dear pastor unique opportunities (1) (1)

Korrik 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"  

Këshillimi pastoral dallon nga çdo formë tjetër këshillimi, sepse pastori ka mundësi të shumta dhe të jashtëzakonshme për t’u përfshirë në jetën e të tjerëve. Po paraqes shtatë aspekte unike të jetës së një pastori që ia hap atij këto dyer:

1. Ti ke mundësinë t’i ndjekësh njerëzit.

Jezu Krishti kërkon njerëz. Ai e merr iniciativën për të dashur. Edhe kur njerëzit e kërkojnë me gjithë vuajtjet dhe mëkatet e tyre, ata i përgjigjen asaj që kanë dëgjuar për të, për fjalët e tij, për kujdesin e tij dhe për fuqinë e tij. Në thelb, Shpengimtari ynë është ai që e bën gjithnjë lëvizjen e parë dhe e gjithë mënyra e tij e të vepruarit është aktive. Bariu i mirë i shkon pas deles së humbur, derisa ta gjejë (Luka 15:4). Barinjtë e tjerë të mirë veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke krijuar mundësi këshillimi. Ju mund të pyesni: “Si je në të vërtetë?” apo “Si mund të lutem për ty?” në çfarëdo konteksti. Përgjigjja e njerëzve, qoftë e sinqertë qoftë shmangëse, mund të krijojë mundësi për një bisedë domethënëse. Kur dëgjoni që dikush po kalon probleme apo po has vështirësi, ju mund të bëni një ndalesë për t’u kujdesur për ta.

Përkundrazi, modelet e tjera këshilluese janë pasive; janë reaguese, jo iniciuese. Psikoterapeutët duhet të presin që një njeri i trazuar të kërkojë ndihmë apo një person në telashe të përmendet nga një palë e tretë e shqetësuar për të. Mirëpo një pastor i ndjek njerëzit dhe ata i përgjigjen kësaj dashurie aktive në mënyrë unike.

2. Ti ke mundësi këshillimi në situata kritike të jetës.

Si pastor, ti e ke natyrshëm derën të hapur në çastet vendimtare të ndryshimeve, vështirësive dhe gëzimeve në jetën e njerëzve. Ata të ftojnë vetë, por ke dhe lejen të shkosh pa u ftuar. Dera të është hapur sa herë që ka ngjarje të rëndësishme:

  • Fejesa dhe martesa
  • Lëndime, sëmundje, shtrime në spital
  • Dergjje, vdekje, humbje dhe varrime
  • Lindje e një foshnjeje
  • Zhvendosje në një lagje të re
  • Humbje e vendit të punës apo dalje në pension
  • Tradhti, kurorëshkelje apo ndarje
  • Fëmijë të droguar apo në telashe me ligjin
  • Viktimizimi katastrofik nga zjarri, krimi apo stuhia.

Asnjë këshilltar tjetër nuk ka akses të natyrshëm në çaste kaq domethënëse.

Dhe përnjëmend këto ngjarje shkaktojnë strese madhore sipas çdo treguesi. Sakaq bëjnë edhe që realiteti i brendshëm i personit bëhet më i dukshëm dhe më i afrueshëm saktësisht në rrethana të tilla. A po jeton ai për shpresa të vërteta apo të rreme? A janë frikërat e tyre të arsyeshme apo të paarsyeshme? A janë gëzimet apo trishtimet e tyre të arsyeshme, të çrregullta apo për çudi mungojnë? Çfarë zbulojnë këto pasiguri dhe inate? Prej nga vjen ky hutim? Zemrat e tyre hapen krejt. Për më tepër, në këto raste ndodh që njerëzit janë më të hapur për të kërkuar dhe për të pranuar këshilla.

3. Ti ke mundësi të këshillosh edhe të vobektët, edhe të fortët.

Shërbesa e Biblës nuk është vetëm për njerëz të trazuar dhe në telashe. Kujdesi pastoral u shërben sa të dobëtëve aq edhe të fortëve, të aftëve edhe të paaftëve, të talentuarve edhe të kufizuarve, të suksesshmëve dhe të dështuarve. Ungjilli i flet të vërtetën jetëndryshuese çdo personi: “duke rehatuar të trazuarit dhe duke trazuar të rehatuarit”. Ata që e kanë jetën përplot, duhet të mësojnë të kenë mirënjohje, përulësi dhe bujari — dhe të ruhen ndaj tundimeve të paturpësisë, superioritetit dhe krenarisë. Ata që e kanë jetën bosh duhet të mësojnë shpresën, kurajën dhe durimin — dhe të ruhen ndaj tundimeve të dëshpërimit, murmuritjes dhe lakmisë. Të gjithë ne kemi nevojë të mësojmë se çfarë ka rëndësi dhe çfarë zgjat, çfarëdo qofshin kushtet e jetës sonë. Të gjithë ne duhet të mësojmë t’i ngushëllojmë të tjerët me ngushëllimin që marrim prej Perëndisë. Vreshtari i mban gërshërët e krasitjes gati për çdo fushë të jetës. Ti si pastor e kupton se çdo person që takon sot ka nevojë të zgjohet, të kthehet, të besojë, të rritet dhe ta dojë Perëndinë e të tjerët. Çdokush ka çdo ditë nevojë për këshillim (Hebrenjve 3:12–14). Edhe fëmijët e shëndetshëm të Perëndisë kanë nevojë për këshillë (dhe trajnim në këshillim) për të ndihmuar më mirë vëllezërit e tyre që luftojnë dhe distancohen, dekurajohen dhe duan ndihmë (1 e Thesalonikasve 5:14).

Nuk ka rol këshillues me një vizion për çdo njeri. Modelet e tjera këshilluese i përcaktojnë disa klasa njerëzish si nevojtarë dhe të tjerë si kryesisht në rregull. Besimi i krishterë e përkufizon çdo qenie njerëzore si nevojtare për kurën e shpirtit, për të cilën pastori është i thirrur në mënyrë unike.

4. Ti ke mundësi me të pasurit dhe me të varfrit.

Pastori ka një avantazh të madh kundrejt këshilltarëve të tjerë, sepse këshillimi i tij ka për bazë një merak nga dashuria, jo një pagesë për shërbimin e dhënë. Këshillimi pastoral është një dhuratë për nevojtarin. Financimi i tij është oferta vullnetare e popullit të Perëndisë, pavarësisht nëse ata kërkojnë këshillë apo jo. Njerëzit e thyer dhe të trazuar, me të drejtë pyesin për këshilltarët profesionistë: “A merakosesh vërtet? A je vërtet miku im?”. Dhuntia e shërbesës i heq nga loja motivet e dyfishta apo të dyshimta. Këmbimi i parave për kohë, kujdes, vëmendje dhe miqësi, gjithnjë ka rrezikun e shtrembërimit të një marrëdhënieje.

Përkundrazi, pastori punon me një liri të madhe. Me ata që kanë para, ke pozitën e pazakontë të mos i lejosh të blejnë shërbimet që dëshirojnë. Me ata që nuk kanë para, je në pozitën e pazakontë të mos i përjashtosh nga ndihma për të cilën kanë nevojë. Pastori ka aftësinë unike për të mishëruar mëshirat dhe urtësinë e dhënë falas prej Perëndisë. Këshillimi është sinqeritet që kujdeset (Efesianëve 4:15). Kur nuk ka pagesë, shqetësimi është i qartë dhe sinqeriteti nuk ka pengesa.

5. Ti ke mundësi me njerëz që tashmë kanë besim te ti.

Cili është problemi i parë në çdo bisedë këshillimi? Edhe pse rrallëherë shprehet, çdo person që ulet për të folur me dikë, pyet gjithmonë: “Pse duhet të të besoj ty? Çfarë arsyesh po më jep që mund të kem besim te ti? A kam unë besim te ti?”. Nëse përgjigjja në thelb është “Po”, atëherë biseda mund të ketë një rrugëtim ndërtues. Baza e besimit çon në dy pyetje të mëtejshme që gjithashtu e përcaktojnë suksesin apo dështimin e bisedës: “A mund të jem krejtësisht i hapur me ty?” dhe “A do ta dëgjoj atë që do të më thuash?”.

Sigurisht, çështjet e besimit, të qenët të hapur dhe të gatshëm për të dëgjuar, shpesh zgjidhen me kalimin e kohës. Mirëpo, një aspekt unik i punës pastorale është që ti do të këshillosh njerëz që tashmë kanë vendosur të të besojnë. Ata vijnë të përkushtuar për të qenë të hapur dhe të gatshëm për të dëgjuar. Ky besim lind për shkak se ju jeni i njohur për ta. Përgjigjet paraprake pozitive të këtyre pyetjeve, ju jep një shtysë të pallogaritshme në efikasitetin dhe rendimentin e këshillimit tuaj. Ju nuk keni përse të kaloni muaj të tërë duke e ndërtuar besimin. Ju mund të dilni drejt e në temë, për shkak se ata që kërkojnë këshillë, dalin drejt e në temë.

Modelet e tjera këshilluese i përcaktojnë disa klasa njerëzish si nevojtarë dhe të tjerë si kryesisht në rregull. Besimi i krishterë e përkufizon çdo qenie njerëzore si nevojtare për kurën e shpirtit, për të cilën pastori është i thirrur në mënyrë unike.

