të transformohet e përdoret për të bërë një trup të ri të ringjallur. Por detajet se si kjo gjë do të ndodhë, mbeten të paqarta për ne përderisa Shkrimi nuk na i specifikon, ne duhet ta pohojmë këtë për shkak se Shkrimi na e mëson, edhe pse ne nuk mund ta shpjegojmë plotësisht se si kjo mund të ndodhë.[217]8

Një tregues tjetër i një vazhdimësie të konsiderueshme mes trupave tanë të tanishëm si dhe trupave që do të kemi në të ardhmen, shikohet në faktin se ata besimtarë të cilët mbeten gjallë në ditën e Krishtit, do të “ndryshohen—megjithëkëtë, trupat e tyre nuk do të zëvendësohen: “Të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi, në një çast, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e borisë së fundit; sepse do të bjerë boria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse kjo prishje duhet të veshë mosprishjen dhe e vdekshmja të veshë pavdekësinë” (1 Kor. 15:51–53).

Ne duhet që gjithashtu të vërejmë qartësisht se trupi i ringjallur i Krishtit Vetë, paçka se ndryshonte disi nga trupi që Ai kishte përpara se të vdiste, aq sa dishepujt nuk e njohën menjëherë në çdo situatë, ishte mjaft i ngjashëm në pamjen e jashtme aq sa dishepujt nuk kalonte shumë kohë dhe e njihnin se kush ishte. Kishte disa raste kur ata nuk është se e njohën menjëherë, por kjo pjesërisht mund të shpjegohet nga fakti që gjatë jetës dhe shërbesës së Tij tokësore, Ai padyshim qe rritur mjaft në moshë, përderisa Ai qe “njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes” (Isa. 53:3). Pas ringjalljes së Tij, Jezusi do të qe kthyer në një forcë të plotë e të përsosur si dhe rini në pamjen e jashtme. Ashtu sikurse ne nganjëherë nuk e njohim aty për aty një shok a shoqe të hershëm kur është plakur ndjeshëm që prej kohës së fundit që e kemi parë, po kështu edhe dishepujt, mund të kenë patur disa vështirësi fillestare në njohjen e Krishtit për shkak se e kundërta e plakjes kishte ndodhur.[218]9 Nga ana tjetër, një vazhdimësi e konsiderueshme mes trupit të Jezusit përpara dhe pas ringjalljes, shikohet në faktin se edhe gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij, si dhe plaga në anë të Tij, ishin ende në trupin e Tij të ringjallur (Gjoni 20:20, 27).

Një tjetër provë që nënkupton vazhdimësinë mes trupave tanë tokësorë dhe qiellorë, është fakti se është e qartë që njerëzit do ta dallojnë e njohin njëri tjetrin në qiell. Jezusi thotë se njerëzit do të vijnë nga lindja dhe perëndimi, dhe “do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve” (Mat. 8:11). Për më tepër, Elija i cili qe marrë në qiell në trupin e tij tokësor, ishte njëfarësoj i njohshëm për dishepujt në Malin e Ndryshimit (të pamjes së Jezusit) (Luka 9:30, 33)—sigurisht, dishepujt nuk e kishin njohur personalisht as Elijën e as Moisiun, por njëfarësoj këta njerëz i ruajtën identitetet e tyre personale në një mënyrë të atillë që dishepujt besonin se atje ishin pikërisht këta dhe se ishin po aq realë sa edhe Jezusi (shiko Luka 9:33). Si përfundim, “Mateu” na thotë se kur Jezusi vdiq, “varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën; dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt” (Mat. 27:52–53). Fakti që trupat aktualë të këtyre njerëzve qenë ringjallur, si dhe fakti që ato iu shfaqën shumëkujt në Jerusalem, tregon përsëri se kishte njëfarë vazhdimësie mes trupave të tyre të vdekur që ishin në varr si dhe trupave me të cilët qenë ringjallur. Përderisa ata dolën nga varret “mbas ringjalljes së Jezusit”, ne mund të supozojmë se edhe këta ishin shenjtorë të cilët kishin marrë trupa të ringjallur si një lloj parashijimi i ditës së fundit të përlëvdimit kur Krishti të kthehet.[219]10 Fakti që këta njerëz “iu shfaqën shumëkujt” sugjeron se ata ishin të njohshëm e se njerëzit e dinin se kush ata ishin. Përsëri, prova në fjalë është e hamendësuar e jo përfundimtare, e megjithëkëtë, ajo tregon për nga drejtimi i vazhdimësisë mes trupit që ekzistonte përpara ringjalljes, si dhe atij që ekzistonte pas tij.

Sot ka një farë ngurrimi nga ana e shumë ungjillorëve për të pohuar qartësisht se do të ketë një “ringjallje të trupit,” apo të paktën se trupi që është ringjallur do të jetë një trup material, fizik që në një farë mënyrë është në vazhdimësi me trupin që u vu në varr. Deri diku, kjo mund të jetë për shkak të një sensi paaftësie për të kuptuar mënyrën se si Perëndia mund të ngjallte disa trupa nga varret, veçanërisht kur disa prej këtyre trupave kishin kaq shumë shekuj që kishin vdekur. Megjithëkëtë, një pjesë e këtij ngurrimi vjen gjithashtu në sajë të skepticizmit të vazhdueshëm të jobesimtarëve të cilët e sfidojnë pikëpamjen e krishterë me ekzaktësisht ato lloje problemesh të sapo parashtruara—a nuk duket kjo gjë si një pozitë fantastike dhe e pabesueshme? Si mund ta bënte Perëndia një gjë të tillë?

Në të dy rastet—edhe kur ky ngurrim vjen ose nga pyetjet e sinqerta të besimtarët apo nga skepticizmi armiqësor i jobesimtarit—ne duhet të kuptojmë se paaftësia jonë për të kuptuar apo shpjeguar diçka, nuk duhet të jetë kurrë arsye për refuzimin e saj po qe se ajo jepet mësim në mënyrë të qartë në Shkrim. Pasazhet e shumtë të cituar më lart, nënkuptojnë që Perëndia do të ngjallë trupat tanë vdekatarë nga varri, ashtu sikurse Ai ngjalli trupin e Jezusit nga varri, tregon disi në mënyrë përfundimtare se do të ketë një vazhdimësi të qartë mes trupave tanë të tanishëm si dhe trupave që do të kemi kur të ringjallemi dhe nëse kjo është ajo që Shkrimi na mëson, atëherë, edhe pse ne mund të mos e kuptojmë ekzaktësisht se si Perëndia do ta shkaktojë këtë në çdo rast, ne ende duhet ta besojmë. Perëndia i Cili krijoi universin e që krijoi secilin prej nesh, e i Cili sundon me sovranitet mbi çdo pjesë të krijimit në çdo moment, e që kryen gjithçka me fjalën e fuqisë së Tij, padyshim që mundet të gjurmojë pjesët e trupave tanë fizikë të cilët Ai dëshiron t’i ruajë e t’i përdorë si “farë” nga e cila do të bëhen trupat e rinj.

Është e rëndësishme të këmbëngulim në ringjalljen e një trupi real, fizik, jo vetëm për arsyet e mësipërme, por gjithashtu për shkak se kjo siguron një pohim të qartë të mirësisë së krijimit fizik që Perëndia bëri. Ne do të jetojmë në trupa të cilat kanë të tëra cilësitë e shkëlqyera që Perëndia na krijoi të kishim dhe për rrjedhojë ne do të jemi përgjithnjë provë e gjallë e mençurisë së Perëndisë në bërjen e një krijimi material i cili që prej fillimit ishte “shumë i mirë” (Zan. 1:31). Ne do të jetojmë si besimtarë të ringjallur në ato trupa të rinj, dhe ato do të jenë të përshtatshëm për banimin në “qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia” (2 Pjetrit 3:13).

D. I tërë krijimi do të ripërtërihet gjithashtu

Kur Adami mëkatoi, Perëndia e mallkoi tokën për shkak të tij (Zan. 3:17–19), kështu që ajo do të prodhonte gjemba dhe bimë gjembore do të nxirrte ushqim të dobishëm për njerëzimin vetëm përmes një pune të lodhshme nga ana e tyre. Por, Pali thotë se “vetë krijesa (do) të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Rom. 8:21). Ai shpjegon se kjo do të ndodhë kur ne të marrim trupat tanë të ringjallur. Në fakt, ai thotë se krijimi është njëfarësoj duke pritur me zell të madh për atë ditë: “Sepse dëshira e madhe e krijesës pret me durim zbulimin e bijve të Perëndisë.... Sepse e dimë se deri tani mbarë krijesa psherëtin bashkë dhe ndodhet bashkë në dhimbjet e lindjes. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytin e parë të Frymës, psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me durim birërimin, shpengimin e trupit tonë” (Rom. 8:19, 22–23). Në këtë krijim të ripërtërirë, nuk do të ketë më gjemba dhe bimë gjembore, nuk do të ketë më përmbytje apo thatësira, as shkretëtira apo xhungla të pabanueshme, as tërmete apo tornado, as gjarpërinj helmues apo bletë që thumbojnë apo kërpudha të cilat vrasin. Do të ketë një tokë produktive, një tokë e cila do të lulëzojë dhe që do të prodhojë një ushqim të përshtatshëm për shijen tonë. (Shiko kapitullin 57 për një diskutim të mëtejshëm të tokës së ripërtërirë.)

E. Të vdekurit jobesimtarë do të ringjallen për ditën e gjykimit të gjykimit përfundimtar

Paçka se theksi i Shkrimit bie mbi faktin që besimtarët do të përjetojnë një ringjallje trupore, ka disa pasazhe të cilat deklarojnë se jobesimtarët do të ringjallen gjithashtu prej së vdekurish, por që ata do të përballen me gjykimin përfundimtar në kohën që do të ringjallen. Jezusi na mëson në mënyrë të qartë se “ata që kanë bërë të liga” do të dalin “në ringjalljen e gjyqit” (Gjoni 5:29); Pali tha gjithashtu se ai besonte “se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve” (Veprat 24:15; kr. Mat. 25:31–46; Dan. 12:2). (Shiko kapitullin 56 për një diskutim të mëtejshëm për gjykimin përfundimtar të jobesimtarëve.)

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Pali thotë se pritshmëria e një ringjallje të ardhshme trupore është “shpresa” në të cilën ne u shpëtuam (Rom. 8:24). A është shpresa e një ringjalljeje të ardhshme të trupit tënd një nga gjërat kryesore për të cilat ti pret në të ardhmen? Nëse jo, përse jo? Çfarë do mund ta shtonte shpresën tënde për ringjalljen e ardhshme të trupit?

2.     Kaq e fortë qe pritja e Palit për ditën e ardhshme të ringjalljes, dhe kaq i vetëdijshëm qe ai për mundimet që do të kishte në këtë jetë, saqë ai mund të thoshte: “Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve” (1 Kor. 15:19), dhe, “Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim”’ (1 Kor. 15:32). A ke një dëshirë të ethshme për një ringjallje të ardhshme që të jep këtë lloj ndjenje në zemër gjithashtu? Nëse jo, përse nuk e ke të njëjtën pikëpamje mbi ringjalljen e trupit që kishte edhe Pali?

3.     Çfarë mendoni se mund të ndodhë në jetën tuaj që do të të jepte një dëshirim më të madh për ringjalljen e trupit tënd? Nëse ke një gjysh apo gjyshe apo një mik tjetër më të vjetër apo të afërm i cili ka vdekur e ka shkuar për të qenë me Krishtin, si mendoni se do të duket në ditën e ringjalljes? A mund të përfytyrosh se si do të jetë të takosh atë person e të njihesh përsëri? Si do të ndryshojë marrëdhënia jote nga ajo që ka qenë në këtë jetë?

TERMA TË VEÇANTË

përlëvdimi

trupi frymëror

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 585–591

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:401–411

1892–1894 Miley, 2:448–458

1940 Wiley, 3:320–338

1960 Purkiser, 561–567

1983 Carter, 2:1116–11118

3. Baptiste

1767 Gill, 2:211–230

1887 Boyce, 454–461

1907 Strong, 1015–1023

1917 Mullins, 472–478

1983–1985 Erickson, 997–1002, 1194–1200

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 3:366–369

1949 Thiessen, 376–383

1986 Ryrie, 517–518

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 3:534–539

1934 Mueller, 625–630

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 2:987–1008 (3.25)

1861 Heppe, 695–712

1871–1873 Hodge, 3:771–789

1878 Dabney, 829–841

1889 Shedd, 2b:647–658

1937–1966 Murray, CW 2:403–413; RAA 174–181

1938 Berkhof, 720–727

1962 Buswell, 2:324–346

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 3:397–413

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 488–492

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 2:1147–1150

Vepra të Tjera

Gaffin, Richard B., Jr. Ringjallja dhe Shpengimi: Një Studim në Soterologjinë e Palit (Resurrection and Redemption: A Study in Paul’s Soteriology). I njohur më përpara me titullin: Roli Qendrori Ringjalljes: Një Studim në Soteriologinë e Palit (The Centrality of the Resurrection: A Study in Paul’s Soteriology). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1978.

Grider, J.K. “Përlëvdimi (Glorification).” Tek FUT (EDT) fq. 442–443.

Gundry, Robert N. Soma në Teologjinë Biblike (Soma in Biblical Theology). Cambridge: Cambridge University Press, 1975.

Harris, Murray J. Nga Varri në Lavdi: Ringjallja në Besëlidhjen e Re, Përfshi një Reagim ndaj Normal L. Geisler (From Grave to Glory: Resurrection in the New Testament, Including a Response to Norman L. Geisler). Grand Rapids: Zondervan, 1990, fq. 185–287.

_______. I Ngjallur i Pavdekshëm: Ringjallja dhe Pavdekësia në Besëlidhjen e Re (Raised Immortal: Resurrection and Immortality in the New Testament). Grand Rapids: Eerdmans, 1983.

_______. “Ringjallja, e Përgjithshmja (Resurrection, General).” Tek FRT (NDT) fq. 581–582.

Hoekema, Anthony A. “Ringjallja e Trupit (The Resurrection of the Body).” Tek Bibla dhe e Ardhmja (The Bible and the Future). Grand Rapids: Eerdmans, 1979, fq. 239–252.

Murray, John. “Përlëvdimi (Glorification).” Tek Shpengimi i Realizuar dhe i Zbatuar (Redemption Accomplished and Applied). Grand Rapids: Eerdmans, 1955, fq. 174–181.

Schep, J.A. Natyra e Trupit të Ringjalljes (The Nature of the Resurrection Body). Grand Rapids: Eerdmans, 1964.

White, R.E.O. “Ringjallja e të Vdekurve (Resurrection of the Dead).” Tek FUT (EDT) fq. 941–944.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“1 Korintasve” 15:42–44: Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve: mbillet në prishje, ringjallet në paprishje; mbillet në çnderim, ringjallet në lavdi; mbillet në dobësi, ringjallet në fuqi; mbillet trup natyror, ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror.

HIMN

“DHJETË MIJË HERË DHJETË MIJË (TEN THOUSAND TIMES TEN THOUSAND)”

Ky himn u shkrua nga Henry Alford, një profesor i Besëlidhjes së Re në Universitetin Cambridge, të Anglisë, dhe një nga studiuesit më të mëdhenj grekë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ky himn paraqet me mijëra besimtarë të përlëvduar të cilët vërshojnë në portat e parajsës në ditën e kthimit të Krishtit dhe përfundon me një lutje që Krishti të kthehet shpejt.

Dhjetë mijë vetë herë dhjetë mijë, në rroba të shndritshme e vezulluese,

Mbushin fashat e dritës të shpenguarit, ushtritë e shenjtorëve:

Ka mbaruar, gjithçka ka mbaruar, lufta e tyre me vdekjen dhe mëkatin:

Hapen kanat dyert e arta, dhe lënë të futet fitimtarin.

Ç’vërshim halelujash mbushin tërë botën dhe qiellin!

Ç’tingëllim i mijëra harpave tregojnë të afërt ngadhënjimin!

O ditë, për të cilën gjithçka me tërë sojin e vet u krijua;

O gëzim, për të tërë pikëllimet e mëparshme, njëmijë fish u pagua!

Në bregun e lumtur të Kanaanit, çfarë përshëndetjesh të ngrohta dëgjohen;

Çfarë lidhje i bashkoi miqësitë, atje ku ndasitë më nuk tolerohen!

Atëherë sytë me gëzim do të vezullojnë, ato që deri para pak ishin duke qarë;

Vejushat nuk janë më të braktisura e as jetimët nuk janë më pa baballarë.

Afroje shpëtimin Tënd të madh, o Qengj për mëkatarët i therur;

Mbushe turmën e të zgjedhurve të Tu, e mbretëro me autoritetin Tënd veshur:

Shfaqu o dëshira e kombeve, të mërguarve të Tu për një kohë të gjatë nga shtëpia;

Trego në qiell shenjën tënde të premtuar; Princi dhe Shpëtimtari, eja.

Autor: Henry Alford, 1867

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}