key verses joy

Gusht 2021                                         Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Dhurata e Perëndisë për besimtarin

Gëzimi është dhurata e Perëndisë për ata që besojnë në Krishtin. Inkurajohu nga këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

Nehemia 8:10

Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj." 

Teksa populli gëzonte në Perëndinë dhe kënaqej në praninë e Tij, Ai do të tregonte forcën e Tij duke i ndihmuar e mbrojtur ata. “Gëzimi” ishte një temë kryesore, sepse Perëndia e kishte shpëtuar Izraelin, edhe në të shkuarën e largët edhe në atë të afërt, dhe kjo histori shpëtimi do të tregohej sërish në leximin e Librit të Ligjit.

Gjoni 15:10–11

Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i kam zbatuar urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

Të bindesh nuk do të thotë të bësh punë të rënda, bindja në fakt ka të bëjë e gjitha me gëzimin. Profetët e Dhiatës së Vjetër parashikuan një periudhë gëzimi të madh në kohën e fundit (p.sh., Isaia 25:9; Isaia 35:10; Isaia 51:3; Isaia 61:10; Isaia 66:10; Sofonia 3:14–17; Zakaria 9:9). Perëndia paralajmëroi gjykim, nëse populli i Tij nuk do t’i shërbente “me gëzim dhe hare në zemër” (Ligji i Përtërirë 28:47–48). Ashtu si Jezusi pati gëzim të madh kur iu bind Atit të Tij edhe midis kundërshtimeve, po ashtu të krishterët do të kenë gëzim në bindje.

Psalmi 16:11

Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.

Këtu ka një pohim të qartë se dëshira e njeriut për të qenë pranë Zotit dhe për të njohur kënaqësitë e mirëseardhjes së Tij në përjetësi, pas vdekjes së trupit, e gjen përgjigjen te besëlidhja. Pjetri përmend Psalmin 16:8–11 në predikimin e Pentekostit (Veprat 2:25–28), duke përdorur vargjet e ringjalljes së Jezusit; Pali përdor Psalmin 16:10 në predikimin e tij të ngjashëm (Veprat 13:35). Nëse apostujt donin të thonin që fjalët e Davidit ishin një parashikim i drejtpërdrejtë i vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, është e vështirë të dihet çfarë funksioni mund të kishte pasur ky psalm në Izraelin e lashtë: bashkësia do të kishte qenë në mëdyshje sa herë ta këndonin. Kjo paqartësi largohet nëse psalmi shihet si kultivim i shpresës së lavdisë së përjetshme për besimtarin besnik deri në fund, duke pasur ringjalljen e Jezusit (që është i shenjti i pashoq) si hap të parë për plotësimin e kësaj shprese (krahaso me Romakëve 8:23; 1 e Korintasve 15:23).

Një metaforë kyç në Bibël: besëlidhja siguron një “shteg”, përmes të cilit njeriu ecën drejt jetës në gjithë plotësinë e saj (Fjalët e Urta 5:6; Fjalët e Urta 6:23; Fjalët e Urta 10:17; Fjalët e Urta 12:28; Fjalët e Urta 15:24; Mateu 7:14), këtë Perëndia ua bën të njohur ndjekësve të Tij. Të shijosh praninë e Perëndisë, ose të kënaqesh me fytyrën e Tij, është rezultati final i besëlidhjes (krahaso me Eksodi 33:14–15; Numrat 6:24–26). Fjala “kënaqësi” lidhet me “vendet e këndshme” (Psalmi 16:6); kënaqësia që ka filluar në këtë jetë do të vazhdojë në plotësinë e saj në botën që do të vijë.

Luka 1:14–15

Dhe ai do të jetë për ty gëzim dhe hare, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij. Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije të forta dhe që në barkun e s'ëmës do të mbushet me Frymën e Shenjtë.

Megjithëse nuk është dhënë përmbajtja specifike e lutjes së Zakarias, ka shumë të ngjarë të ketë përfshirë të paktën dy kërkesa: Zakaria do të ketë qenë duke ndërmjetësuar në emër të Izraelit si komb, dhe me sa duket, ai gjithashtu bëri një kërkesë të dytë, për një fëmijë, siç tregohet nga Luka 1:13b (krahaso me Zanafilla 25:21; Zanafilla 30:22; 1 e Samuelit 1:10–17). Zakaria duhet të jetë lutur për një fëmijë qindra herë për shumë vite, dhe tani më në fund përgjigjja ka ardhur. Gëzimi dhe hareja vijnë te Zakaria dhe Elizabeta, sepse shterpësia e tyre ka mbaruar (krahaso me Luka 1:25) dhe, për shkak të (“sepse”, Luka 1:15) asaj që Perëndia do të bëjë përmes birit të tyre.

Galatasve 5:22–23

Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja. Kundër këtyre nuk ka ligj. 

Fryma lufton kundër mëkatit jo thjesht në mbrojtje, por edhe në sulm, duke prodhuar te të krishterët atributet pozitive të karakterit hyjnor, të gjitha të dukshme në Jezusin, tek Ungjijtë. Dashuria përmendet e para, sepse është cilësia më e madhe (1 e Korintasve 13:1–13; 2 e Pjetrit 1:5–7), sepse pasqyron më qartë karakterin e Perëndisë. Gëzimi vjen shumë pranë saj, sepse në gëzimin e shpëtimit të Perëndisë, të krishterët tregojnë se dëshirat e tyre i kanë vendosur siç duhet në vullnetin dhe qëllimin e Perëndisë (shih Gjoni 15:11; 16:24; Romakëve 15:13; 1 e Pjetrit 1:8; Juda 24; etj.).

Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj, prandaj ata që i shfaqin po e përmbushin ligjin, më tepër se ata që këmbëngulin te ceremonitë hebraike, dhe po kështu më shumë se ata që ndjekin veprat e mishit të vëzhguara te Galatasve 5:19–21.

Jakobi 1:2–3

Ta quani gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur bini në tundime të ndryshme, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell durim.

Sprovat janë “teste” që sfidojnë besimin (Jakobi 1:2–5). Kur ndodhin sprovat, njeriu duhet t’i konsiderojë si gëzim—jo thjesht lumturi të përkohshme tokësore, por përkundrazi “gëzim të plotë” shpirtëror e të qëndrueshëm në Perëndinë, i Cili është sovran mbi të gjitha gjërat, përfshirë edhe sprovat.

Sprova e besimit tuaj, përcakton kuptimin e një sfide për të krishterin: siç Jezusi “u sprovua” në shkretëtirë (Mateu 4:1–13), kështu besimtarët sprovohen. Fjala greke “dokimion” (“sprovë”) nënkupton një provë pozitive, që synon ta bëjë besimin e dikujt “të vërtetë” (krahaso me 1 e Pjetrit 1:7). Rezultati është qëndrueshmëria, një jetë me qëndresë besnike mes sfidave dhe mundimeve.

Habakuku 3:17 – 18

Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë
dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë,
ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes
dhe arat nuk do të japin më ushqim,
ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat
dhe nuk do të ketë më qe në stalla,
unë do të ngazëllohem tek Zoti
dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.

Sprovat janë “teste” që sfidojnë besimin (Jakobi 1:2–5). Kur ndodhin sprovat, njeriu duhet t’i konsiderojë si gëzim—jo thjesht lumturi të përkohshme tokësore, por përkundrazi “gëzim të plotë” shpirtëror e të qëndrueshëm në Perëndinë, i Cili është sovran mbi të gjitha gjërat, përfshirë edhe sprovat.

Sprova e besimit tuaj, përcakton kuptimin e një sfide për të krishterin: siç Jezusi “u sprovua” në shkretëtirë (Mateu 4:1–13), kështu besimtarët sprovohen. Fjala greke “dokimion” (“sprovë”) nënkupton një provë pozitive, që synon ta bëjë besimin e dikujt “të vërtetë” (krahaso me 1 e Pjetrit 1:7). Rezultati është qëndrueshmëria, një jetë me qëndresë besnike mes sfidave dhe mundimeve.

Gjoni 16:24

 Deri tani ju nuk kërkuat asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

Kur Jezusi ishte në tokë, dishepujt nuk i ishin lutur Atit në emër të Jezusit. Tani Jezusi po u thotë se dishepujt duhet ta bëjnë këtë. Lidhur me kuptimin e lutjes “në emër të Jezusit”, shih shënimet te Gjoni 1:12–13; Gjoni 14:13. “Kërkoni dhe do të merrni” u kujton besimtarëve se përgjigjet e shpeshta të lutjeve do t’u japin ndjekësve të Jezusit gëzim të madh, ndërsa shohin Perëndinë në veprim në botë, si përgjigje për lutjet e tyre.

Hebrenjve 12:1–2  

Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon lehtë, le të rendim me durim në garën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë.

Përmes veprës së tij shpenguese, përsosmëria e Krishtit çon në përsosjen e popullit të Tij (e cila do të përmbushet plotësisht në ditën e fundit). Kryqi i Krishtit përfaqëson vuajtjen më të madhe në histori, sepse Jezusi jo vetëm vuajti fizikisht, por edhe përjetoi zemërimin e drejtë të Perëndisë duke marrë mbi vete mëkatin e botës. Gjithsesi premtimi për shpërblimin dhe gëzimin që ishin përpara, i dha Jezusit forcë në vuajtje. Kryqëzimi, i kryer lakuriq e në publik, duke i shkaktuar vuajtje të tejzgjatura viktimës, kishte për qëllim të shkaktonte si poshtërim ashtu dhe vdekje (kr. me Hebrenjve 12:6).

1 e Pjetrit 1:8–9

Të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë (Jezu Krishtin), e doni, duke besuar në të, megjithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllehuni me hare të patregueshme dhe të lavdishme, duke marrë fundin e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.

Përmes veprës së tij shpenguese, përsosmëria e Krishtit çon në përsosjen e popullit të Tij (e cila do të përmbushet plotësisht në ditën e fundit). Kryqi i Krishtit përfaqëson vuajtjen më të madhe në histori, sepse Jezusi jo vetëm vuajti fizikisht, por edhe përjetoi zemërimin e drejtë të Perëndisë duke marrë mbi vete mëkatin e botës. Gjithsesi premtimi për shpërblimin dhe gëzimin që ishin përpara, i dha Jezusit forcë në vuajtje. Kryqëzimi, i kryer lakuriq e në publik, duke i shkaktuar vuajtje të tejzgjatura viktimës, kishte për qëllim të shkaktonte si poshtërim ashtu dhe vdekje (kr. me Hebrenjve 12:6).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: 

https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-joy/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Gëzimi

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin