Vargje kyce biblike mbi sovranitetin e Perendise (sovraniteti)

Nëntor 2020                                       Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Perëndia mbi gjithçka

Kur jeta duket se është jashtë kontrollit, është ngushëlluese të kujtosh se Perëndia nuk i ka hequr sytë nga ne—dhe Ai kurrë nuk e humb kontrollin. Inkurajohu nga Shkrimet e mëposhtme mbi sovranitetin e Perëndisë me koment nga Bibla e Studimit ESV dhe pusho në sigurinë se Ai sundon mbi gjithçka.

Efesianëve 1:11

Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij.

Të bërit trashëgimtarë me Krishtin të gjithë ata që besojnë në Të nuk ishte një veprim “ad hoc” (sipas nevojës). Perëndia e kishte planifikuar që nga përjetësi. Në natyrën e Tij Perëndia është sovran, Ai vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të Tij. Por kjo është në kontrast të theksuar me zotët paganë të asaj kohe, që mendohej se shpesh ishin të paqëndrueshëm ose të lidhur pas një fati të panjohshëm dhe të paarsyeshëm. Paracaktimi i Perëndisë i jep ngushëllim të madh popullit të Tij, sepse ata e dinë se të gjithë ata që shkojnë te Krishti, shkojnë përmes hirit të Tij aftësues dhe përmes takimit me Perëndinë (Efesianëve 2:8-10). ‘Ai që vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të Tij’ kuptohet më mirë kur themi se çdo ngjarje që ndodh është në një farë mënyrë e paracaktuar nga Perëndia. Në të njëjtën kohë, Pali thekson rëndësinë e përgjegjësisë njerëzore, siç është e dukshme në të gjitha porositë morale të dhëna më vonë tek Efesianëve 4-6 dhe në të gjitha letrat e Palit. Dhe ashtu siç e vërteton vetë Pali në të gjitha përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të ndarë ungjillin (Veprat 13-28; 2 e Korintasve 11: 23-28), ai besonte se ungjillëzimi personal dhe bindja ndaj Perëndisë si zgjedhje e bërë në vetëdije të plotë, janë tërësisht thelbësore në përmbushjen e planit të Perëndisë. Perëndia përdor mjete njerëzore për të përmbushur atë që ka paracaktuar. Për sa u përket tragjedive dhe së keqes, Pali dhe shkrimtarët e tjerë biblik nuk fajësojnë kurrë Perëndinë për to (Romakëve 5:12; 2 e Timoteut 4:14; gjithashtu Jobi 1:21-22). Në fakt, ata e shohin doktrinën e sovranitetit të Perëndisë si mjet ngushëllimi dhe sigurie (Romakëve 8:28-30), të bindur se e keqja nuk do të fitojë dhe se planet e mira të Perëndisë për popullin e Tij do të përmbushen. Mënyra se si sovraniteti i Perëndisë dhe përgjegjësia njerëzore bashkëveprojnë në këtë botë është një mister, që askush nuk e kupton plotësisht.

Romakëve 8:28

Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.

Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën e fëmijëve të Tij. Fjala “mirë” në këtë kontekst nuk i referohet rehatisë tokësore, por njëjësimit me Krishtin (Romakëve 8:29), bashkësisë më të afërt me Perëndinë, dhënies së fryteve të mira për mbretërinë dhe përlëvdimit final (Romakëve 8:30). Të krishterët mund të jenë të sigurt se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë: Perëndia gjithmonë ka bërë të mirën për ta, duke filluar që para krijimit (e shkuara e largët), për të vazhduar me konvertimin e tyre (e shkuara e afërt), e deri në ditën e kthimit të Krishtit (e ardhmja).

Mateu 10:29-31

A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dashjen e Atit tuaj. Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

Harabelat shiheshin rëndom si një prej krijesave më të vogla, dhe një aspër ishte një nga monedhat romake me më pak vlerë (krahasoje me Mateu 5:26). Pjesa “pa dashjen e Atit tuaj” na thotë se Perëndia është sovran edhe mbi gjërat më të parëndësishme. Duke qenë se Ati qiellor i mbikëqyr vazhdimisht në mënyrë sovrane edhe krijesat, që në dukje janë të parëndësishme, pa dyshim që Ai gjithashtu do të tregojë kujdes për dishepujt e Tij në misionin e tyre për të shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë.

Kolosianëve 1:16-17

Sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiej dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të. Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të.

Krishti është Zot i krijimit. Jezusi është Zoti, krijuesi dhe mbajtësi i të gjitha gjërave në univers. Jezusi nuk filloi të ekzistonte kur lindi nga virgjëresha Mari. Ai ishte faktori i krijimit, me anë të të cilit Perëndia bëri qiellin dhe tokën (Gjoni 1:3 dhe shënimi; 1 e Korintasve 8:6). Jezusi nuk mund të jetë gjëja e parë e krijuar (siç pretendon herezia e lashtë ariane), duke qenë se “të gjitha gjërat” pa përjashtim u krijuan prej Tij. Pali po përdor termat e atëhershëm të judenjve për pozicionet e ndryshme të engjëjve (edhe pse nuk shpjegon gradat që lidhen me këto terma). Theksi i tij këtu mund të jetë mbi engjëjt e rënë, duke qenë se luajnë një rol domethënës në këtë letër (Kolosianëve 2:8, 10, 15, 20). Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Jezusi krijoi engjëjt e këqinj. Të gjitha fuqitë shpirtërore u krijuan nga Jezusi, por disa zgjodhën të rebelojnë kundër Perëndisë dhe u bënë të këqinj. Jezusi nuk është thjesht faktori i krijimit, por është gjithashtu qëllimi i krijimit, sepse gjithçka u krijua me anë të Tij dhe për Të, që do të thotë, për lavdinë dhe nderin e Tij. Duke qenë se, në këtë aspekt Jezusi është qëllimi i krijimit, Ai është plotësisht Zot. Krishti e mban krijimin e Tij, duke mos lejuar të përfundojë në kaos apo të shpërbëhet plotësisht (Hebrenjve 1:3).

Isaia 45:7-9

“Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqenien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, ZOTI, i bëj të gjitha këto. Pikëloni, o qiej, nga lart dhe retë le të bëjnë të bjerë si shi drejtësia. Le të hapet toka, të prodhojë shpëtimin dhe të bëjë të mbijë njëkohësisht drejtësia. Unë, ZOTI, e kam krijuar këtë. Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: “Ç’po bën?”, a do të thotë vepra jote: “Nuk ka duar?”

Vullneti krijues dhe qëllimet e mençura të Perëndisë qëndrojnë pas gjithçkaje. Për këtë arsye, populli i Tij nuk duhet të dekurajohet, kur pamja e historisë duket ndryshe nga premtimet e Tij. Sovraniteti i Perëndisë mbi gjithçka nuk është aspak një problem me të cilin duhet të përballemi, por e vetmja shpresë për lulëzimin e shpëtimit dhe drejtësisë në këtë botë. Isaia paralajmëron që të mos i kundërvihemi të drejtës së Perëndisë për të bërë vullnetin e Tij në mënyrën e Tij. Të vendosësh Perëndinë nën shqyrtim dyshues është shkelje e rëndë. Qeniet e krijuara nuk mund të kërkojnë shpjegime prej Tij (Romakëve 9:19-21).

Fjalët e Urta 16:33

Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga ZOTI.

“Hedhja në short” është një lloj zgjedhjeje ose shpërndarje e rastësishme e objekteve, në mënyrë të tillë që zgjedhja të jetë e pandryshuar dhe e paanashme nga pjesëmarrësit. Në Izrael zakonisht shorti hidhej “përpara Zotit” (shiko Jozueu 18:8) që të merret drejtimi prej Tij. Jo vetëm planet e zemrës (Fjalët e Urta 16:1, 9), por edhe praktika e zakonshme e hedhjes së shortit qëndron nën qeverisjen e provanisë së Perëndisë.

Jobi 42:2

“E pranoj që mund të bësh gjithçka dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.”

