dear pastor leadership is needed in pulpit 1

Qershor 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"  

I dashur pastor,

Përshëndetje në emër të Krishtit, nga dy bashkëpunëtorët e tu në shërbesën pastorale. Ka mundësi që e ke vënë re se puna jonë është duke kaluar një krizë. Në shumicën e qarqeve ungjillore, dhjetë deri tridhjetë përqind e kishave lokale nuk kanë pastorë dhe nuk kanë ku t’i gjejnë. Ndryshe nga disa vite më parë, sot ka më pak burra që i përgjigjen thirrjes së Perëndisë për shërbesë pastorale, dhe më pak studentë po shkojnë në kolegje biblike apo në seminare që të trajnohen për këtë punë. Tragjedia më e madhe e kësaj krize është që çdo javë ka më pak njerëz që ulen nën një ekspozim të shëndoshë të fjalës së mbinatyrshme dhe jetëndryshuese të Perëndisë. Kjo e bën veprën tënde në Krishtin akoma më domethënëse për mbretërinë. Kësisoj të falënderojmë për besnikërinë ndaj kësaj detyre!

Dëshirojmë të të shprehim mirënjohje për shërbesën tënde, teksa bariton popullin e Perëndisë çdo javë përmes ekspozimit të fjalës së tij, dhe të të mbajmë “zgjuar” duke të të sjellë “ndër mend” (2 e Pjetrit 1:13) se sa jetike është puna jote për kauzën e Krishtit. Po të themi vetëm disa nga arsyet përse i jemi mirënjohës Perëndisë për udhëheqjen tënde përmes ekspozimit të njëtrajtshëm dhe të përkushtuar të Biblës.

Udhëheqja përmes ekspozimit të Shkrimit është thirrja parësore për pastorin.

Nga të gjitha fjalët që përshkruajnë shërbesën pastorale, një nga më të shpeshtat është të qenët i ngarkuar. Duket sikur në fund të çdo dite, e gjejmë veten duke lënë për të nesërmen detyrat e papërfunduara të së sotmes. Gjithnjë ka më shumë vizita që duhen bërë, më shumë këshilla që duhen dhënë, më shumë takime, më shumë letërkëmbime, më shumë postime, më shumë planifikime dhe — gati harruam — predikime që duhen përgatitur, nga sa janë orët e javës. Ky realitet do të thotë se ndër disiplinat që duhet të ketë pastori duhen përfshirë delegimi dhe ruajtja e prioriteteve. Duhen bërë prioritet gjërat më të rëndësishme, si dhe duhet deleguar sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të mbahen në fokus prioritetet kryesore. Edhe pse predikimi nuk është gjëja e vetme që ti bën si pastor, duhet të jetë gjëja e parë. Duke folur për veprën e predikimit, Pali e nxit Timoteun të mos e lërë pas dore dhuntinë që kishte, e cila iu dha “me anë profecie, me vënien e duarve nga pleqësia” (1 e Timoteut 4:14). Predikimi i fjalës së Perëndisë është detyra kryesore për të cilën je veçuar. Dhe nuk është sekret që predikimi pastoral duhet të ketë veçori ekspozimin korrekt. Më lart, Pali i thotë pastorit të ri: “Kushtoju leximit, nxitjes dhe dhënies së mësimit derisa të vij unë” (1 e Timoteut 4:13). Pra, ai i thotë Timoteut ta lexojë Shkrimin, ta shpjegojë dhe t’i shtyjë njerëzit t’i binden atij. Ky është një përshkrim shumë i saktë i ekspozimit të tekstit, dhe duhet të jetë puna jonë kryesore në baritimin e njerëzve në kujdesin tonë. Faleminderit që e ke bërë këtë punë kaq të rëndësishme, prioritetin tënd kryesor!

Udhëheqja përmes ekspozimit të Shkrimit është platforma më kryesore për baritimin e popullit të Perëndisë.

Pastorët sot kanë shumë mjete në dispozicion për t’u folur njerëzve mbi jetën e tyre dhe për t’i ndikuar për mirë. Ne komunikojmë përmes marrëdhënieve dishepulluese, mesazheve dhe postës elektronike, postimeve në media sociale, blogeve, botimeve periodike, telefonatave dhe vizitave, e përmes shumë mënyrave të tjera. Mirëpo nuk ka mjet më të fuqishëm javor sesa predikimi, mundësia më e mirë për t’u thënë njerëzve të tu fjalët e jetës. Mbledhja për adhurimin është vendi kryesor ku njerëzit mblidhen në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë. Për më tepër, ekspozimi i fjalës së Perëndisë përmes predikimit, në ato mbledhje, është koha kur komuniteti i besimit arrin realisht të dëgjojë zërin e Perëndisë teksa ti shpall çfarë ai po thotë përmes fjalës së tij të frymëzuar. Dhe populli i Perëndisë ka mundësinë të përjetojë këtë përmes takimit ballë për ballë me zëdhënësin e Perëndisë, me bariun që i do dhe ka detyrën t’i ushqejë e t’i mbrojë. Ky kombinim e bën predikimin nga podiumi, kohën më domethënëse që ke në dispozicion për t’i drejtuar njerëzit e tu çdo javë. E falënderojmë Perëndinë për hirin e tij që të mundëson ta shfrytëzosh këtë mundësi të pabesueshme!

Udhëheqja përmes ekspozimit të Shkrimit është mjeti më i fuqishëm për ta formuar popullin e Perëndisë në shëmbëllimin e Krishtit.

Pastor, përgjegjësia jote nuk është thjesht të jesh një udhëheqës për popullin tënd, por t’i drejtosh ata diku. Ky vend është rikrijimi në shëmbëllimin e Krishtit. Ky transformim është pikësynimi i Biblës. Ai nis me Zanafillën 1, me krijimin e qiellit dhe tokës prej Perëndisë, dhe me krijimin e njeriut në shëmbëllimin e tij. Ai përfundon te Zbulesa 21-22, me rikrijimin e qiellit dhe të tokës, dhe të njerëzimit sipas shëmbëllimit të tij. Ky rikrijim u bë i nevojshëm për shkak se mëkati e shtrembëroi synimin fillestar të Perëndisë. Dhe gjithçka që gjendet midis kapakëve të Biblës është historia e rikrijimit tonë prej Perëndisë për qëllimin e tij fillestar nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit. Për më tepër, Perëndia ka caktuar që fjala e tij të jetë vepruesi kryesor i Frymës së Shenjtë për ta shkaktuar këtë rikrijim. Kur njerëzit dëgjojnë dhe pranojnë zërin e Perëndisë, ai flet në ta jetën e re — krijimin e ri. Kështu që sa herë ti e shtjellon fjalën me integritet dhe me fuqinë e Frymës së tij, dhe sa herë që njerëzit e tu e dëgjojnë dhe e përqafojnë, kjo vepër rikrijuese është duke ndodhur. Faleminderit që e drejton popullin e Perëndisë drejt qëllimit që ai ka shuguruar për ta (Romakëve 8:29-30)!

Duke e ekspozuar Shkrimin në mënyrë të njëtrajtshme, besnike, të aftë dhe të varur nga Fryma, ti po rrok mundësinë për t’i drejtuar njerëzit e tu në një mënyrë që nuk gjendet në asnjë platformë apo rast tjetër.

Udhëheqja përmes ekspozimit të Shkrimit siguron që pikësynimi i kishës përcaktohet nga pikësynimi i Perëndisë.

Nuk është çudi që kishat sot zhvillojnë fjali misioni dhe vizioni, si edhe vlerash kryesore me anë të të cilave kërkojnë të funksionojnë. Dhe në fakt nuk ka asgjë që nuk shkon me këtë, për sa kohë që misioni, vizioni dhe vlerat tona të përputhen dhe t’i nënshtrohen misionit, vizionit dhe vlerave që Jezusi themeloi për popullin e tij, në fjalën e tij. Fundja, misioni i çdo kishe nuk është sekret për faqet e Shkrimit. Jezusi tha:

“Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.” — Mateu 28:18-20

Si rrjedhojë, misioni i çdo kishe lokale duhet të reflektojë dhe të marrë shtysë nga kjo Porosi e Madhe që Zoti na dha. Dhe meqë ky mision shpaloset në tërësinë e Shkrimit të Shenjtë, ekspozimi besnik i Biblës është mënyra më e sigurt se si ju mund të siguroheni që agjenda e kishës suaj të diktohet nga agjenda e Biblës. Teksa njerëzit e tu të dëgjojnë javë pas jave të interpretosh dhe të shtjellosh tekstin e Shkrimeve të shenjta, dhe t’i bindësh ata t’u nënshtrohen atyre, ti po përforcon agjendën e gjithë programeve dhe shërbesave të tua. Dhe njëtrajtshmëria e këtij misioni përgjatë Biblës siguron mundësi të fuqishme që ti ta zbatosh për njerëzit e tu për programet dhe shërbesat e ndryshme, si dhe në kalendarin e kishës suaj. Ne e festojmë faktin që fjala e Perëndisë dhe misioni i tij po i drejtojnë hapat e bashkësisë suaj!

Udhëheqja përmes ekspozimit të Shkrimit u jep njerëzve qëndrimin e duhur për ta adhuruar atë.

Pastor, ti je udhëheqësi kryesor i adhurimit në kishë. Sado që jemi të gjithë mirënjohës ndaj Perëndisë për burrat e gratë që na udhëheqin në adhurimin muzikor, kisha nuk kryen akt më të madh adhurimi sesa dëgjimin e fjalës së Perëndisë dhe përgjigjen ndaj tij me lavdërim e bindje. Kjo do të thotë se akti i predikimit është një akt adhurimi, dhe pastorët kanë përgjegjësi ta drejtojnë atë. Nga njëra anë, shumë shërbesa adhurimi projektohen mbrapsht. Shumë nga këngët, ofertat, lutjet dhe aktet e tjera të adhurimit janë në pjesën e parë të shërbesës, vetëm që më pas Perëndia të zbulohet kur predikon pastori. Mbase mund të ketë kuptim edhe ndryshimi i radhës me raste, për të bërë që Perëndia ta nisë fjalën e tij përmes predikimit, për t’u pasuar nga përgjigjja e bashkësisë me këngë, ofertë, lutje dhe shprehje të tjera. Mirëpo, sido të jetë radha e duhur, ekspozimi pastoral i Shkrimit është një akt thelbësor i drejtimit të adhurimit. Të falënderojmë që e udhëheq me besnikëri popullin e Perëndisë ta lavdërojë atë përmes fjalës së tij!

Pastor, puna e baritimit të popullit të Perëndisë, përfshin dhe kërkon udhëheqje të shëndoshë. Nuk ka vend më të rëndësishëm për këtë sesa në shërbesën javore të predikimit. Duke e ekspozuar Shkrimin në mënyrë të njëtrajtshme, besnike, të aftë dhe të varur nga Fryma, ti po rrok mundësinë për t’i udhëhequr njerëzit e tu në një mënyrë që nuk gjendet në asnjë platformë apo rast tjetër. Dhe ti mund ta bësh këtë me vetëbesim dhe gëzim, duke e ditur që Perëndia është ai që e cakton aktin e predikimit, për të qenë mjeti kryesor i pastorit për drejtimin e popullit të tij. Perëndia të dhëntë favor ndërsa e mban dorën në terplotë!

Në emër të Krishtit,

R. Scott Pace dhe Jim Shaddix.


R. Scott Pace dhe Jim Shaddix janë bashkautorë të librit “Expositional Leadership: Shepherding God's People from the Pulpit”.


R. Scott Pace (PhD, Southeastern Baptist Theological Seminary) shërben si rektor dhe profesor i predikimit dhe shërbesës pastorale në seminarin Southeastern Baptist Theological. Ai ka shkruar librat Preaching by the Book; Pastoral Theology; Exalting Jesus in Colossians & Philemon në vëllimet komentare biblike “Christ-Centered Exposition”; dhe librin Calling Out the Called.

Jim Shaddix (PhD, New Orleans Baptist Theological Seminary) shërben si profesor kryesor i predikimit në seminarin Southeastern Baptist Theological, në katedrën W. A. Criswell të predikimit ekspozues, dhe shërben si lektor për qendrën “Center for Preaching and Pastoral Leadership”. Ai ka shkruar disa libra, si The Passion-Driven Sermon dhe Decisional Preaching. Jim-i dhe e shoqja, Debra, kanë tre fëmijë të rritur dhe njëmbëdhjetë nipër e mbesa.

Botuar me lejehttps://www.crossway.org/articles/dear-pastor-your-leadership-is-needed-in-the-pulpit/ 
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin