Nëntor 2020 Nga: Crossway
Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.
Jakobi 5:7-11
Jini zemërgjerë, pra, vëllezër, deri në ardhjen e Zotit. Ja, bujku po pret frytin e çmuar të tokës dhe pret atë me zemërgjerësi, derisa ajo të marrë shiun e parë dhe të fundit. Jini zemërgjerë edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit u afrua. Mos psherëtini kundër njëri-tjetrit, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi qëndron para derës. O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit. Ja, ne shpallim të lumë ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe keni parë ç’bëri në fund Zoti; sepse Zoti është plot përdëllim e dhembshuri.
Vëmendja kalon nga i pasuri tek i varfri, nga shtypësit e këqij te të drejtët e shtypur, nga i nxituari tek i duruari. Në vend që të luftojnë, ata janë thirrur për qëndresë me durim dhe për të besuar se Perëndia do të marrë hak për ta.
Të drejtët duhet të presin deri në ardhjen e Zotit (shiko 1 e Thesalonikasve 4:15), kur Ai do të drejtësojë të gjitha gabimet e tyre. Shirat e parë dhe të fundit përshkruajnë klimën palestineze, në të cilën shirat e vjeshtës vijnë menjëherë pas mbjelljes dhe shirat e pranverës vijnë pak para korrjes (Jeremia 5:24; Joel 2:23). Edhe pse tre të katërtat e shirave në Palestinë binin nga dhjetori deri në shkurt, këto dy shira ishin më të rëndësishmet.
Porosia “mos psherëtini” përmbledh ankesën përçarëse te Jakobi 4:12-5:3. Mund të jetë shumë e dhimbshme që në kohë vuajtjeje, njerëzit shpërthejnë në zemërim dhe kthehen kundër njëri-tjetrit.
1 e Pjetrit 2:19-20
Sepse ky është hir, nëse dikush për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron hidhërime, duke vuajtur padrejtësisht. Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit kur të rriheni për mëkate? Por po të duroni kur vuani për të mirën që bëni, kjo është hir para Perëndisë.
Fraza “ky është hir” vjen nga “hir” (greqisht ‘charis’) dhe në këtë kontekst duket se është sinonim i fjalës “meritë”. Të dyja fjalët nënkuptojnë se populli i Perëndisë do të marrë shpërblim prej Tij, nëse duron kur vuan për drejtësi. Krahasoje me vargun nga Luka 6:34-35, ku ‘charis’ është përkthyer “meritë” dhe është njësoj me fjalën “shpërblim” (greqisht ‘misthos’). Fraza “ky është hir” mund të nënkuptojë gjithashtu se të qëndrosh me durim në vuajtje, është prova e hirit të Perëndisë në veprim. Të dyja interpretimet janë të përshtatshme, sepse së bashku me hirin e Perëndisë vjen edhe favori, edhe bekimi i Tij.
Hebrenjve 12:7
Në qoftë se ju duroni ndreqjen, Perëndia sillet me ju si me bij; sepse cili është ai bir të cilin s’e ndreq i ati?
Perëndia po flet përmes kësaj këshille: ndreqja e Tij tregon se Ai i konsideron besimtarët si bij të Tij (për birërinë, shih Hebrenjve 2:10), duke qenë se fshikullon çdo bir që i pëlqen Atij (Hebrenjve 12:6; shiko Hebrenjve 12:7-8). Ndreqja (greqisht ‘paideia’) ishte një term i zakonshëm për edukimin e fëmijëve përmes udhëzimit, trajnimit dhe korrigjimit; megjithatë, këtu Hebrenjve përqendrohet në thirrjen për qëndresë (durim tek Hebrenjve 12:7) në sprovat e dhimbshme të jetës (Hebrenjve 12:11). Sprovat janë për të mirën e tyre, për të vërtetuar birërinë, dhe kërkojnë që përgjigjja ndaj këtyre sprovave të jetë këmbëngulja. Për këtë arsye, lexuesit nuk duhet të dekurajohen.
Jakobi 1:2-4
Ta quani gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur bini në tundime të ndryshme, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell durim. Por durimi të kryejë në ju një vepër të përsosur, që të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë mangësi.
Sprovat vënë në provë besimin, në mënyrë që ta bëjnë të plotë shtegtimin shpirtëror. Ato janë pjesë e dhurëtive të mira (Jakobi 1:17) që Perëndia i jep popullit të Tij, në mënyrë që t’i bëjë të plotë. Sprovat janë bërë për të sjellë maturi frymërore, prandaj dhe duhen quajtur gëzim.
Sprovat janë “prova” që sfidojnë besimin (Jakobi 1:2-5). Kur vijnë sprovat, duhet t’i konsiderojmë gëzim të madh, jo thjesht lumturi të përkohshme tokësore, përkundrazi një “gëzim të plotë” frymëror dhe të qëndrueshëm në Zotin, i cili sundon mbi gjithçka, përfshirë edhe sprovat.
Fraza “sprova e besimit tuaj” përkufizon kuptimin e sprovës për një të krishterë: ashtu si Jezusi u “sprovua” në shkretëtirë (Mateu 4:1-13), po ashtu sprovohen edhe besimtarët. Fjala greke ‘dokimion’ (sprova) nënkupton një sprovë pozitive që ka si qëllim të “rafinojë” besimin e dikujt (1 e Pjetrit 1:7). Rezultati i kësaj është qëndrueshmëria, një qëndrueshmëri me besnikëri mes sfidave dhe vuajtjeve.
E në fund, qëndrueshmëria sjell përsosmërinë. Besimtarët rriten në shenjtëri, por ende nuk janë përsosur në të; kjo përsosmëri do të arrihet vetëm kur Jezusi të kthehet.
2 e Timoteut 2:11-13
Kjo fjalë është e besueshme,
sepse, nëse ne vdiqëm me të,
me të edhe do të rrojmë;
në qoftë se durojmë, do të mbretërojmë bashkë me të;
po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik;
ai nuk mund të mohojë vetveten.
Deklarata e besueshmërisë kalon nga ngushëllimi në sfidë, e pastaj prapë në ngushëllim: 2 e Timoteut 2:11 na kujton jetën edhe përballë vdekjes; 2 e Timoteut 2:12 na kërkon qëndrueshmëri dhe 2 e Timoteut 2:13 na kujton fuqinë ruajtëse dhe besnikërinë e Perëndisë. Në këtë kontekst, ta mohosh Atë, është shkelja më e rëndë se sa thjesht të mos besosh. Mohimi i Krishtit do të thotë braktisje përfundimtare e besimit, në kontrast me një çast të përkohshëm mosbesimi në Krishtin (“nëse jemi të pabesë”). Ata që mohojnë Jezusin, do të dënohen përjetë; megjithatë, të gjithë besimtarët mëkatojnë dhe Perëndia është besnik, dhe do të falë, do të ripërtërijë dhe do të mbajë ata që janë vërtet të Tijtë.
Romakëve 5:1-5
Të drejtësuar, pra, prej besimit, kemi paqe me Perëndinë, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngime, duke ditur që shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
“Hir në të cilin qëndrojmë” i referohet pozicionit të sigurt të qëndrimit të besimtarit (si një bekim i drejtësimit) dhe fraza “shpresën e lavdisë së Perëndisë” i referohet premtimit se të krishterët do të përlëvdohen dhe do të përsosen në ditën e fundit, një shpresë kjo që rezulton në gëzim.
Populli i Perëndisë gëzon jo vetëm në lavdinë që do të vijë, por edhe në sprovat dhe vuajtjet e së tashmes, jo sepse sprovat janë të këndshme, por sepse ato prodhojnë një transformim hap pas hapi, duke i bërë besimtarët më të ngjashëm me Krishtin.
Ndjekësit e Krishtit nuk kanë asnjë arsye për të pasur frikë turpërimin në ditën e gjykimit, sepse tashmë i përkasin Perëndisë. Ata e dinë se në të vërtetë e kanë marrë dashurinë e Tij, sepse kur u konvertuan, Fryma e Shenjtë e derdhi atë në zemrat e tyre.
2 e Timoteut 4:7
Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.
Duke përdorur këtë përshkrim atletik (që është tipik për Palin; 1 e Korintasve 9:24-27; Filipianëve 3:14), në fund të jetës së tij, ai pohon se është përfshirë në ngjarjen e vetme për të cilën ia vlen të japësh jetën (d.m.th. misionin e ungjillit). Disa e kundërshtojnë që Pali tregon krenari me këtë deklaratë, por këtu nuk ka asnjë pretendim për lavdi personale. Pali thjesht po thotë se më në fund ka përfunduar rrugën që Perëndia caktoi për të (shiko Veprat 20:24). Përmes hirit të Perëndisë (1 e Korintasve 15:10), ai ka bërë atë që po i kërkon Timoteut të bëjë (2 e Timoteut 4:5).
Hebrenjve 12:1-2
Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon kaq lehtë, le të rendim me durim në garën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë.
Duke marrë parasysh shembujt e vjetër të besimit (Hebrenjve 11) dhe durimin e Jezusit në kryq (Hebrenjve 12:1-2), të krishterët duhet të rendin me durim në garën e besimit, duke e ditur se Perëndia i ndreq bijtë e Tij për të mirën e tyre (Hebrenjve 12:3-11). Lexuesit paralajmërohen gjithashtu të tregojnë kujdes se mos e refuzojnë hirin e Perëndisë (Hebrenjve 12:12-17, 25), duke qenë se (në krahasim me ngjarjet në malin Sion që megjithëse ishin të mrekullueshme, nuk ishin në këtë nivel) gjykimi përfundimtar do të vijë me siguri. Perëndia më në fund do të vendosë plotësisht sundimin e Tij dhe gjithë të shenjtët do të mblidhen në festën e madhe në qiell.
Në dritën e shembujve të mëparshëm të besimit (Hebrenjve 11), dhe veçanërisht në shembullin e durimit të vetë Jezusit, besimtarëve u kërkohet të durojnë si vrapues në garë.
Shëmbëlltyra e të qenët i rrethuar nga këta dëshmitarë, të jep idenë se ata vështrojnë me padurim nga qielli, dhe pamja e të rendurit në garën që është vendosur përpara nesh, mund të çojë në përfytyrimin e një gare atletike në fushën e sportit, me të gjithë heronjtë e besimit nga Hebrenjve 11, që i shohin besimtarët e ditëve të sotme duke marrë stafetën në të njëjtën garë që ata përshkuan. Megjithatë, në asnjë pjesë tjetër të Dhiatës së Re nuk jepet pamja e shenjtorëve në qiell që shohin shenjtorët në tokë, as nuk inkurajohen besimtarët që t’u luten apo t’u kërkojnë lutje këtyre besimtarëve në qiell. Krishti lutet për popullin e Tij (Romakëve 8:34; Hebrenjve 7:25) dhe Ai është i vetmi ndërmjetës midis tyre dhe Perëndisë (1 e Timoteut 2:5). Fryma e Shenjtë i ndihmon në lutjet e tyre (Romakëve 8:26-27), dhe të gjithë të krishterët janë priftërinj që kanë të drejtën të hyjnë lirisht te Perëndia (Hebrenjve 4:16; 10:22; 1 e Pjetrit 2:5, 9). Porosia e parë, e konsideron mëkatin si një barrë (ose “pengesë”) që duhet hedhur tutje, sepse përndryshe pengon dhe zë në grackë atletin. Metafora “le të rendim”, e përdorur edhe nga Pali (1 e Korintasve 9:24-27; 2 e Timoteut 4:7-8), përqendrohet në qëndresën e besimit (shiko Hebrenjve 12:2-3; Hebrenjve 10:32, 36).
Sprovat tokësore, në fakt, dëshmojnë për disiplinën atërore të Perëndisë. Sprova të tilla kërkojnë qëndresë, dhe autori paralajmëron për të treguar kujdes se mos e refuzojmë këtë ndreqje të karakterit.
2 e Korintasve 4:16-18
Prandaj nuk ligështohemi; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm prishet, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. Sepse shtrëngimi ynë i lehtë i tashëm, prodhon për ne, një peshë të përjetshme të pamasë e të pashoqe të lavdisë; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken, janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen, janë të përjetshme.
Këto vargje vendosin përballë dobësimin e trupit fizik me fuqizimin e frymës. Gjithashtu, ato nënkuptojnë një kontrast midis jetës plot vuajtje të Palit në këtë epokë të ligë (njeriu i tij i jashtëm) dhe transformimit moral dhe frymëror të jetës së tij sipas imazhit të Perëndisë, ashtu siç dhe e shohim te Krishti (njeriu i tij i brendshëm; shih 2 e Korintasve 3:18). Për kontrastin midis njeriut të brendshëm dhe të jashtëm, që i referohet transformimit moral të besimtarit në mes të ligësisë së botës, shih vargjet nga Romakëve 6:5-6; Efesianëve 3:16; Efesianëve 4:20-24; Kolosianëve 3:5-14).
Kolosianëve 1:10-12
Që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë, duke u fuqizuar me çdo fuqi, sipas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo durim e zemërgjerësi, me gëzim, duke e falënderuar Atin, që na bëri të denjë të kemi pjesë në trashëgiminë e shenjtorëve në dritë.
Fuqia frymërore ishte një çështje me rëndësi në botën greko-romake. Njerëzit e kërkonin fuqinë përmes lidhjes me zota të tjerë dhe përmes riteve pagane, në mënyrë që të mbroheshin nga frymërat e këqija, si dhe të fitonin pasuri dhe pushtet. Pali dëshiron që kolosianët të dinë se ai lutet rregullisht që Perëndia të derdhë fuqinë e Tij mbi ta, jo për qëllime egoiste, por që të mund të jetojnë për Perëndinë ashtu si duhet. Qëllimi (siç edhe kuptohet nga fjala “për”), i kësaj fuqie të dhënë nga Perëndia u siguron besimtarëve fuqinë që u duhet për të fituar virtytet e krishtera, për të këmbëngulur në besimin e tyre, për t’u rezistuar tundimit dhe mësuesve të rremë, dhe si rrjedhojë të njohin gëzimin e Perëndisë.
Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-endurance/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina, Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2020 | Përditësuar në 2024