6. Ti ke mundësi me njerëz që tashmë i njeh.

Jo vetëm që të tjerët ju njohin dhe ju besojnë; por edhe ju i njihni ata. Kjo ju krijon një mundësi tjetër unike si pastor. Sikur sadopak të përpiqeni për këtë, ju tashmë i njihni njerëzit tuaj. Ju jeni vazhdimisht duke i njohur ata më mirë. Kjo njohuri personale ju jep një avantazh të pallogaritshëm kundrejt këshilltarëve profesionalë që rrinë në zyrë. Ju i njihni njerëzit me emër, sipas personalitet dhe në kontekstin e jetës. Ju i keni parë ata në veprim. Ju tashmë keni një ide të forcave dhe të dobësive të tyre, mëkateve të vazhdueshme dhe hirit që lulëzon në ta, të zakoneve të mira dhe atyre të këqija. Si e trajton burri familjen e tij? A ndihmon me dëshirë kjo grua? A e mban fjalën ai, ose a ke mësuar ti të presësh për të parë se si ai vepron? Si reagon ajo kur has acarim, vështirësi dhe konflikt? Si flet ai për bekimet që merr? Si adhuron ajo? Ju mund të dini fakte domethënëse të historisë dhe rrethanave të tyre. Ju mund të njihni të afërmit e personit. Ju keni akses të natyrshëm në shumë nga palët e përfshira.

Kjo njohuri e gjerë ndihmon që ju të mbroheni nga disa prej kurtheve që zënë këshilltarët. Për shembull, këshilltarët dëgjojnë vetëm njërën anë të çdo historie. Ata janë gjithnjë të pambrojtur nga tjetërsimet dhe keqinformimet — faktet dhe reagimet mund të jenë të vërteta dhe të arsyeshme deri në njëfarë mase, por përgjithësisht e shtrembërojnë dhe e pengojnë vlerësimin e saktë dhe të balancuar. Duke pasur parasysh instinktet e zemrave tona mëkatare, këshilltarët tundohen lehtësisht për të mbajtur anën e kujtdo që ata rastisin të jenë duke këshilluar (Fjalët e Urta 18:17). Kur një e re njëzet e pesë-vjeçare e përshkruan të ëmën si një përbindësh, a është vërtet kështu? Mbase. Mirëpo nëse ju e njihni dhe të ëmën dhe të bijën, mund të keni një të kuptuar më të informuar mbi atë që po ndodh vërtet. Fakti që ju tashmë mund t’i njihni njerëzit dhe madje në kontekstet e tyre, është një pikë e fortë unike për shërbesën këshilluese të pastorit.

Asnjë këshilltar tjetër nuk ka një mundësi të rregullt edhe të avantazhit fillestar, edhe të kontrollit me realitetin të asaj që dëgjon në një bisedë private.

7. Ju keni mundësi me njerëz që tashmë kanë një plan të mençur ndryshimi.

Jo vetëm që njerëzit ju njohin, si dhe ju ata, por ju si pastor do të këshilloni njerëz që tashmë kanë një ide mjaft të mirë të asaj që nuk shkon dhe të fushës ku ata kanë nevojë të rriten. Një mprehtësi e tillë fillestare nuk është asnjëherë e garantuar, por kur ndodh, i jep këshillimit një tjetër avantazh të madh fillestar.

Më herët përmendëm pyetjet bazë të besimit, gatishmërisë për të qenë të hapur dhe gatishmërisë për të dëgjuar. Pyetja tjetër kritike që ka merak çdo këshillim është: “Përse jemi këtu? Çfarë po përpiqemi të arrijmë?”. Në përgjithësi, shumica e atyre që kërkojnë të këshillohen vijnë me qëllime të mangëta, si:

  • Ndrysho ndjenjat e mia.
  • Ndrysho rrethanat e mia.
  • Më bëj qejfin.
  • Më jep një formulë.

Një grimcë urtësie në këshillim, punon me durim për t’i ndryshuar këto qëllime në këtë: “Më ndihmo të ndryshoj”. Shërbesa dhe besimi i krishterë e përcakton këtë plan ndryshimi në një mënyrë veçanërisht të pasur. Nëse kisha juaj ka sadopak gjallëri në të qenët mendje-kthjellët, ndonjëherë — shpesh? — do të këshilloni njerëz që tashmë e kanë idenë e asaj që vërtet rrezikohet. Edhe një plan i saktë e i përciptë, bën një ndryshim të madh.

Asnjë këshilltar tjetër nuk ka mundësi të rregullta për të punuar me njerëz që tashmë kanë njëfarë ideje se për çfarë kanë më shumë nevojë. Ashtu si përgjegjësia juaj për të kuruar shpirtrat, edhe mundësitë tuaja janë unike. Shpresoj që ky vizion ju emocionon. Shpresoj që ju bën gati për luftën e gjatë për ta sjellë arritjen pastorale më pranë aspiratës pastorale.


Ky artikull është përshtatur nga libri “The Pastor as Counselor: The Call for Soul Care” i autorit David Powlison.


David Powlison (1949–2019) ishte mësues, këshillues dhe drejtor ekzekutiv i fondacionit “Christian Counseling & Educational Foundation”. Ai fitoi gradën profesor doktor nga universiteti i Pensilvanisë dhe ishte kryeredaktor i revistës “Journal of Biblical Counseling”. Powlison-i Pati ka shkruar disa libra si How Does Sanctification Work?; Making All Things New; dhe God's Grace in Your Suffering.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-you-have-wonderfully-unique-opportunities-to-counsel/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin