6 janar

Janar 2022


Urdhërimi që na jepet në këtë pasazh është që t’i afrohemi Perëndisë. Synimi i madh i shkrimtarit të librit të Hebrenjve është që ne t’i afrohemi Perëndisë, që të kemi përbashkësi me Të, që të mos kënaqemi me një jetë të krishterë të distancuar nga Perëndia.

Ky lloj të afruari nuk është një veprim fizik. Nuk është si ndërtimi i një kulle Babeli drejt qiellit përmes arritjeve tona. Nuk është e nevojshme që të shkojmë në një ndërtesë kishe. As të dalim para kishës për t’u lutur. Ky është një veprim i padukshëm i zemrës. Ti mund ta bësh këtë edhe teksa qëndron krejt në qetësi, teksa je shtrirë në një shtrat spitali, ose në një tren duke shkuar për në punë.

Kjo është qendra e ungjillit—për këtë ishin kopshti i Gjetsemanit dhe e Premtja e Mirë—që Perëndia ka bërë gjëra të mahnitshme dhe të kushtueshme për të na afruar me veten e Tij. Ai ka dërguar Birin e Tij për të vuajtur dhe për të vdekur, që nëpërmjet Tij, ne të mund të afrohemi me Të. Në planin e Tij madhështor të shpengimit, Ai ka bërë gjithçka në mënyrë që ne të mund të afrohemi me Të. Kjo afërsi vlen për gëzimin tonë dhe për lavdinë e Tij.

Ai nuk ka nevojë për ne. Nëse ne qëndrojmë larg, Ai nuk varfërohet. Ai nuk ka nevojë për ne, që të jetë i lumtur në bashkësinë e Trinitetit. Sidoqoftë, Ai e madhëron mëshirën e Tij duke na dhënë hyrje të lirë përmes Birit të Tij, pavarësisht mëkatit tonë, në të vetmin Realitet që mund ta kënaqë shpirtin tonë plotësisht dhe përjetësisht, domethënë, te vetja e Tij. “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11).

Ky është vullneti i Perëndisë për ty tani, teksa i lexon këto fjalë. Kjo është arsyeja pse Krishti vdiq: që ti t’i afrohesh Perëndisë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia