PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI
Çfarë mendoni?
Këto janë pyetje personale. Përgjigjet duhet të bazohen te njohuria dhe përjetimi juaj.
Leximi i Shkrimit
• Si ngjason reagimi i Pjetrit ndaj Jezusit me reagimin e Isaias tek Isaia 6?
Ndërsa mendojmë për leksionin e parë, mund të heqim një paralele të qartë mes reagimit të Pjetrit ndaj thirrjes për ta ndjekur Jezusin dhe thirrjes së Isaias për të qenë profet në Izrael. Ashtu si Isaia e shpalli veten një njeri me buzë të papastra, po kështu edhe Pjetri e shpall veten mëkatar, madje i kërkon Jezusit të largohet prej tij. Si Isaia, dhe Pjetri e kuptoi që ishte në praninë e të Shenjtit.
Frika e vërtetë
• Cila ishte pyetja kryesore në lidhje me Perëndinë, të cilës u përpoqën t’i jepnin përgjigje filozofët e shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë?
Filozofët ateistë të shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë ishin të bindur se Perëndia nuk ekzistonte, prandaj kishin nevojë të siguronin një përgjigje për pyetjen: Pse duket sikur njerëzimi është në mënyrë të pashërueshme qenie fetare?
• Sipas asaj që besonte Sigmund Frojdi, cili ishte hapi i parë në evolucionin e besimit fetar?
Disa filozofë ateistë u përpoqën ta shpjegonin besimin fetar të njeriut në termat e frikës së njeriut nga forcat natyrore. Frojdi besonte se hapi i parë në evolucionin e besimit fetar ishte personalizimi i natyrës për të zbutur frikën nga këto forca natyrore.
• Çfarë gjëje zbulon për zemrën njerëzore reagimi i dishepujve të Jezusit ndaj qetësimit që i bëri stuhisë, gjë e cila është shumë më e thellë se frika nga dukuritë natyrore?
Teoria e Frojdit se qeniet njerëzore e shpikën Perëndinë nga frika e natyrës, nuk mund ta shpjegojë frikën e dishepujve, pasi Jezusi qetësoi stuhinë në Detin e Galilesë. Në vend që të qetësohej, frika e dishepujve u shtua për shkak se ata ishin në praninë e Atij, që ishte i shenjtë. Më tepër se ndonjë force jopersonale të natyrës, zemra njerëzore i frikësohet asaj që është e shenjtë.Të njohim kush ne jemi dhe të besojmë kush Ai është
• Si e përshkruan Dr. Sproul ndërgjegjësimin që i pushtoi dishepujt, kur dëshmuan çastin që Jezu Krishti qetësoi stuhinë në Detin e Galilesë?
Dr. Sproul e përshkruan ndërgjegjësimin e dishepujve si paaftësinë e tyre për të siguruar një kategori për shfaqjen e fuqisë, që ata dëshmuan në njeriun Krishtin Jezus. Dishepujt ndien frikë për shkak se kuptuan sa i ndryshëm ishte Jezusi nga ata. Ata kuptuan se Ai ishte i shenjtë dhe ata nuk ishin.
• Çfarë arsyeje dha Dr. Sproul për faktin pse njerëzit nuk ndihen rehat në praninë e të krishterëve?
Njerëzit nuk ndihen rehat në praninë e të krishterëve jo për shkak se ata janë qenësisht të shenjtë, por për shkak se ata përfaqësojnë Atë që është i shenjtë. Si të krishterë ne duhet të shërbejmë si kujtim ndaj jobesimtarëve për realitetin e Perëndisë dhe shenjtërisë së Tij.
• Cili është sekreti, të cilin e di çdo i krishterë në lidhje me shenjtërinë e Perëndisë?
Dr. Sproul tha se sekreti, që çdo i krishterë e di, është se ekziston një vend ku dikush mund të jetë lakuriq dhe i cenueshëm para shenjtërisë së Perëndisë dhe në të njëjtën kohë pa frikë në praninë e Krishtit. Në Jezu Krishtin, ne mikpritemi në praninë e shenjtërisë së Perëndisë pavarësisht se në natyrën tonë si mëkatarë kemi frikë prej kësaj pranie.
• Pse mendoni se jobesimtarët zakonisht mendojnë për Jezu Krishtin nën një dritë pozitive? Kur mendojnë kështu për Jezusin, a po përpiqen jobesimtarët t’i afrohen Atij apo po mbajnë një distancë të sigurt larg Tij? Pse mund të jetë kështu?
Përgjigjja për pyetjen e parë është personale, prandaj përgjigjet mund të variojnë nga fakti pse dikush mendon se jobesimtarët mund të kenë njëkohësisht mendime të larta për Jezusin dhe ta mohojnë Atë. Përgjigjet për pyetjet e tjera duhet të marrin në konsideratë përmbajtjen e këtij leksioni si dhe theksin e tij mbi shenjtërinë e Krishtit dhe pamundësinë për t’ju afruar të shenjtës.
• Si ka mundësi që farisenjtë nuk ishin rehat në praninë e Jezusit, kurse mëkatarët dhe të dëbuarit e shoqërisë tërhiqeshin pas Tij?
Në këtë leksion Dr. Sproul vuri në dukje sa interesante është që armiqtë më të egër të Jezusit ishin farisenjtë, njerëz të përkushtuar ndaj drejtësisë. Kur Jezusi ishte mes tyre, Ai demaskoi papastërtinë e tyre morale, prandaj farisenjtë reaguan kundër Tij për të ruajtur vetëdrejtësinë e tyre. Ndryshe nga farisenjtë, të dëbuarit e shoqërisë dhe mëkatarët në kohën e Jezusit nuk kishin asnjë pikë dyshimi se ishin mëkatarë e megjithatë u tërhoqën pas Tij, duke ditur se faljen e gjenin tek Ai.
• Pse mirënjohja është thelbi i etikës së krishterë?
Mirënjohja është thelbi i etikës së krishterë, për shkak se thelbi i besimit të krishterë është hiri. Drejtësia jonë është drejtësia e Krishtit. Ajo është një drejtësi e huaj që na jepet në momentin e drejtësimit tonë. Për shkak se paqja dhe hyrja te Perëndia na janë dhënë si dhurata, jemi thirrur të jetojmë një jetë mirënjohjeje para Perëndisë dhe para botës.
Comments are closed.