Vargje kyce ne Bibel per lutjen

Maj 2020                              Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Lutja sipas modelit në Fjalën e Perëndisë

Ne mund të mësojmë për çfarë të lutemi dhe si t’i lutemi Perëndisë nga vetë fjala e Tij, madje nga shembulli i vetë Birit të Tij. Inkurajohu për të shkuar në lutje dhe përgjërime para Zotit duke ndjekur Shkrimet së bashku me komentin nga Bibla e Studimit ESV.

Mateu 6:5-8

Dhe kur lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, që njerëzit t’i shohin; me të vërtetë ju them se tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas. Por kur luteni, mos përdorni përsëritje të kota si paganët, sepse ata mendojnë se do të dëgjohen ngaqë kanë përdorur shumë fjalë. Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj e di ç’nevoja keni, para se ju t’i kërkoni.

Lutja ishte një shtyllë për përkushtimin e judenjve. Lutja publike, e thënë me zë të lartë në mëngjes, në pasdite dhe në mbrëmje, ishte shumë e zakonshme.Të luten në këmbë në sinagoga”; në kohën e caktuar të lutjes, judenjtë fetarë ndalonin çdo gjë që po bënin dhe luteshin; disa pa rënë në sy, të tjerë për t’u dukur. Jezusi nuk dënoi çdo lutje publike, siç tregohet edhe nga lutjet e Tij publike (shih Mateu 14:19 dhe 15:36). Shqetësimi kryesor i Jezusit është motivi ynë i brendshëm. “Mbylle derën”. Megjithëse lutja në publik ka vlerë, ajo që bëhet tërësisht larg të tjerëve e nxit një person (apo grup) të fokusohet tërësisht te Perëndia.

“Mos përdorni përsëritje të kota”; paganët përsëritnin emrat e zotëve të tyre ose të njëjtat fjalë vazhdimisht, pa u menduar (1 i Mbretërve 18:26; Veprat 19:34). Jezusi po ndalon përsëritjet mekanike dhe të pamenduara, jo përsëritjet e sinqerta që vijnë nga një zemër përgjëruese (Marku 14:39; 2 e Korintasve 12:8; Psalmi 136; Isaia 6:3).

Hebrenjve 4:16

Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohën e duhur.

“T’i afrohemi” (greqisht “proserchomai” të afrohesh, të shkosh tek) përdoret vazhdimisht te Hebrenjve për të përfaqësuar një person që i afrohet Perëndisë (Hebrenjve 7:25; 10:1, 22; 11:6; 12:8, 22; Eksodi 16:9, 34:32; Levitiku 9:5; Ligji i Përtërirë 4:11). Kjo është e mundur vetëm kur mëkatet e dikujt falen përmes shërbesës sakrifikuese dhe ndërmjetësuese të kryepriftit (Hebrenjve 7:25; 10:22). Inkurajimi që “t’i afrohemi” fronit të Perëndisë nënkupton se të krishterët kanë privilegjin e një marrëdhënieje personale me Perëndinë. “Me guxim” greqisht do të thotë “siguri” (guxim, siguri, kurajo: dhe i referohet sidomos të folurit para dikujt të një rangu të lartë fuqie; Hebrenjve 3:6; Hebrenjve 10:19, 35). Kjo na ta tregon se të krishterët mund të shkojnë para Perëndisë dhe të flasin ‘pa dorashka’ dhe me ndershmëri (por dhe me nderimin e duhur), pa pasur frikë se  duke vepruar kështu, mund të përballen me turpërim apo ndëshkim. “Fronit të hirit”; Ati Perëndi, me Jezusin në të djathtën e Tij (Hebrenjve 8:1; 12:2; 1:8), u jep hir dhe ndihmë nga qielli atyre që kanë nevojë për falje dhe forcë në tundime.

1 e Thesalonikasve 5:16-18

Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Në gjithçka falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.

“Jini gjithmonë të gëzuar.” Gëzimi në letrat e Palit është një shenjë qendrore dalluese e të krishterit (Romakëve 14:17) dhe një fryt i Frymës (Galatasve 5:22). Shpeshherë shoqërohet me shpresën e sigurt të një të krishteri (p.sh. Romakëve 5:2-5; 12:12). “Lutuni pa pushim” sugjeron një përqendrim të mendjes në lutje, bashkësi personale e të vazhdueshme me Perëndinë dhe ndërgjegjësim për të qenë në prezencën e Tij çdo ditë. Të krishterët duhet të dallohen nga mirënjohja (Efesianëve 5:4, 20; Kolosianëve 2:7, 3:15, 17; 4:2). Me shumë mundësi, kjo i referohet gjithë 1 e Thesalonikasve 5:16-18.

Filipianëve 4:6-7

Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.

Pali thekson mësimin e Jezusit në Predikimin në Mal (shiko Mateu 6:25-34) se besimtarët nuk duhet të shqetësohen “për asgjë”, por ta besojnë jetën e tyre në duart e Atit të dashur qiellor, “paqja” e të cilit do t’i “ruaj딓Krishtin Jezus”. Përdorimi i fjalës “ruajë”, nga ana e Palit, mund të reflektojë vetë faktin e burgosjes të tij ose statusin e Filipisë si koloni romake me garnizone ushtarake. Cilido qoftë rasti, nuk janë ushtarët romakë ata që ruajnë besimtarët, por paqja e Perëndisë së Plotfuqishëm. Për shkak se Perëndia është sovran dhe në kontroll, të krishterët mund t’ia besojnë Atij të gjitha vështirësitë, Atij që sundon mbi gjithë krijimin, që është i mençur dhe i dashur në të gjitha rrugët e Tij (Romakëve 8:31-39). Një qëndrim me “falënderim” ndikon drejtpërdrejt në këtë paqe të brendshme.

1 Gjonit 5:14-15

Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, na dëgjon. Dhe nëse dimë se na dëgjon për atë që i kërkojmë, ne dimë se marrim kërkesat që i kemi kërkuar.

T’i “kërkojmë” Perëndisë “sipas vullnetit të tij” nuk do të thotë që, përpara se të krishterët të luten në mënyrë të efektshme, duhet që të zbulojnë disi planet sekrete të Perëndisë për të ardhmen (ndonjëherë të quajtura “vullneti i fshehur” ose “gjërat e fshehta”; Ligji i Përtërirë 29:29). Në fakt, do të thotë se ata duhet  të kërkojnë sipas asaj që Bibla mëson mbi vullnetin e Perëndisë për popullin e Tij (ndonjëherë të quajtur “vullneti i shfaqur” ose “gjërat e shfaqura”). Nëse të krishterët luten në përputhje me atë që kënaq Perëndinë, siç mësohet edhe në Shkrim, atëherë po luten sipas vullnetit të Tij (Mateu 6:10; Efesianëve 5:17).

“Nëse dimë se na dëgjon për atë që i kërkojmë”, kjo do të thotë se synimi i lutjes është bashkësia me Perëndinë. “Ne dimë se marrim kërkesat”, por përvoja njerëzore dëshmon se të krishterët jo gjithmonë marrin atë që i kërkojnë Perëndisë, edhe gjëra që në dukje janë në përputhje me vullnetin e Tij të shfaqur (shiko shënimin më lart). Ky varg duhet kuptuar duke e parë në dritën e disa pasazheve të tjera të Shkrimit, që tregojnë se lutja sipas vullnetit të Perëndisë përfshin nevojën për t’u lutur me besim (Mateu 21:22; Jakobi 1:6), me durim (Luka 18:1-8), në bindje (Psalmi 66:18; 1 e Pjetrit 3:12), dhe në nënshtrim ndaj urtësisë më të lartë të Perëndisë (Luka 22:42; Romakëve 8:28; 1 e Pjetrit 4:19).

Mateu 6:9-13

Ju, pra, lutuni kështu:
“Ati ynë që je në qiej, 
u shenjtëroftë emri yt. 
Ardhtë mbretëria jote. 
U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. 
Bukën tonë të përditshme na e jep sot. 
Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim 
edhe ne fajtorëve tanë. 
Dhe mos lejo të biem në tundim, 
por na shpëto nga i ligu, 
sepse jotja është mbretëria dhe fuqia, 
dhe lavdia, përjetë. Amen”.

Jezusi u jep dishepujve të Tij një shembull për të ndjekur kur ata luten. Lutja përmban hyrjen dhe gjashtë kërkesa lutjeje që përcaktojnë përparësitë e duhura. Tri kërkesat e para të lutjes përqendrohen në epërsinë e Perëndisë dhe tri të fundit në nevojat personale në kontekstin e një komuniteti.

“Ati” (greqisht “pater”, “atë”) do të ishte “Abba” në gjuhën aramaisht, gjuha që Jezusi përdori çdo ditë (Marku 14:36; Romakëve 8:15; Galatasve 4:6). Kjo fjalë përdorej nga fëmijët judenj për babain e tyre tokësor. Megjithatë, duke qenë se termi edhe në aramaisht, edhe në greqisht përdorej edhe nga të rriturit për baballarët e tyre, pohimi se “Abba” do të thotë “baba” është ngatërrues dhe çon në mungesë respekti. Sidoqoftë, ideja e lutjes që i drejtohet Perëndisë si “Ati ynë” bart autoritetin, ngrohtësinë dhe afërsinë e kujdesit të një ati të dashur, ndërsa “në qiell” u kujton besimtarëve sundimin sovran të Perëndisë mbi gjithçka. Tema e “Atit qiellor” gjendet ngado në Dhiatën e Vjetër (Ligji i Përtërirë 14:1, 32:6; Psalmi 103:13; Jeremia 3:4; 31:9; Osea 11:1). Dishepujt e Jezusit janë ftuar që të marrin pjesë në intimitetin e PerëndisëBir me Atin e Tij. Shqetësimi në këtë kërkesë të parë të lutjes është që “emri” i Perëndisë të shenjtërohet, që Perëndia të trajtohet me nderin më të lartë dhe të ndahet veçmas si i shenjtë.

Të krishterët janë thirrur të luten dhe të punojnë për përparimin e vazhdueshëm të mbretërisë së Perëndisë në tokë (kërkesa e dytë në lutje; shiko Mateu 6:9-13). Prania e mbretërisë së Perëndisë në këtë epokë i referohet mbretërimit të Krishtit në zemrat dhe jetët e besimtarëve, dhe pranisë së Krishtit që mbretëron në trupin e Tij, kishën, në mënyrë që ata të reflektojnë gjithmonë e më shumë dashurinë e Tij, t’u binden ligjeve të Tij, ta nderojnë Atë, t’i bëjnë të mirën të gjithëve dhe të shpallin lajmin e mirë të mbretërisë. Kërkesa e tretë e lutjes flet për vullnetin e Perëndisë, që është “vullneti i shfaqur” i Tij (shiko Efesianëve 5:17), i cili përfshin sjellje që e kënaqin Atë, siç shfaqet dhe në Shkrim. Ashtu si vullneti i Perëndisë është përjetuar në mënyrë të përsosur në qiell, ashtu dhe Jezusi lutet që të përjetohet edhe në tokë. Vullneti i Perëndisë do të tregohet i plotë vetëm kur mbretëria e Perëndisë të shfaqet në formën e vet përfundimtare, kur Krishti të kthehet në fuqi dhe lavdi të madhe (shiko Mateu 24:30; krah. Romakëve 8:18-25; Zbulesa 20:1-10), por do të shihet në rritje edhe në këtë epokë (Mateu 13:31-33).

Kërkesa e katërt e lutjes përqendrohet te buka “e përditshme” e dishepujve, një domosdoshmëri e jetës që nënkupton përfshirjen e të gjitha nevojave fizike të përditshme të besimtarit. “Na i fal fajet tona” (kërkesa e pestë në lutje) nuk do të thotë që çdo ditë besimtarët duhet të kërkojnë të bëhen të drejtë, duke qenë se besimtarët u bënë të drejtë në përjetësi që nga çasti i parë i besimit shpëtues (Romakëve 5:1, 9; 8:1; 10:10). Në fakt kjo është një lutje për restaurim të miqësisë me Perëndinë, kur kjo është penguar nga mëkati (krah. Efesianëve 4:30). Ata që kanë marrë këtë falje janë kaq të prekur nga mirënjohja ndaj Perëndisë, saqë me të njëjtën dëshirë falin edhe ata që janë fajtorë ndaj tyre. Shiko Kolosianëve 2:14 për mëkatin si “borxh” ndaj Perëndisë.

Kërkesa e fundit (e gjashtë) e lutjes ka të bëjë me betejat e dishepujve me mëkatin dhe të ligën. “Mos lejo të biem në tundim”. Fjala e përkthyer “tundim” (greqisht “peirasmos”) mund të tregojë ose tundim, ose sprovë (shiko Mateu 4:1; Jakobi 1:13). Me shumë mundësi, kuptimi këtu është: Na kurse nga rrethanat e vështira që do të na tundonin të mëkatonim (krah. Mateu 26:41). Edhe pse Perëndia asnjëherë nuk i tundon drejtpërdrejt besimtarët (Jakobi 1:13), Ai ndonjëherë i lejon të kalojnë në situata që i “sprovojnë” ata (krah. Mateu 4:1; Jobi 1; 1 e Pjetrit 1;6; 4:12). Në fakt, sprovat dhe vështirësitë do të vijnë në mënyrë të pashmangshme në jetët e besimtarëve, dhe besimtarët duhet “ta quajnë gëzim të madh” (Jakobi 1:2) kur vijnë sprovat, sepse ato i forcojnë (Jakobi 1:3-4). Pavarësisht kësaj, besimtarët nuk duhet të luten kurrë që të vendosen në këto situata, por që të çlirohen prej tyre, sepse vështirësitë dhe tundimet e bëjnë më të vështirë bindjen dhe ndonjëherë rezultojnë në mëkat. Besimtarët duhet të luten që të çlirohen nga tundimi (krah. Mateu 26:41; Luka 22:40, 46; 2 e Pjetrit 2:9; Zbulesa 3:10) dhe të drejtohen në “shtigjet e drejtësisë” (Psalmi 23:3). “Na shpëto nga i ligu”. Pjesa e përkthyer “i ligu” (greqisht “tou ponerou”) do të thotë ose “ligësi” ose “i ligu”, domethënë Satan. Mbrojtja më e mirë nga mëkati dhe tundimi është të kthehemi te Perëndia dhe të varemi nga drejtimi i Tij. “Sepse jotja është mbretëria dhe fuqia, dhe lavdia, përjetë. Amen”, është dukshëm një pjesë e shtuar më vonë, duke qenë se dorëshkrimet greke më të vjetra dhe më të besueshme nuk i kanë këto fjalë. Kjo është arsyeja përse këto fjalë nuk janë përfshirë në shumicën e përkthimeve moderne. Megjithatë, nuk ka asgjë gabim nga ana teologjike në këtë formulim (1 e Kronikave 29:11-13), e as nuk është e papërshtatshme të përfshihen këto fjalë në lutjet publike.

Marku 11:24

Prandaj po ju them: Të gjitha ato që ju kërkoni duke u lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni.

“Të gjitha ato që ju kërkoni “. Perëndia kënaqet kur u “jep gjëra të mira atyre që ia lypin atij” (Mateu 7:11) dhe është i aftë të plotësojë çdo lutje. Megjithatë ne duhet të kërkojmë të shtyrë nga motive të perëndishme (Jakobi 4:3) dhe sipas vullnetit të Perëndisë (1 e Gjonit 5:14). “Besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni”. Ata që i besojnë Perëndisë për gjërat e duhura dhe ashtu siç duhet, janë të sigurt se Perëndia do të “plotësojë të gjitha nevojat … sipas pasurisë së tij në lavdi, në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:19), duke e ditur se Ai do të bëjë që “të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirë” dhe “do të na dhurojë të gjitha gjërat” (Romakëve 8:28, 32). Disa e kanë keqpërdorur këtë varg duke u thënë njerëzve se nëse luten për shërim fizik (apo për ndonjë kërkesë tjetër) dhe nëse kanë mjaftueshëm besim, atëherë mund të jenë të sigurt se Perëndia tashmë e ka bërë (ose do të bëjë) çfarëdo që kërkojnë. Mirëpo ne duhet të kemi gjithmonë të njëjtin këndvështrim si Jezusi. Pra, siguri në fuqinë e Perëndisë, por gjithashtu nënshtrim ndaj vullnetit të Tij: “...Atë, çdo gjë për ty është e mundur… Por jo atë që dua unë, por atë që do ti” (Marku 14:36).

Efesianëve 6:17-18

Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë, duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë dhe, duke ndenjur zgjuar për këtë me çdo këmbëngulje dhe përgjërim për të gjithë shenjtorët.

“Duke u lutur”. Armët e betejës janë frymërore, sepse janë të rrënjosura në lutje, e cila është burimi më i fuqishëm i të krishterëve. Lutja duhet të depërtojë në jetën e besimtarëve si një praktikë universale, siç shihet nga përdorimi i fjalës “çdo/të gjithë” katër herë në këtë varg: “në çdo kohë”… “me çdo lutje”… “me çdo këmbëngulje”…. “për të gjithë shenjtorët”. Lutja në Frymë është një formë adhurimi (Gjoni 4:23-24) e mundësuar nga Fryma e Perëndisë, i cili ndërmjetëson për personin që lutet (Romakëve 8:26-27).

1 e Timoteut 2:1

Bëj thirrje, pra, para së gjithash, të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit.

“Përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime”. Pali i rikthehet shpjegimit të detajuar të pamjes që duhet të ketë të jetuarit vërtet sipas ungjillit (1 e Timoteut 1:5). Ai bën thirrje për lutje dhe tregon pengesat në lutje (1 e Timoteut 2:1-15). Në përshkrimin e jetës që buron plotësisht nga ungjilli, Pali përmend së pari lutjen e shpëtimit për të gjithë njerëzit. Kjo e çon të diskutojë jetën e perëndishme dhe sjelljen e duhur në adhurimin e përbashkët, unitetin e veçantë, modestinë dhe nënshtrimin e duhur. Qëllimi i Palit nuk është të listojë të gjitha mënyrat e lutjes, por të grumbullojë terma të ndryshme të lutjes, sepse bashkë kanë ndikim më të fortë. Kjo është një thirrje për çdo lloj lutjeje, për të gjithë njerëzit.

Jakobi 5:16

Rrëfejani shkeljet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni; shumë forcë ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë zemër.

“Rrëfejani shkeljet njëri-tjetrit.” Ndonjëherë rrëfimi në komunitet është i nevojshëm që të vijë shërimi, duke qenë se mëkati mund të jetë shkaku i sëmundjes (krah. 1 e Korintasve 11:29-30). “Lutuni për njëri-tjetrin”, i drejtohet të gjithë lexuesve të letrës së Jakobit dhe na tregon se ai nuk priste që lutja për shërim të kufizohej te pleqtë e kishës (Jakobi 5:14). “Shumë forcë” ka lutja e “të drejtit”. Ndërkaq Perëndia plotëson kërkesën e tij.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-prayer/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina/Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2020 | Përditësuar në 2024


EtiketaCrossway, Lutja

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin