gusht 11

Gusht 2022


Hiri nuk është vetëm prirja e Perëndisë për të na bërë të mirën atëherë kur nuk e meritojmë–këtë e quajmë “favor i pamerituar”; hiri i Perëndisë është fuqi nga Perëndia, që vepron në jetët tona dhe bën që të ndodhin gjëra të mira në ne dhe për ne–të cilat gjithashtu nuk i meritojmë.

Pali tha se ne e përmbushim vendosmërinë tonë për të bërë mirë “me fuqinë e tij” (vargu 11). Dhe pastaj ai shton në fund të vargut 12: “sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.” Fuqia që në fakt punon në jetët tona për ta bërë të mundur bindjen, që lartëson Krishtin, është ushtrimi i hirit të Perëndisë.

Këtë mund ta dallosh te 1 e Korintasve 15:10:

Por me anë të hirit të Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje, jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë me mua.

Pra, hiri është një fuqi aktive, e pranishme, transformuese dhe që aftëson bindjen.

Prandaj ky hir që lëviz me fuqi nga Perëndia te ju në një moment të caktuar në kohë, është edhe i shkuar edhe i ardhshëm. Ai tashmë ka bërë diçka për ty ose në ty dhe për pasojë është i shkuar. Dhe është gati të bëjë diçka në ty dhe për ty dhe prandaj është i ardhshëm–si pesë sekonda nga tani ashtu edhe pesë milionë vite nga tani.

Hiri i Perëndisë po derdhet përjetësisht në ujëvarën e pafundme të së tashmes, nga lumi i pashtershëm i hirit që vjen te ne nga e ardhmja, në rezervuarin gjithnjë e në rritje të hirit në të shkuarën. Gjatë pesë minutave në vazhdim do të merrni hir mbështetës, i cili derdhet mbi ty nga e ardhmja–në këtë beso; dhe kështu do të grumbullosh pesë minuta të tjera hir në rezervuarin e së shkuarës–për këtë falëndero.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia