“Deri kur, o ZOT, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh? Unë këlthas: ‘Dhunë!’, por ti nuk shpëton. Përse më bën të shikoj paudhësinë dhe më bën të shoh çoroditjen?…” HABAKUKU 1:2-3
Është tundim që të hamendësojmë se jemi shumë larg nga rrethanat që përshkruhen në Besëlidhjen e Vjetër. Mirëpo ndërsa lexojmë ankesën e Habakukut në këto vargje, mund të kuptojmë se, edhe pse jemi larg në aspektin gjeografik dhe kronologjik, nuk jemi dhe aq larg nga situata në të cilën e gjeti veten profeti Habakuk.
Ai përshkroi probleme me njerëzit që ishin pjesë e popullit të Perëndisë. Ata ishin larguar nga plani që Perëndia kishte për ta, dhe nuk dukej sikur do të ktheheshin ndonjëherë. Më e keqja ishte që dukej sikur Perëndia nuk po ndërhynte. Çështja, siç e shihte Habakuku, ishte e dyfishtë: koha e Perëndisë (Deri kur do ta tolerosh paudhësinë?) dhe toleranca e Tij (Përse e toleron?). Këto pyetje mund t’i dëgjojmë edhe sot nga goja e shumë besimtarëve të matur, teksa ata shohin kishën: “Deri kur do të vazhdojë kjo gjë? Pse vallë Perëndia ynë i mirë, i moralshëm dhe i gjithëpushtetshëm, të cilit i shërbejmë, e toleron kalbjen frymërore dhe morale mes atyre që rrëfejnë se janë ndjekësit e Tij?”.
A je përleshur ndonjëherë me këto pyetje? Nuk je vetëm; kjo nuk është një çështje e re. Populli besnik i Perëndisë është përleshur me këtë gjatë gjithë historisë. Ja dy vëzhgime të cilat do të jenë të dobishme për ne ndërsa ballafaqohemi me pyetjet “Deri kur” në jetën tonë.
Së pari, ne mund të jemi mirënjohës që Perëndia nuk është aq i pashpirt sa t’u përgjigjet lutjeve tona sipas kohës sonë. Vonesat e Perëndisë janë gjithmonë të qëllimshme. Këndvështrimi i Tij është shumë herë më gjithëpërfshirës nga sa mund ta imagjinojmë. Ai mund të vonohet që kështu të trajtojë egoizmin tonë ose një zonë mosbindjeje në jetën tonë, në mënyrë që të na mësojë se si t’i besojmë Atij ose të na shpëtojë nga vetja. Kjo është një nga arsyet pse Bibla shpesh na bën thirrje që të presim në Zotin. Zhgënjimet, dështimet dhe pështjellimet tona mund t’i sjellim nën sigurinë gjithëpërfshirëse të qëllimit të përjetshëm të Perëndisë.
Së dyti, ne mund të ndjekim shembullin e profetit duke kërkuar ndihmën e Perëndisë. Habakuku e çoi ankesën e tij te vendi i vetëm ku duhet t’i çojmë edhe ne tonat: te Zoti. Ai e kuptoi atë që thotë psalmisti: “Ndihma ime vjen nga ZOTI, që ka bërë qiejt dhe tokën” (Psalmi 121:2). Psalmet janë të mbushura plot me shembuj besimtarësh të perëndishëm, të cilët ia çojnë Perëndisë pyetjet dhe pështjellimin e tyre. Kjo na jep edhe neve leje për të bërë të njëjtën gjë. Ai e kupton kur ne thërrasim “Deri kur?” dhe “Përse?”. Përgjigjja e Tij përfundimtare na është dhënë në Jezusin dhe në triumfin e Tij. Atij i pëlqen të sjellë dritat e para të agimit pas natës më të errët. Prandaj, teksa sheh zemrën, jetën ose kishën tënde, dhe ke prirjen për të pyetur: “Deri kur, o ZOT, do të bërtas?”, mund të gjesh ngushëllim në fjalë të tilla:
Perëndia është ende mbi fron,
Të Tijtë gjithmonë do t’i kujtojë;
Edhe pse me sprova dhe barrë ngarkuar,
Ai kurrë nuk do të na braktisë.