Në fjalimin e tij të dytë, Zoti e pyet Jobin specifikisht për fuqinë e Tij lidhur me Veten dhe krijesat e tjera të bëra prej Perëndisë (40:6─41:34). Jobi, tashmë i ndërgjegjësuar për Perëndinë si kurrë më parë, përgjigjet duke u nënshtruar me përulësi përpara sovranitetit të Perëndisë. Jobi pendohet dhe përçmon veten për fjalët e ashpra që kishte thënë më parë (42:1-6). Ndërsa me të drejtë Jobi kishte mbrojtur veten para akuzave për mëkat që miqtë e tij i bënë dhe i kishte përcaktuar rrethanat e tij si të qeverisura nga Perëndia, ai kishte nxjerrë përfundimin se vuajtja e tij nuk ishte asgjë para asaj, që ishte fshehur në njohurinë dhe qëllimet e Perëndisë.

Vajtimet 3:37-39

Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar? E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit? Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?

Njësoj si gjatë krijimit (Zanafilla 1:3; Psalmi 33:9), edhe gjatë historisë Perëndia në sovranitetin e Tij flet dhe jep urdhra, dhe gjërat ndodhin, përfshirë këtu edhe shkatërrimin e Jeruzalemit (Vajtimet 1:5, 12-16; 2:1-10). Qeniet njerëzore e kanë përjetuar (Isaia 45:7; Amos 3:6) që Perëndia, i Cili sjell gjykimin, mundet gjithashtu të dërgojë ripërtëritje. Kur njerëzit vuajnë për mëkatet e tyre, ata vuajnë për shkak të asaj që kanë bërë, jo sepse Perëndisë i pëlqen të ndëshkojë (v. 33).

Veprat e Apostujve 4:27-28

Sepse në të vërtetë kundër Birit tënd të shenjtë Jezus, që ti e vajose, u mblodhën Herodi si dhe Ponc Pilati me paganët dhe me popullin e Izraelit, për të bërë të gjitha ato, që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.

Në lutjen e besimtarëve, të raportuar nga Luka me miratimin e tyre, ata pohuan si sovranitetin e Perëndisë ashtu edhe përgjegjësinë njerëzore. ‘Për të bërë të gjitha ato’ përfshin të gjitha refuzimet e këqija, akuzat e rreme, moszbatimet e drejtësisë, goditjet e padrejta, talljet, dhe kryqëzimin që judenjtë dhe paganët bashkë hodhën kundër Jezusit. Këto gjëra ishin paracaktuar nga Perëndia, megjithatë njerëzit që i kryen ishin moralisht “të padrejtë” (shiko 2:23, 36); ata ishin përgjegjës për veprat e tyre të këqija (shiko 3:13-15), dhe ata duhet të “pendoheshin” (shiko 2:38; 3:19). Kjo lutje reflekton një pranim të thellë të përgjegjësisë njerëzore dhe besim të plotë në mençurinë e Perëndisë nën drejtimin e Tij sovran për detajet e ngjarjeve të historisë.

Efesianëve 1:4

'sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri,'

‘Ai na zgjodhi në të’ do të thotë se Ai i zgjodhi të krishterët në Birin (në Krishtin), dhe kjo ndodhi që në përjetësinë e shkuar, para themelimit të botës. Kjo tregon se gjatë gjithë përjetësisë Ati ka pasur rolin e drejtuesit dhe të udhëheqësit midis personave të Trinisë, edhe pse Ati, Biri dhe Fryma janë të barabartë në hyjni dhe në atribute. Nisma e Perëndisë për shpengimin e besimtarit nga mëkati dhe nga vdekja nuk ishte vendim rastësor apo i pamenduar, por diçka që Perëndia e kishte planifikuar shumë më parë “në Krishtin”. Meqenëse Perëndia e zgjodhi popullin e Tij në dashurinë e Tij, ata nuk mund të marrin meritë për shpëtimin e tyre. Perëndia ishte i vendosur që ata të ishin të Tijtë (shiko 2:8). “Të shenjtë” do të thotë se Perëndia i zgjodhi ata, me qëllim që të jenë të shenjtë dhe të patëmetë përpara Tij. Ky qëllim nuk është ‘me dëshirë’ për të krishterët—është qëllimi i zgjedhjes së tyre. Shenjtëria këtu shpreh pastërtinë morale, ndërsa i patëmetë shpreh lirinë nga faji i shkeljeve dhe mëkateve, në të cilat i krishteri ecte më parë (1:7; 2:1, 5).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-gods-sovereignty/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin