“…filloi të bërtasë e të thotë: ‘O Bir i Davidit, Jezus, ki mëshirë për mua!’. Dhe shumë njerëz e qortonin që të heshtte, por ai bërtiste edhe më tepër: ‘O Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!’. Dhe duke ndaluar, Jezusi tha: ‘Thirreni!’…” MARKU 10:47-49
Rreth e qark të verbrit po afrohej Pashka dhe turma po shtohej. Kishte një ndjesi të madhe pritjeje. Për shumicën e njerëzve në turmë, nuk kishte kohë për t’u ndalur — sigurisht, jo për lypësit që ishin përherë të pranishëm në portat e qytetit. Ata ishin gjithmonë aty, dhe të gjithë njerëzit në periferi të Jerikos i njihnin mirë. Ka të ngjarë që shumë njerëz nga turma do ta kishin parë aq shpesh këtë të verbër, Bartimeun, saqë nuk e vinin më re.
Turma ishte aq e dhënë pas Jezusit, saqë Bartimeu ndoshta shihej si një shqetësim i tmerrshëm. Reagimi i tyre ndaj thirrjeve të tij për mëshirë — duke e qortuar dhe duke u përpjekur që t’ia mbyllnin gojën — sugjeron që ata mendonin se ky anëtar i shpërfillur i shoqërisë nuk mund të jepte asnjë kontribut të dobishëm në atë që po bënte Jezusi. Mirëpo në përpjekjen e tyre për ta qetësuar, ata u bënë pengesë për misionin e Jezusit — pengesë për vetë atë që pretendonin se po e ndiqnin dhe për vetë çështjen që thoshin se po mbështesnin.
Megjithatë, ky burrë i verbër nuk kishte thjesht një interes të vogël për Jezusin, prandaj vazhdoi t’i thërriste Atij. Tregimi i Markut e shfaq dhembshurinë e përsosur të Krishtit me një frazë të thjeshtë: “duke ndaluar, Jezusi” — tri fjalë hiri. A mund ta imagjinoni reagimin e turmës kur Jezusi u tha njerëzve që e qortonin atë njeri: “Thirreni!”? Me siguri që kjo solli njëfarë sikleti të merituar!
Ndoshta ka njerëz në jetën tuaj për të cilët e keni të vështirë të luteni. Ndoshta ka disa që thjesht dëshironi t’i qortoni ose t’i shpërfillni. Ndoshta thjesht nuk doni të merreni me diçka të sikletshme. Mund të duket si bezdi e madhe ta ftosh dikë në kishë, të ulesh me të, të hash me të dhe të përfshihesh në jetën e tij. Nuk është e lehtë dhe kërkon kohë e përpjekje. Ne do të parapëlqenim që njerëz të tillë ta dëgjonin ungjillin nga dikush tjetër. Është kaq e lehtë të biesh në këtë mënyrë të menduari pa e vënë re; por kur veprojmë kështu, ne bëhemi njëlloj si turma: një pengesë që njerëzit të takohen me Shpëtimtarin e tyre. Jezusi na thotë: Mos i qortoni. Thirrini. Pikërisht për këtë erdha.
Perëndia pastë mëshirë për ne kur, ashtu si turma, jemi plot indinjatë ndaj ndërhyrjeve në planet tona dhe prishjes së preferencave tona, të cilat shkaktohen nga ata që thërrasin për mëshirën e Tij. Vetëm Krishti i hap sytë e verbër, mirëpo Ai na ka besuar përgjegjësinë dhe privilegjin për të shpallur këto fjalë: “Kurajë… Po të thërret.”
