14 janar

Janar 2022


Një nga aftësitë e jashtëzakonshme të mendjes njerëzore është aftësia për ta drejtuar vëmendjen e saj te diçka që ajo vetë e zgjedh. Ne mund të ndalojmë dhe t’i themi mendjes tonë: “Mendo për këtë, dhe jo për atë.” Ne mund ta përqendrojmë vëmendjen te një ide, te një tablo, te një problem apo te një shpresë.

Kjo është një fuqi e mahnitshme. Nuk besoj që kafshët e kanë këtë fuqi. Ka të ngjarë që kafshët të mos kenë aftësi vetë-reflektuese, por më tepër drejtohen nga impulsi dhe instinkti.

A e ke shpërfillur këtë armë të fuqishme në arsenalin e luftës tënde kundër mëkatit? Bibla na bëni thirrje herë pas herë që ta përdorim këtë dhuratë të jashtëzakonshme. Le ta marrim këtë dhuratë nga rafti, t’ia shkundim pluhurin dhe ta shfrytëzojmë.

Për shembull, Pali thotë te Romakëve 8:5-6: “Sepse ata, që jetojnë sipas mishit, e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që jetojnë sipas Frymës, në gjërat e Frymës. Sepse mendja e mishit është vdekje, por mendja e Frymës është jetë dhe paqe.”

Kjo është marramendëse. Ajo tek e cila e çon mendjen tënde, përcakton nëse jeton apo vdes.

Shumë prej nesh, jemi bërë tepër pasivë në kërkimin tonë për ndryshim, plotësi dhe paqe. Kam përshtypjen se në epokën tonë plot terapi kemi rënë në mendësinë pasive që thjesht “flasim për problemet tona”, ose “i trajtojmë çështjet tona”, ose “zbulojmë rrënjët e thyerjes tonë në origjinat tona familjare”.

E megjithatë, në Dhiatën e Re dalloj një përqasje jo pasive dhe shumë më agresive për të ndryshuar, domethënë, që të çosh mendjen. “Kini në mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi dhe” (Kolosianëve 3:2).

Emocionet tona qeverisen më së shumti nga ajo që konsiderojmë—ku qëndrojmë gjatë me mendjen tonë. Për shembull, Jezusi na tha që ta mposhtim emocionin e ankthit përmes asaj që konsiderojmë: “Vini re korbat...Vini re si rriten zambakët” (Luka 12:24, 27).

Mendja është dritarja e zemrës. Nëse e lejojmë mendjen tonë që vazhdimisht të qëndrojë në errësirë, zemra do të ndihet në errësirë, por nëse e hapim dritaren e mendjes dhe e lejojmë dritën të hyjë brenda, zemra do ta ndiejë dritën.

Mbi gjithçka, kjo aftësi e madhe e mendjes tonë për t’u përqendruar dhe për të konsideruar duhet të përdoret për të kujtuar Jezusin (Hebrenjve 12:3). Prandaj, le të bëjmë këtë: “Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia