HYRJE
Koncepti i ndëshkimit të pamëshirshëm dhe të pazakontë duhet të jetë i njohur nga amerikanët për shkak të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Njeriu nuk është përsosmërisht i drejtë, prandaj kemi nevojë për mbrojtje nga ndëshkimi i pamëshirshëm dhe i pazakontë. Nuk është kështu me Perëndinë. Vetëm Ai është përsosmërisht i drejtë. Në këtë leksion, Dr. Sproul na ndihmon ta vlerësojmë shenjtërinë e Perëndisë përmes gjykimeve të Tij, duke na treguar kështu se si Perëndia është i drejtë, por edhe i mëshirshëm.


SYNIMET E TË NXËNIT
Kur ta keni përfunduar këtë mësim duhet të jeni në gjendje të:
• Dalloni shenjtërinë e Perëndisë në ashpërsinë e gjykimit të Tij kundër mëkatit
• Bëni dallimin mes koncepteve të drejtësisë dhe mëshirës
• Vlerësoni mëshirën dhe hirin e Perëndisë


IDETË KYÇ
• Vdekja e Nadabit dhe Abihut, si dhe e kohathitit Uziah mund të kuptohen si duhet vetëm nën dritën e shenjtërisë së Perëndisë.
• Çdo mëkat kryhet duke sfiduar autoritetin e Perëndisë dhe si i tillë është tradhti kozmike.
• Perëndia është i drejtë dhe i mëshirshëm; mëshira e Tij është shprehje e të mos bërit drejtësi, por nuk është kurrë padrejtësi.

PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI

Çfarë mendoni?
Kaloni disa minuta për t’ju përgjigjur pyetjeve të mëposhtme. Ato do t’ju përgatisin për leksionin.
• Si vendosni ju, kur të tregoheni të mëshirshëm dhe kur të ushtroni drejtësi?
• Pse ju shpëtoi Perëndia?

3—Shenjtëria dhe drejtësia23

Leximi i Shkrimit
Pastaj Nadabi dhe Abihu, bij të Aaronit, morën secili temjanicën e vet, i vunë brenda zjarr, vendosën mbi të temjanin dhe ofruan para ZOTIT një zjarr të palejueshëm, që ai nuk ua kishte urdhëruar. Atëherë një zjarr doli nga prania e ZOTIT dhe i përpiu ata; dhe ata vdiqën para ZOTIT. Prandaj Moisiu i tha Aaronit: «Kjo është ajo për të cilën foli ZOTI, duke thënë: “Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlëvduar përpara tërë popullit.”» Dhe Aaroni heshti.
—Levitiku 10:1-3
Çfarë ju tregon kjo pjesë rreth natyrës së mëkatit të Nadabit dhe Abihut?


Përgjigjuni pyetjeve të mëposhtme ndërsa ndiqni videon. Ato do t`ju drejtojnë përgjatë leksionit.
Nadabi, Abihu, dhe Uziahu 0:00–15:12
• Çfarë kanë besuar gabimisht disa teologë në lidhje me karakterin e Perëndisë për shkak të ndodhive të tilla si vdekja e Nadabit dhe Abihut?
• Cili ishte roli i kohathitëve brenda fisit të Levit?
• Çfarë hamendësoi gabimisht Uziahu, kohathiti?
I drejtë dhe i mëshirshëm 15:12–33:00
• Cili është misteri i vërtetë në lidhje me zemërimin e Perëndisë?
•  Çfarë shpallim ne lidhur me të drejtat tona edhe përmes mëkatit më të vogël?
•Cila është arsyeja spekuluese pse gjejmë në Shkrime demonstrime “të shpejta dhe të papritura” të drejtësisë së Perëndisë?

Përgjigjuni pyetjeve të mëposhtme, pasi ta keni përfunduar leksionin. Ato do t’ju ndihmojnë të identifikoni dhe të përmblidhni pikat kryesore.
Shenjtëria e Perëndisë

• Si reagoi Aaroni pasi dëgjoi fjalën e Perëndisë lidhur me vdekjen e bijve të tij? Si do të kishit reaguar ju? A ka raste kur keni reaguar negativisht ndaj Perëndisë për gjëra më të vogla në jetën tuaj?
Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve që të lexojnë Romakëve 9:6-24. Çfarë sugjerimi jep Pali për reagimin tonë ndaj Perëndisë, kur përballemi me gjëra, të cilat nuk i kuptojmë? Si mund të zbatohet kjo e vërtetë e lidhur me doktrinën e zgjedhjes në jetën tonë të përditshme?
• Te Veprat 5, Anania dhe Safira u vranë nga Perëndia në kontekstin e adhurimit të krishterë. Si vepron ky fakt kundër pikëpamjeve si ato që kishte Marcioni?
Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve që të lexojnë Veprat 5:1-11 dhe të diskutojnë se si vdekja e Nadabit dhe Abihut, si dhe Ananias dhe Safirës duhet të ndikojnë mënyrën si i afrohemi Perëndisë në adhurim.
• Si përcjell një të vërtetë biblike rreth Perëndisë ilustrimi i Dr. Sproul me studentët që u vonuan në dorëzimin e detyrave të simestrit?
Nëse jeni pjesë e një grupi, kërkojuni anëtarëve të diskutojnë citimin e mëposhtëm nga vepra klasike e Dr. Sproul Shenjtëria e Perëndisë:
Konflikti i rremë mes dy besëlidhjeve mund të dallohet në aktin më brutal të hakmarrjes hyjnore të regjistruar në Shkrime. Ky veprim nuk gjendet në Besëlidhjen e Vjetër por në të Renë. Shprehja më e dhunshme e drejtësisë dhe zemërimit të Perëndisë duket në Kryq. Nëse do të kishte një person, që mund të ankohej për padrejtësi, ky do të ishte Jezusi. Ai ishte i vetmi njeri i pafajshëm, që u ndëshkua ndonjëherë prej Perëndisë. Nëse tronditemi nga zemërimi i Perëndisë, le të tronditemi nga Kryqi. Këtu duhet të përqendrohet mahnitja jonë. Nëse kemi shkak për një zemërim moral, le ta drejtojmë atë drejt Golgotës.


LUTJE
Vuloseni me lutje atë që keni mësuar prej Fjalës së Perëndisë gjatë këtij mësimi.
• Lavdëroni Perëndinë për aftësinë e Tij për të treguar hir dhe mëshirë ndaj mëkatarëve të padenjë.
• Rrëfeni prirjen tuaj për ta marrë të mirëqenë hirin dhe mëshirën e Tij.
• Falënderoni Perëndinë për gatishmërinë e Tij për të dërguar Birin e Tij të vetëmlindur që të vdiste për ju.
• Kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë që të mahniteni edhe më tej me hirin e Tij përmes Frymës së Tij.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>