m

Qershor 2024 


Moisiu është një prej figurave më të rëndësishme të Biblës. Më poshtë renditen pesë gjëra rreth tij, të cilat ka të ngjarë që nuk i dini:

1. Moisiu ishte më i vogli mes tre fëmijëve.

Motra e tij, Miriami, ishte aq e madhe sa të shihte se çfarë do t’i ndodhte foshnjës dhe pastaj të fliste për të me vajzën e Faraonit (Eksodi 2:1-10). I vëllai, Aaroni, ishte tre vjet më i madh se ai (shih Numrat 33:39 dhe Ligji i Përtërirë 34:6).

2. Jeta e Moisiut ndahet në tri periudha prej dyzet vjetësh secila.

Edhe pse Eksodi 2 nuk e përmend këtë fakt, Veprat e Apostujve 7:23 na tregon se Moisiu ishte dyzet vjeç kur vrau egjiptasin. Veprat e Apostujve 7:30 na thotë se kaluan plot dyzet vjet, gjatë të cilave Moisiu kulloste delet në shkretëtirë, përpara se Perëndia t’i shfaqej në ferrishten që digjej pa u konsumuar. Po ashtu, Ligji i Përtërirë 34:6 na thotë se ai vdiq në moshën 120 vjeç. Kështu që Moisiu kaloi dyzet vjet në Egjipt, dyzet vjet në shkretëtirë duke punuar si bari delesh dhe dyzet vjet në shkretëtirë duke i udhëhequr izraelitët si bari.

3. Moisiu u martua me një grua etiopase (Numrat 12:1).

Ne e dimë se u martua me Seforën, të bijën e një prifti Midianit (Eksodi 2:16, 21). Mirëpo, a mos ishte vetë Sefora gruaja etiopase që përmendet te Numrat 12? Janë disa, sikurse Agustini dhe Kalvini, që mbrojnë pikëpamjen se Sefora dhe gruaja etiopase ishin e njëjta grua. Ka të tjerë që mbrojnë pikëpamjen se gruaja etiopase ishte gruaja e dytë, sepse Kushi zakonisht i referohet Etiopisë. Meqenëse vetë Bibla nuk e sheh të arsyeshme të na japë më tepër informacion në lidhje me këtë çështje, duhet ta lëmë të papërcaktuar.

4. Moisiu ishte “një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut” (Numrat 12:3).

Ky pohim, që me shumë gjasë u hodh në letër prej vetë Moisiut, në vetvete duket një kontradiktë. A është e mundur që një njeri zemërbutë ose i përulur të shkruajë si duhet për zemërbutësinë e vet? Studiuesit kritikë të Biblës mendojnë se ky varg është një tregues se Moisiu nuk e shkroi atë. Megjithatë, po ta kuptojmë si duhet, bëhet fjalë për një koment që është thelbësor për kontekstin. Miriami dhe Aaroni ishin hedhur në sulm kundër të drejtës së Moisiut për të drejtuar. Mirëpo, në vend që të përgjigjej me zemërim e me hatërmbetje, Moisiu e la Perëndinë që të fliste për të. Siç thotë komentari i Keil-it dhe Delitzsch-it: “Për shkak se ishte njeriu më zemërbutë në faqen e dheut, ai mund t’ia linte me qetësi sulmin që drejtohej kundër tij, Gjykatësit të gjithëurtë dhe të drejtë, i cili e kishte thirrur dhe e kishte aftësuar për këtë detyrë”.[1] 

5. Mosiu dhe Elia ishin ata që iu shfaqën Jezusit në Malin e Shpërfytyrimit (Mateu 17:1-8; Marku 9:2-8; Luka 9:28-36).

Është një çështje që është debatuar përherë se përse pikërisht Moisiu dhe Elia iu shfaqën Jezusit dhe askush tjetër nga figurat e shquara të Dhiatës së Vjetër. Disa mbrojnë pikëpamjen se Moisiu dhe Elia përfaqësonin përkatësisht ligjin dhe profetët. Të marrë së bashku si persona, ata përfaqësojnë gjithë Dhiatën e Vjetër. Për disa të tjerë, ata përfaqësojnë dy periudhat kryesore të mrekullive në Dhiatën e Vjetër. Pikëpamja ime është se Moisiu dhe Elia ishin dy njerëzit e Dhiatës së Vjetër që u takuan me Zotin në Malin Sinai. Pra, është me vend që ata u takuan me Zotin tonë në transformimin e Tij, duke e afirmuar kështu identitetin e Tij mesianik.


[1] Karl Fredreich Keil dhe Franz Delitzsch, Commentary on the Old Testament: Numbers, https://biblehub.com/commentaries/numbers/12-3.htm


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/5-things-know-about-moses 
Autori: Benjamin Shaw
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin
5 gjëra që duhet t’i dini për Besoret