“Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim më të mirë sesa Kaini;
nëpërmjet të cilit edhe mori dëshmi se është i drejtë (duke dëshmuar Perëndia
për dhuratat e tij)…” HEBRENJVE 11:4
Çfarë i bën veprimet tona të pranueshme përpara Perëndisë?
Te Zanafilla 4 tregohet historia e dy fëmijëve të parë që lindën në këtë botë — Kaini dhe Abeli: “Me kalimin e kohës, nga frutat e tokës Kaini i solli ZOTIT një ofertë; por Abeli i solli edhe ai nga të parëlindurit e kopesë së vet dhe yndyrën e tyre. Dhe ZOTI e çmoi Abelin dhe ofertën e tij, por nuk e çmoi Kainin dhe ofertën e tij…” (Zanafilla 4:3-5). Këtij flijimi i referohet autori i Hebrenjve kur na tregon për Abelin dhe besimin e tij.
Së pari, ai na thotë se ishte “me anë të besimit” që Abeli ofroi një flijim më të mirë se vëllai i tij. Nëpërmjet këtij flijimi, Abeli “mori dëshmi se është i drejtë”. Është e lehtë të humbasim në teoritë spekuluese për arsyen pse Perëndia i pranoi veprimet e Abelit, por jo ato të Kainit. Mirëpo ne duhet të qëndrojmë të fokusuar në faktet që na janë dhënë — dhe në thelb të asaj që na thuhet, ky fakt është i pamohueshëm: veprimet që Perëndia i pranon, janë të kënaqshme jo për shkak të përmbajtjes së tyre, por për shkak se janë një shprehje e jashtme e një zemre të përkushtuar dhe të bindur.
Arsyeja pse flijimi i Abelit ishte i pranueshëm, nuk ishte ngaqë ai ofroi një kafshë në vend të perimeve. Dallimi nuk ishte mes flijimeve të ofruara, por mes vetë flijuesve. John Calvin-i komenton mbi këtë gjë dhe vë në dukje se flijimi i Abelit u parapëlqye, ndërsa flijimi i vëllait të tij jo, për të vetmen arsye se “flijimi u ofrua me anë të besimit”.
Ky dallim përputhet me atë që Perëndia komunikon përmes profetëve. Për shembull, tek Isaia Perëndia thotë: “Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe shabatet, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me kuvendet solemne” (Isaia 1:13). Kjo është sikur Perëndia të jetë duke thënë: “Nuk më interesojnë gjithë ato blegërima të kecave dhe të qengjave, as pëllitjet e viçave. Unë dëshiroj bindjen më tepër se flijimin (shih I i Samuelit 15:22). Nëse doni të mbështeteni në këto vepra si mjete për ta bërë veten tuaj të pranueshëm përpara meje, dua ta dini se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.”
“Tani, pa besim është e pamundur për t’i pëlqyer Perëndisë…” (Hebrenjve 11:6). Veprat tona të mira janë rezultat i pranimit tonë nga Perëndia, jo mjeti për t’u pranuar prej Tij. Ato janë reagimi ynë ndaj dashurisë së Tij, jo mjeti për ta siguruar atë. Nëse do që veprimet e tua, ashtu si veprimet e Abelit, t’i sjellin lavdi dhe kënaqësi Perëndisë, kjo do të ndodhë nëse ato janë shprehje e jashtme e dashurisë sate për Të, e përkushtimit tënd ndaj Tij dhe e besimit tënd personal tek Ai. Prandaj, sot, mos iu bind Atij për t’u pranuar prej Tij ose për të ruajtur statusin tënd si i pranuar prej Tij. Këtë gjë e siguron vetëm besimi. Po ashtu, mos bjer në vetëkënaqje dhe të heqësh dorë nga bindja ndaj Tij, pasi tashmë je pranuar me anë të besimit. Përkundrazi, shijoje vendin tënd në dashurinë e Tij dhe lëre kënaqësinë e Tij të jetë motivi për bindjen tënde.
