“Tani, kur [Pali] erdhi në Jerusalem, ai provonte t’u bashkohej dishepujve, por të gjithë i frikësoheshin, duke mos besuar se ishte dishepull. Por Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai pa Zotin gjatë rrugës…” VEPRAT E APOSTUJVE 9:26-27
Një mbrëmje në vitet 1960, një hipi i çrregullt mbërriti në një kishë shumë të madhe dhe me kod serioz veshjeje, pranë bregdetit të San Franciskos. Kur hyri brenda, asnjë nga mikpritësit nuk e përshëndeti. Kisha ishte e mbushur plot dhe teksa shikonte përgjatë rreshtave, askush nuk lëvizi — dhe kështu ai vazhdoi të ecte. Më në fund, pasi kishte ecur deri në pjesën e përparme pa gjetur një vend, ai u ul këmbëkryq në dysheme, mu në mes të rruginës midis radhëve të karrigeve. Pikërisht në atë çast, dhjaku kryesor — një burrë shtatvogël, i veshur me kostum dhe me kravatën të kapur me një karficë — nga fundi i sallës, filloi të ecte drejt fillimit të saj. Ai shkoi drejt të riut — dhe u ul në dysheme përkrah tij!
Ai dhjak ishte një “Barnaba”. Një Barnaba në një grup prej pesëqind vetash luajti rolin më të rëndësishëm në jetën e një të sapokthyeri në besim.
Si dikush i sapokthyer në krishterim, vetë Pali nuk kishte ku të shkonte. Besimtarët në Jerusalem ishin të frikësuar dhe dyshonin nëse ai kishte përjetuar vërtet një ndryshim rrënjësor në jetën e tij. Në këtë çast të jetës së tij, Pali kishte nevojë për dikë që ta inkurajonte, ta udhëhiqte dhe ta njihte me kishën. Për këtë detyrë, Perëndia zgjodhi një burrë të zakonshëm, të cilin kishte qenë duke e përgatitur. Ky burrë ishte një i huaj nga Qiproja, me një prejardhje shumë të mirë fetare, të cilit i ishte vënë një emër i ri nga ata që e njihnin: Barnaba, që do të thotë “Bir i zemërdhënies” (Veprat e Apostujve 4:36). Kjo karakteristikë e Barnabës — natyra e tij zemërdhënëse — bëri që ai të kishte ndikim në jetën e Palit. Në Shkrim nuk na thuhet se Barnaba e drejtoi Palin diku, se i vizatoi një hartë ose i sugjeroi dikë me të cilin të mund të fliste. Jo, thjesht na jep katër fjalë të mrekullueshme: “Por Barnaba e mori.” Për ta çuar dikë atje ku duhet të shkojë, duhet kohë, përpjekje dhe përshtatje planesh. Ndërkohë që shumë njerëz as që do të shqetësoheshin, Barnaba ndërhyri.
Barnaba do të bëhej shoqëruesi i Palit në udhëtimin e tij të parë të madh misionar (Veprat e Apostujve 13:1-3). Jo vetëm fillimi i jetës së krishterë të Palit, por edhe fillimi i dëshmisë së tij ndaj johebrenjve i detyrohej shumë këtij heroi që nuk është lavdëruar sa duhet për kontributin e tij. Vetëm në qiell do të bëhet e qartë se sa shumë nga sukseset e shërbesës së Palit erdhën si rezultat i mënyrës se si Perëndia e vendosi fillimisht dhe vazhdimisht Barnabën përkrah tij.
Në kishat tona, kemi nevojë për njerëz me frymën e Barnabës — njerëz që rrezatojnë këtë lloj dhembshurie, të cilët do të japin kohë, do të bëjnë përpjekje dhe do t’i përshtatin planet e tyre, në mënyrë që të afrojnë dhe të mirëpresin ata që janë të rinj ose që gjenden në vështirësi. Në të vërtetë, në shumë bashkësi, ata tashmë janë të pranishëm; çdo javë, kisha fuqizohet si rezultat i shërbimit të burrave dhe të grave që kuptojnë se nuk ka çaste pa peshë në ditët e tyre. Nuk ka takime të rastësishme. Nuk ka njerëz të parëndësishëm. Nuk ka detyra të papërfillshme. Çdo kishë ka nevojë për njerëz të tillë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë atë që është e nevojshme, për të “marrë” dikë nën krahë, ashtu siç mori Barnaba Palin. A do të jesh ti një prej tyre?
