“Atëherë Simon Pjetri, duke pasur një shpatë, e nxori dhe i ra skllavit të kryepriftit, dhe i preu veshin e djathtë… Atëherë Jezusi i tha Pjetrit: ‘Fute shpatën në mill! A mos nuk do ta pi unë kupën të cilën ma ka dhënë Ati?!’.” GJONI 18:10-11
Arrestimi i Jezusit në Kopshtin e Gjetsemanit e zbuloi përfundimisht nënshtrimin e Tij ndaj Atit. Kur ushtarët erdhën për ta kapur, Jezusi tashmë e kishte vendosur që do ta pinte kupën e vuajtjes — vdekjen e Tij në kryq — që ajo të mund të ishte një kupë shpëtimi për ne.
Por cili prej dishepujve ndërhyri, sikur Jezusi t’i kishte bërë një shenjë? Natyrisht që i rrëmbyeri Simon Pjetër — duke mbajtur në dorë një shpatë! Pjetri nuk ishte i panjohur për veprimet dhe fjalët e flakta. Ai ishte orvatur të ecte mbi ujëra drejt Krishtit. Ishte përpjekur ta qortonte Krishtin. Kishte ofruar ta jepte jetën për Krishtin. E megjithatë, menjëherë pasi u hodh në mbrojtje të Jezusit, nga frika ai do ta mohonte edhe që e njihte Jezusin.
Reagimi i Pjetrit, kur e pa Mësuesin e tij të arrestuar, ishte krejtësisht i kuptueshëm, por edhe plotësisht i gabuar. Edhe pse Pjetri ishte i gatshëm për të luftuar për Krishtin këtu, në të vërtetë ai po luftonte kundër Krishtit. Ai po luftonte kundër vetë vullnetit të Perëndisë, i cili kishte caktuar që Jezusi të ishte flijimi shlyes për mëkatet. Shembulli i Pjetrit na përcjell një mësim të rëndësishëm; siç na nxit Calvin-i: “Le të mësojmë të zbutim zellin tonë. Ndonëse kotësinë e mishit asnjëherë nuk e mban vendi për të guxuar më shumë sesa na urdhëron Perëndia, le të mësojmë se zelli ynë do të dalë për keq kurdoherë që guxojmë të ndërmarrim diçka përtej asaj që thotë fjala e Perëndisë.”
Duke e ditur se veprimi i Pjetrit kishte nevojë për korrigjim, Jezusi ndërhyri me një pyetje retorike: “A mos nuk do ta pi unë kupën të cilën ma ka dhënë Ati?!”. Ai po pohonte atë pjesë të vullnetit të Perëndisë për të cilën sapo ishte lutur që ta pranonte, pikërisht veprimin që më vonë e shtyu të thërriste në kryq: “O Perëndia im, o Perëndia im, përse më braktise?” (Mateu 27:46). Nëpërmjet vuajtjes së Tij, lavdia e Tij u madhërua dhe shpëtimi iu ofrua falas të gjithë atyre që mund të besonin. Asnjë shteg që Pjetri mund të kishte sajuar, nuk mund të kishte qenë më i mirë se ky, dhe ai po gabonte duke i rezistuar.
Kur padurimi ynë kërkon të ndërhyjë në planet e Perëndisë, ne duhet të mësojmë t’i lëmë mënjanë shpatat tona të figurshme. Ne duhet t’i besojmë planit të Perëndisë, të presim për kohën e Tij dhe të veprojmë sipas urdhrit të Tij. Sa më shumë të njihemi me Shkrimet — duke njohur historinë e madhe, premtimet dhe të vërtetat që gjenden brenda tyre — aq më shumë do t’i kuptojmë planet e Tij. Mirëpo edhe atëherë, do të ketë raste kur udhët e Tij do të jenë shumë të mistershme për ne dhe do të tundohemi të luftojmë kundër shtegut nëpër të cilin po na udhëheq Ai. Ndoshta ti po e bën këtë gjë pikërisht tani.
Merri në zemër fjalët e Krishtit drejtuar Pjetrit: “Fute shpatën në mill!”. Besoji dorës së dashur të Perëndisë, bindju urdhërimeve të Tij dhe ndiq udhëheqjen e Tij. Ai është “[filluesi] dhe [përfunduesi i] besimit” (Hebrenjve 12:2), dhe historia që Ai po shkruan, është më e lavdishme sesa mund ta imagjinosh ose ta krijosh ti vetë.
