Janar 2025
Lexo pasazhin
Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam ZOTI. — Levitiku 19:28
Tatuazhet
Ndonjëherë njerëzit lexojnë një varg ose deklaratë nga Dhiata e Vjetër në lidhje me tatuazhet, dhe me të drejtë pyesin nëse ky varg ose kjo deklaratë vlen edhe për sot. Besëlidhja e Moisiut ka përfunduar me vdekjen e Krishtit dhe tani jemi nën besëlidhjen e re. Prandaj, ky ligj nga besëlidhja e Moisiut nuk është drejtpërdrejt i detyrueshëm edhe për ne sot.1 Mirëpo çështja ose diskutimi që vazhdon edhe sot është nëse ndalesa e tatuazheve do të pasqyronte urtësi për një jetesë të perëndishme, një urtësi që do të ishte mirë ta ndiqnim edhe sot, apo nëse është një ndalim i veçantë vetëm për rrethanat e besëlidhjes së vjetër?
Ky urdhërim ndoshta i referohet vetëm praktikave fetare të kanaanenjve
Në të njëjtën fjali te Levitiku gjithashtu ndalohet të bëhet “prerje në mishin tuaj për një të vdekur”, që në fakt nuk ka të bëjë asgjë me ligjin fetar të hebrenjve, por që duhet të pasqyrojë një ndalesë kundër praktikave religjioze të kanaanenjve, të cilat lidhen me vdekjen e një shoku ose anëtari të familjes. Prandaj është e mundur që tatuazhet që diskutohen në këtë çështje të kenë lidhje gjithashtu me praktikat fetare të kanaanenjve. Por kjo nuk është e sigurt. R. K. Harrison thotë: “Rruajtja e flokëve dhe mjekrës në tempuj, ose shenjat e prerjes në lëkurë, ishin pjesë e praktikave pagane të vajtimit, dhe për këtë arsye ishin të ndaluara. Shëmtimi i lëkurës, që ndoshta përfshinte disa figura të zotave paganë, e turpëronte imazhin hyjnor në një person”2. Jay Sklar-i shkruan: “Tatuazhet që bëhen sot, të paktën në kulturat perëndimore, nuk kanë të njëjtën ndërlidhje pagane siç kishin në Izraelin e lashtë, kështu që besimtarët nuk e kanë më të ndaluar të bëjnë tatuazhe”3. Megjithatë, Gordon J. Wenham ka një arsyetim të ndryshëm dhe më të thellë për këtë urdhërim, ai thotë: “Njeriu nuk duhet të ndryshojë ngjashmërinë hyjnore që është në të duke bërë prerje në trupin e tij. Pamja e jashtme e popullit duhet të pasqyrojë gjendjen e tyre të brendshme si populli i zgjedhur dhe i shenjtë i Zotit (Ligji i Përtërirë 14:1–2).4”
Ky varg është pjesë e besëlidhjes së Moisiut si ligj për pastërtinë fizike
Edhe nëse Levitiku 19:28 do të tregonte se ky varg nuk ka lidhje me praktikat pagane, ndalimi ndaj tatuazheve ende duhet të shihet si pjesë e ligjeve të pastërtisë fizike që ishin unike për besëlidhjen e Moisiut, siç janë ndalimi i prerjes së flokëve ose mjekrës (Levitiku 19:27), ndalimi ndaj ngrënies nga një pemë frutore deri në vitin e pestë (Levitiku 19:23–25), ndalimet ndaj bashkimit të kafshëve, mbjelljes së dy llojeve farash në një fushë, ose veshjes së rrobave të bëra nga dy lloje materialesh (Levitiku 19:19). Të gjitha këto ligje theksojnë pastërtinë fizike të jashtme, një pastërti të dukshme, që nuk është më e detyrueshme për njerëzit në besëlidhjen e re. Duket se nuk ka arsye për të parë ndonjë parim moral që mbetet i rëndësishëm në këto urdhërime. Prandaj, nuk ka ndalim biblik ndaj tatuazheve për njerëzit që nuk vazhdojnë duke jetuar më nën besëlidhjen Moisiut.
A është e mençur të bësh tatuazh?
Përtej çështjes se a ka një ndalesë të drejtpërdrejtë nga Bibla kundër tatuazheve, pyetja më e rëndësishme që duhet të ngrihet është se, a është e mençur të bësh një tatuazh.5 Të kesh një tatuazh është e ngjashme sikur të blesh një rrobë të cilën për gjatë gjithë jetës tënde do të detyrohesh ta mbash veshur, edhe nëse nuk të pëlqen më. Tatuazhet janë të vështira dhe shumë të shtrenjta për t’i larguar me një kosto që arrin deri në rreth 10,000$, varësisht nga numri i seancave që nevojiten6, por ashtu edhe procesi i largimit kërkon disa trajtime që shkaktojnë shumë dhimbje.7 Tatuazhet që janë të dukshme, janë pengesë ose edhe janë të ndaluara kur kërkon punë në shumë kompani të ndryshme. Një sondazh që është bërë nga salary.com ka shfaqur që 76% të anketuarve menduan se tatuazhet ose vëthët në vende të caktuara, kanë dëmtuar mundësitë e punësimit gjatë një interviste për punë. Më në fund, 42% kuptuan se tatuazhet janë të papërshtatshme për një vend pune8. Një tjetër studim i bërë nga “Scotland’s University of St. Andrews” ka treguar se menaxherët mendonin se ata punëtorë që kanë një tatuazh të dukshëm, mund të shiheshin si “të neveritshëm, të pakëndshëm dhe të çrregullt” nga klientët.9 Secili person që është duke e menduar të bëjë një tatuazh, duhet të jetë të paktën i vetëdijshëm për këto mendime të përgjithshme që ekzistojnë në lidhje me tatuazhet.
Vetëgjymtim
Ndonjëherë njerëzit i lëndojnë me qëllim trupat e tyre, duke i shkaktuar vetes prerje ose plagë të ndryshme. Kjo situatë është ndryshe prej tatuazheve, sepse qëllimi që dikush ka për të bërë një tatuazh është të përmirësojë ose zbukurojë pamjen e jashtme të trupit (nëse e bën atë apo jo është një çështje e diskutueshme dhe e shijes personale). Por me vetëgjymtim, qëllimi është të lëndojë trupin dhe të prishë dukjen e tij/saj të jashtme.
Mësimi i Palit në lidhje me trupat tanë është shumë i vlefshëm në këtë situatë. Siç kemi parë më herët, ai thotë: “...trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia” (1 e Korintasve 6:19). Ne si krishterë, kemi Frymën e Shenjtë që jeton në ne, prandaj nuk duhet t’i ç’nderojmë trupat tanë.
Një nga qëllimet që Satani ka është që të shkatërrojë natyrën njerëzore, e cila është bërë në imazhin e Perëndisë. Jezusi tha: “...ai ishte vrasës që nga fillimi…” (Gjoni 8:44). Ai është si një vjedhës që “vjen veçse për të vjedhur dhe për të vrarë e për të shkatërruar” (Gjoni 10:10). Prandaj bashkë me dëshirat tona personale për të mëkatuar dhe urrejtjes ndaj vetes, një faktor që e motivon vetëgjymtimin mund të jetë edhe ndikimi demoniak, që e shtyn një person drejt lëndimit të vetes së tij apo saj.
Çështja e idesë se çfarë e ndikon këtë lloj sjellje është shumë e rëndësishme dhe kërkon urtësi dhe aftësi frymërore për ta kuptuar. Në shumë raste kërkohet ndihmë nga një këshillues i krishterë, i cili është i pjekur dhe urtë, bashkë me shumë lutje, në mënyrë që kjo çështje të adresohet me efektshmëri të lartë.
Ky artikull është përshtatur nga “Christian Ethics: Living a Life That Is Pleasing to God” nga Wayne Grudem.
Wayne Grudem (PhD, Universiteti i Kambrigjit) është profesor i dalluar i kërkimeve teologjike dhe studimeve biblike në “Phoenix Seminary” në Phoenix të Arizonës. Ai është autori i më shumë se njëzet e pesë librave duke përfshirë Bible Doctrine dhe Christian Beliefs.
Përktheu: Nazmi Berisha | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/are-christians-prohibited-from-getting-tattoos-leviticus-19/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025