“Dhe Jezusi, si ngriti sytë drejt dishepujve të vet, nisi të thoshte:
‘Lum ju të varfrit, sepse juaja është Mbretëria e Perëndisë!’.” LUKA 6:20
Jezusi lartëson atë që bota e përçmon dhe refuzon atë që bota e admiron.
Kjo është sfida e madhe e Lumnive, e cila del më qartë se kudo tjetër këtu, në mësimin e Jezusit mbi pasurinë. Ne jetojmë në një botë që na bën thirrje të mburremi, sidomos në sferën e financave dhe të pasurisë materiale. Rehatia është mbret në kulturën tonë konsumiste dhe ajo kulturë është mjedisi në të cilin jetojmë të gjithë ne.
Ne ballafaqohemi me këtë realitet ndërsa Jezusi e fillon mësimin e Tij në këtë predikim duke thënë: “Lum ju të varfrit.” Çfarë po bën Ai? A po sugjeron Ai se varfëria materiale është në njëfarë mënyre çelësi i shpëtimit? Absolutisht jo! Përkundrazi, Ai po shpjegon se ata që bëhen me të vërtetë të vetëdijshëm për varfërinë e tyre frymërore do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë.
Sigurisht që ka njerëz të cilët thonë se Jezusi po mësonte që, nëse je i varfër, duhet të jesh me të vërtetë i gëzuar, pasi je automatikisht pjesë e mbretërisë së qiellit. Mirëpo ajo lloj varfërie nuk është çelësi për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë, madje as pasuritë në vetvete nuk janë arsyeja kryesore pse dikush përjashtohet nga mbretëria. Në fakt, si të varfrit, ashtu dhe të pasurit, janë njëlloj të mirëpritur në mbretëri, nëse kuptojnë nevojën e tyre për falje dhe vijnë me besim te Jezusi si Shpëtimtari i tyre. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë një gruaje me emrin Lidia, e cila jetonte në Filipi si tregtare e pasur, nuk do t’i ishin hapur kurrë sytë dhe zemra për të vërtetën e ungjillit (Veprat e Apostujve 16:11-15). Jo, ajo që nevojitet, është vetëdija për varfërinë tonë frymërore pa Krishtin.
Megjithatë, është e rëndësishme të vëmë në dukje se varfëria financiare mund të jetë gjithashtu një mjet bekimi frymëror. Një varfëri e tillë shpesh i udhëheq burrat dhe gratë drejt zbulimit të varësisë së tyre të plotë në Perëndinë, jo vetëm për nevojat fizike dhe materiale, por edhe për bekimet frymërore. Prandaj, varfëria ka prirjen për të shkaktuar një reagim më të madh ndaj ungjillit sesa bollëku. Të gëzuarit e shumë gjërave materiale mund të na verbojë lehtësisht ndaj nevojës sonë më të madhe: të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë. Shpesh pasuria është toka në të cilën lulëzon krenaria, dhe kështu zemrat tona harrojnë se ajo që thotë Jakobi, vlen njëlloj si për të pasurit, ashtu edhe për të varfrit: secili prej tyre “do të kalojë si një lule bari” (Jakobi 1:10).
Siç e shpjegoi edhe John Calvin-i: “Vetëm ai që ka arritur fundin e vetes dhe mbështetet në mëshirën e Perëndisë, është skamës në frymë.” Varfëria sjell me vete sprovat e saj; por a nuk e keni kuptuar ndonjëherë se po kështu ndodh edhe me pasurinë, përmes tundimeve të saj të krenarisë, të vetëmbështetjes dhe të vetëkënaqësisë frymërore?
Prandaj, a jemi të gatshëm për ta pranuar varfërinë tonë frymërore? Apo mos vallë jemi tepër të sigurt në veten tonë dhe të kënaqur me pasuritë tona tokësore? Ja një nga mënyrat për të mësuar përgjigjen e vërtetë për këto pyetje: a mund t’i bëjë zemra jote jehonë lutjes së Agurit te Fjalët e Urta: “…mos më jep as varfëri, as pasuri…” (Fjalët e Urta 30:8)?
