Çelësi i përgjigjeve—Marrëzia e Luterit

Çelësi i përgjigjeve—Marrëzia e Luterit

PYETJE REFLEKTIMI & DISKUTIMI

Çfarë mendoni?
Këto janë pyetje personale. Përgjigjet duhet të bazohen te njohuria dhe përjetimi juaj.
Leximi i Shkrimit
• Çfarë gjuhe përdoret në këtë pjesë për të përshkruar se si do të drejtësohet njeriu?
Meqë të gjithë nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë për shkak të mëkatit, njeriu nuk mund të drejtësohet përmes ligjit apo drejtësisë së tij. Prandaj, njeriu duhet të drejtësohet përmes asaj që është manifestuar veçmas ligjit: drejtësisë së Perëndisë përmes besimit në Jezu Krishtin.


Diagnostikimi i Luterit
• Si i karakterizoi Dr. Sproul polemikat e shekullit të gjashtëmbëdhjetë? Pse kjo është e rëndësishme në lidhje me Martin Luterin?
Dr. Sproul i karakterizoi polemikat e shekullit të gjashtëmbëdhjetë si me sarkazmë dhe pa mëshirë. Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë ishte e pranueshme që në debatet teologjike të kishte sulme të hapura ndaj kundërshtarëve. Kjo është domethënëse në lidhje me Luterin sepse, edhe gjatë kësaj periudhe të karakterizuar nga debate të pamëshirshme, ai qëndroi në një klasë më vete me stilin e tij shpërthyes.


• Në çfarë kuptimi mund të përshkruhet Luteri si neurotik?
Ashtu sikurse nuk mund të mohohet që Luteri ishte i rrëmbyer në të folur, është gjithashtu fakt se ai shqetësohej së tepërmi për shëndetin e tij. Në lidhje me gjendjen e tij të hipokondrisë, Luteri mund të përshkruhet si neurotik. Ai vuajti nga ankthi dhe nga problemet e stomakut gjithë jetën e tij. Ai vuante nga gurët në veshka dhe ishte i bindur që çdo dhimbje stomaku, që e kapte, ishte një sëmundje fatale nga gjykimi i Perëndisë.


• Cili ishte motivi dominues që e shtyu Luterin në një jetë në manastir?
Së pari dhe më së shumti Luteri nuk u shty për të nisur një jetë në manastir nga dashuria e tij për Perëndinë. Përkundrazi, ishte fiksimi i tij me zemërimin e Perëndisë, gjë e cila e shtyu të bëhej murg.

Keqdiagnostikimi i Luterit
• Sipas besimit të njerëzve, cili ishte treguesi më i dukshëm i marrëzisë së Luterit?
Besohet se ndoshta treguesi më i dukshëm i marrëzisë së Luterit është megalomania e tij. Vullnetarisht ai kundërshtoi çdo strukturë autoriteti që ekzistonte në kohën e tij, duke qëndruar i vetëm kundër teologëve të shquar, kuvendeve të kishës, dhe madje edhe kundër papës.


• Cili ishte reagimi fillestar i Luterit para përfaqësuesve në Këshillin e Vormsit, ku iu bë thirrje të hidhte poshtë pikëpamjet e tij?
Reagimi fillestar i Luterit nuk ishte ai që paraqitet zakonisht, të qëndronte kundër Këshillit të Vormsit dhe të kundërshtonte me fjalët e famshme: “Këtu qëndroj. S’mund të veproj dot ndryshe. Më ndimo o Perëndi.” Përkundrazi, Luteri kërkoi njëzetë e katër orë që të konsideronte se çfarë po i kërkohej të bënte. Ai e përdori këtë kohë për t’u lutur dhe për të medituar, dhe ditën tjetër u kthye në këshill dhe qëndroi i palëkundur për ungjillin.


• Çfarë anashkalojnë te Luteri ata që priren ta diagnostikojnë si të çmendur?
Ata që e diagnostikojnë Luterin si të çmendur anashkalojnë faktin se ai ishte një njeri shumë i zgjuar, i cili, para se të bëhej murg, kishte studiuar jurisprudencë. Me mendjen e tij të mprehtë dhe ligjore Luteri e zbatoi arsimimin e tij te ligji i Perëndisë dhe i kuptoi kërkesat e tij për përsosmëri.

• Cilat ngjarje në jetën e Luterit apo cilat tipare të personalitetit të tij ju japin ndjesinë më të thellë të kuptimit që Luteri kishte për mëkatin e tij dhe për shenjtërinë e Perëndisë?
Kjo pyetje është subjektive, por duhen marrë në konsideratë ngjarjet unike të jetës së Luterit apo tiparet e çuditshme të personalitetit të tij, të cilat reflektojnë mëkatin e tij dhe shenjtërinë e Perëndisë. Ngjarje dhe tipare të tilla mund të përfshijnë për shembull, meshën e parë të Luterit, gjyqin në Këshillin e Vormsit, dhe përdorimin e tepërt të dhomës së rrëfimit.


• Lexoni Romakëve 1:17. Cili ishte zbulimi i Luterit në lidhje me shprehjen “drejtësia e Perëndisë” në këtë varg?
Zbulimi i Luterit rreth shprehjes “drejtësia e Perëndisë” ishte që kjo shprehje nuk i referohej drejtësisë, përmes të cilës Vetë Perëndia është i drejtë. Ajo përshkruan drejtësinë e Perëndisë, të cilën Ai e siguron falas për ata që e vendosin besimin e tyre në Jezu Krishtin. Duke studiuar këtë varg Luteri kuptoi se drejtësimi mbështetet vetëm mbi drejtësinë e Krishtit.


• Cili ishte synimi kryesor i Dr. Sproul në këtë leksion? A ishte për të demonstruar marrëzinë e Luterit? Apo mos ishte diçka tjetër?
Përgjigjja për këto pyetje duhet të marrë në konsideratë qëllimin e Dr. Sproul për këtë seri, i cili është të tregojë çfarë ndodh kur njerëzit mëkatarë takojnë një Perëndi të shenjtë. Për këtë arsye, Dr. Sproul përpiqet të demonstrojë jo marrëzinë e Luterit, por kuptimin e tij për karakterin e Perëndisë, gjë e cila në vetvete shpjegon një pjesë të madhe të personalitetit të Luterit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>