HYRJE
Gjatë shërbesës së Tij tokësore edhe ata që e ndoqën Jezusin reaguan me frikë në praninë e Tij. Kjo gjë shfaqet grafikisht në reagimin e dishepujve, në rastin kur Ai qetësoi stuhinë në Detin e Galilesë dhe ata u mahnitën: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era, edhe deti?” Në këtë leksion, Dr. Sproul shpjegon pse edhe shokët më të ngushtë të Jezusit mund të frikësoheshin prej Tij e megjithatë nuk mund të vepronin ndryshe, veçse ta ndiqnin Atë, duke ditur se nuk mund të ishin të shenjtë pa Të.


SYNIMET E TË NXËNIT
Kur ta keni përfunduar këtë mësim duhet të jeni në gjendje të:
• Shpjegoni pse dishepujt u frikësuan në praninë e Jezu Krishtit
• përpjekjet ateiste për të shpjeguar besimin fetar në Perëndinë
• Kuptoni se hyrja te Perëndia na është dhënë vetëm nga Krishti


IDETË KYÇ
• Filozofët ateistë të shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë u përpoqën të siguronin shpjegime natyraliste për besimin në Perëndinë duke u bazuar te frika e njeriut nga forcat jo personale të natyrës.
• Kur ata e panë erën dhe valët e detit që iu bindën Jezusit, dishepujt patën frikë nga Ai më tepër se nga forcat jopersonale të natyrës, sepse ishin në praninë e të Shenjtit.
• Në Jezu Krishtin, ne jemi ftuar të vijmë në praninë e një Perëndie të shenjtë përmes sigurimit të një drejtësie, e cila nuk është e jona.


PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI

Çfarë mendoni?
Kaloni disa minuta për t’ju përgjigjur pyetjeve të mëposhtme. Ato do t’ju përgatisin për leksionin.
• A jetojmë në një epokë, të cilën do ta karakterizonit si armiqësore apo miqësore ndaj besimit të krishterë? Pse?
• Si mendojnë miqtë dhe familjarët tuaj jobesimtarë për personin historik të Jezu Krishtit?


Leximi i Shkrimit
Dhe, kur pushoi së foluri, i tha Simonit: «Shko në të thella, dhe hidhini rrjetat tuaja për të zënë peshk». Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: «Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por mbi fjalën tënde, do ta hedh rrjetën». Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshku dhe rrjeta e tyre po shqyhej. Atëherë u bën shenjë shokëve të tyre, që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t’i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dyja barkat, aq sa gati po fundoseshin. Simon Pjetri, kur e pa këtë, i ra ndër gjunjë Jezusit dhe i tha: «Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar». Sepse Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të gjahut të peshkut që kishin zënë. E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: «Mos ki frikë; tash e tutje ti do të peshkosh njerëz». Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe e ndoqën.
—Luka 5:4–11
Si ngjason reagimi i Pjetrit ndaj Jezusit me reagimin e Isaias tek Isaia 6?

Përgjigjuni pyetjeve të mëposhtme, ndërsa ndiqni videon. Ato do t`ju drejtojnë përgjatë leksionit.
Frika e vërtetë 0:00–16:24
• Cila ishte pyetja kryesore në lidhje me Perëndinë, të cilës u përpoqën t’i jepnin përgjigje filozofët e shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë?
• Sipas asaj që besonte Sigmund Frojdi, cili ishte hapi i parë në evolucionin e besimit fetar?
• Çfarë gjëje zbulon për zemrën njerëzore reagimi i dishepujve të Jezusit ndaj qetësimit që i bëri stuhisë, gjë e cila është shumë më e thellë se frika nga dukuritë natyrore?
Të njohim kush ne jemi dhe të besojmë kush Ai është 16:24–33:35
• Si e përshkruan Dr. Sproul ndërgjegjësimin, që pushtoi dishepujt, kur dëshmuan çastin që Jezu Krishti qetësoi stuhinë në Detin e Galilesë?
• Çfarë arsyeje dha Dr. Sproul për faktin pse njerëzit nuk ndihen rehat në praninë e të krishterëve?
• Cili është sekreti, të cilin e di çdo i krishterë në lidhje me shenjtërinë e Perëndisë?

Përgjigjuni pyetjeve të mëposhtme, pasi ta keni përfunduar leksionin. Ato do t’ju ndihmojnë të identifikoni dhe të përmblidhni pikat kryesore.
• Pse mendoni se jobesimtarët zakonisht mendojnë për Jezu Krishtin nën një dritë pozitive? Kur ata mendojnë kështu për Jezusin, a po përpiqen jobesimtarët t’i afrohen Atij apo po mbajnë një distancë të sigurt larg Tij? Pse mund të jetë kështu?
Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve të diskutojnë pyetjet e mëposhtme: A duhet të jetë koncepti i shenjtërisë pjesë e prezantimit tonë të ungjillit? Nëse po, si duhet të përfshihet? Kërkojini dikujt që ta prezantojë ungjillin me këtë theksim të shenjtërisë.


• Si ka mundësi që farisenjtë nuk ishin rehat në praninë e Jezusit, kurse mëkatarët dhe të dëbuarit e shoqërisë tërhiqeshin pas Tij?
Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve të diskutojnë deklaratën e Dr. Sproul se jobesimtarët nuk ndihen rehat në praninë tonë. Si mund ta dallojmë, nëse një jobesimtar nuk ndihet rehat për shkak të faktit se kë përfaqësojmë, apo është i ofenduar, sepse ne po shfaqim vetëdrejtësi?


• Pse mirënjohja është thelbi i etikës së krishterë?
Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve të diskutojnë si mund të duket një jetë mirënjohjeje në situata të ndryshme të jetës reale. Si duket një jetë mirënjohjeje në kishë, në vendin e punës, apo edhe në botën e internetit?


LUTJE
Vuloseni me lutje atë që keni mësuar prej Fjalës së Perëndisë gjatë këtij mësimi.
• Lavdëroni Perëndinë për Jezu Krishtin dhe për shfaqjen e gjithëpushtetshme të fuqisë së Tij mbi të gjitha gjërat e krijuara, të dukshme dhe të padukshme.
• Rrëfeni krenarinë tuaj dhe çdo fije besimi, që mund të keni vendosur në veprat tuaja, në vend që të mbështeteni vetëm në veprën e përfunduar të Krishtit.
• Falënderoni Perëndinë për dhuratën bujare të drejtësisë në Krishtin, përmes të cilit kemi marrë paqe dhe hyrje te Perëndia nëpërmjet drejtësimit tonë.
• Kërkojini Perëndisë t’ju përdorë në fuqinë e Frymës së Tij për t’u treguar miqve tuaj të pashpëtuar nevojën e tyre për t’u kthyer në besim nëpërmjet drejtësisë së Krishtit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>