“…Medet, ky popull ka kryer një mëkat të madh dhe ka bërë për vete një perëndi prej ari. Megjithatë tani, të lutem, falua mëkatin e tyre; përndryshe, më fshi nga libri yt që ke shkruar!” EKSODI 32:31-32
Kur izraelitët u shpenguan nga skllavëria, Perëndia i udhëzoi që t’u kërkonin ish-zotërinjve dhe ish-pronarëve të tyre egjiptianë ar, argjend dhe rroba për t’i marrë me vete ndërsa do të shkonin në Tokën e Premtuar. Kështu do të sigurohej materiali për ndërtimin e tendës së tabernakullit, në të cilën Perëndia do të banonte mes popullit të Tij.
Kur Moisiu u thirr në malin Sinai për t’u takuar me Perëndinë, izraelitët nuk kishin shkuar larg. Megjithatë, kur Moisiu u vonua më shumë nga ç’pritej, popullit i sosi durimi dhe i kërkoi me këmbëngulje vëllait të tij, Aronit: “Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh…” (Eksodi 32:1). Kështu Aroni u tha atyre: “Hiqni unazat prej ari… dhe m’i sillni mua”, dhe e përdori arin e tyre për të bërë një viç prej ari: “…ata thanë: “O Izrael, ky është perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit!” (v. 2, 4). Perëndia u kishte siguruar atyre gjithçka që u nevojitej për punën në të cilën do t’i thërriste, por ata, përkundrazi, abuzuan me dhuratat e Tij, për të ndjekur ambiciet e tyre dhe për të adhuruar një perëndi të rremë, të krijuar nga vetë ata. Ne mund të mos bëjmë një viç prej ari, por nuk jemi të imunizuar nga të bërët e së njëjtës gjë me atë që Perëndia na ka dhënë me dashamirësi.
Kur Moisiu u kthye, ai u trondit nga gjithçka që pa. Duke u përkulur deri në tokë përpara Perëndisë, ai ndërmjetësoi në emër të popullit, duke thënë në thelb: Ti je Perëndia i cili ka bërë një besëlidhje me popullin Tënd. Të lutem, mbaje besëlidhjen Tënde! Edhe pse e kemi marrë atë që na ke dhënë dhe e kemi shpërdoruar duke ndërtuar perëndi të rremë, mos na braktis. Të lutemi, mos e braktis punën e duarve të Tua (Eksodi 32:11-13).
Është mbresëlënëse që Moisiu, i cili ishte krejtësisht i pafajshëm, duhej ta identifikonte veten me popullin. Është akoma më mbresëlënëse që ai të ishte më i gatshëm për t’u fshirë nga “libri” i Zotit për popullin e Tij, sesa ta shihte popullin të dëbuar nga Perëndia.
Në ndërmjetësimin e Moisiut, ne shohim tregues të vegjël të asaj që do të përmbushej përfundimisht në Besëlidhjen e Re. Kur bëhet fjalë për fëmijët e Tij, Perëndia nuk është kurrë autori i punëve të papërfunduara. Krishti ndërmjetëson për ne dhe “gjithë sa janë premtime të Perëndisë, ‘po’-ja e tyre është në të” (II Korintasve 1:20). Me fjalë të tjera, premtimet e Perëndisë — që Ai do ta mbajë popullin e Tij dhe do ta përfundojë veprën e mirë që ka nisur në ta — përmbushen plotësisht në Vetë Jezusin.
Ne jemi “të prirur të endemi” dhe “të prirur ta braktisim Perëndinë që duam”. Ne jemi ata që atë që na jep Perëndia, e përdorim për të ndjekur idhujt tanë. Ne kemi nevojë për një ndërmjetës — dhe e kemi një të tillë! Zoti Jezus u dënua në mënyrë që neve të mund të na falej mëkati ynë. Kur ia rrëfejmë mëkatin tonë Jezusit, po vijmë tek Ai që tashmë ka ndërhyrë për ne. Lëreni dashurinë e jashtëzakonshme që Ai ka për ju, ta rifitojë zemrën tuaj nga bredhja pas idhujve. Dhe kthehuni e përdoreni gjithçka që keni, për t’i shërbyer Perëndisë që ju dha gjithçka që ju nevojitet.
