key verses spiritual discipline

Gusht 2021                                Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Një jetë e fokusuar

Karakteri i perëndishëm zhvillohet me kohën, mprehet nga praktika e disiplinës shpirtërore dhe nga përkushtimi për të jetuar me ndershmëri para njerëzve dhe Perëndisë. Zakonet e përkushtimit, si lutja, agjërimi dhe leximi i Biblës janë mjetet përmes të cilave ne transformohemi nga Fryma. Inkurajohu të kultivosh një jetë të disiplinuar përmes këtyre pasazhe dhe komenteve nga Bibla e Studimit ESV.

1 e Timoteut 4:7–8

Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri, sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për gjithçka, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë. 

Këto vargje e udhëzojnë Timoteun për t’u formuar nga ungjilli. Të dy paragrafët e kësaj pjese (1 e Timoteut 4:6–10 dhe 1 e Timoteut 4:11–16) nisin me një thirrje për Timoteun që të shpallë disa të vërteta përpara bashkësisë. Fokusi është te mënyra si Timoteu përmes mësimeve dhe stilit të jetesës mund të ndihmojë kishën të përballet me mësimet e rreme.

Mateu 6:16–18

Dhe kur të agjëroni, mos u vrerosni si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t'u treguar njerëzve se agjërojnë; me të vërtetë ju them se tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, që të mos u dukesh njerëzve që ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.

Në kohën e Dhiatës së Vjetër praktikoheshin një sërë lloje agjërimesh, edhe pse ligji kërkonte vetëm një agjërim në vit, në Ditën e Shlyerjes (pavarësisht se agjërimi kërkonte me shumë mundësi të “përulje veten”; Levitiku 16:29–34; Levitiku 23:26–32). Përveçse duhet t’i mohonin vetes ushqimin, njerëzit duhet të përuleshin përmes lutjes, vajtimit dhe veshjes së thasëve. Ashtu si të dhënit (Mateu 6:2–4) dhe lutja (Mateu 6:5–15), agjërimi duhet të jetë çështje zemre midis të krishterit dhe Perëndisë.  Kur të agjëroni, Jezusi e merr të mirëqenë që dishepujt do të agjërojnë. “Shfytyrohen” nënkupton të lësh pa larë fytyrën dhe të spërkatur me hi, me qëllim që ta bësh publike vështirësinë fizike të agjërimit. Shpërblimin e tyre, vajosja dhe larja (Mateu 6:17) nënkuptojnë përgatitjet për të shijuar jetën (krahaso me Predikuesi 9:7–8).

2 e Timoteut 3:16–17

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.

“I gjithë Shkrimi” i referohet së pari Dhiatës së Vjetër por me shumë mundësi, të paktën edhe disa prej shkrimeve të Dhiatës së Re, të cilat në këtë kohë po fillonin të konsideroheshin si pjesë e Shkrimit (shih 1 e Timoteut 5:18; 2 e Pjetrit 3:15–16). “Frymëzuar nga Perëndia” është përkthim i një fjale greke (theopneustos) që nuk gjendet në asnjë tekst tjetër grek (biblik ose jo) deri para shkrimit të kësaj letre. Për këtë arsye disa sugjerojnë se Pali e krijoi këtë term nga fjalët “Perëndi” dhe “frymëzim”, që ka shumë të ngjarë të jetë e vërtetë. Termi thekson prejardhjen hyjnore, në të njëjtën kohë edhe autoritetin e Shkrimit. Pali nuk thotë se autorët njerëzorë të Shkrimit ishin të frymëzuar, por thotë se vetë shkrimet (“Shkrimi,” greqisht “graphe,” “shkrim”, që në Dhiatën e Re i referohet gjithmonë shkrimeve biblike) janë fjalët e folura (“të frymëzuara”) nga Perëndia. Edhe pse duket se kundërshtarët e Palit dhe Timoteut theksonin disa aspekte ose pjesë specifike të Shkrimit (p.sh., gjenealogjitë, 1 e Timoteut 1:4; krahaso me Titit 3:9), Pali thekson autoritetin e gjithë Shkrimit. Prejardhja hyjnore e Shkrimit është arsyeja pse ai ka fuqi të konvertojë (2 e Timoteut 3:15) dhe është i dobishëm për mësim (2 e Timoteut 3:17). Për shkak se Shkrimi vjen nga vetë Perëndia, “i gjithi” është i dobishëm në një sërë mënyrash, duke çuar në fund për në drejtësi.

Jozueu 1:8

Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherëdo të përparosh. 

Jozueut do t’i duhet forcë e guxim për të marrë detyrën e tij (ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin; Jozueu 1:6); për t’iu bindur Torës (Libri i Ligjit [Gjoni 1:8]; me shumë mundësi përfshinte të paktën librin e Ligjit të Përtërirë ose pjesë të tij [shih Ligji i Përtërirë 31:26, “ky ligj”]); dhe duhet t’i rezistonte frikësimit (mos ki frikë dhe mos e humb; Jozueu 1:9). Më e vështira nga të gjitha do të ishte detyra e dytë, pra, t’i integronte mësimet e Zotit (hebraisht Torah) në qenien dhe veprimet e tij (vargu 8a), duke medituar vazhdimisht rreth tyre për t’i përmbushur (vargu 8b).

Psalmi 1:1–2

Lum njeriu
që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve,
që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve
dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit,
dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Fjala “mendim” përshkruan një meditim aktiv, ndoshta edhe të murmuritësh me vete për të kuptuar më thellësisht. Disa supozojnë se shprehja ‘ditë e natë’ i referohet punës së studiuesve profesionistë që e kalojnë gjithë kohën duke medituar fjalët e ligjit, por në këndvështrimin e udhëzimit të ngjashëm te Jozueu 1:8, lexuesit duhet ta shohin këtë si përcaktimi i një ideali përballë çdo situate, qoftë edhe të përditshmërisë, me qëllim të kënaqësh Zotin duke njohur dhe ndjekur Fjalën e Tij.

1 e Thesalonikasve 5:16–18

Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Në gjithçka falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.

Gëzimi në letrat e Palit është shenjë dalluese e një të krishteri (Romakëve 14:17) dhe fryt i Frymës (Galatasve 5:22). Shpesh ai lidhet me shpresën e patundur të të krishterit (p.sh., Romakëve 5:2–5; 12:12). “Lutuni pa pushim” sugjeron që mendja të ketë një qëndrim lutjeje, sugjeron një bashkësi personale të vazhdueshme me Perëndinë dhe ndërgjegjësim ndaj të qenët në prezencën e Tij përditë, gjatë gjithë ditës. Të krishterët duhet të dallohen nga fryma falënderuese (Efesianëve 5:4, 20; Kolosianëve 2:7; 3:15, 17; 4:2). Kjo me shumë mundësi i referohet të gjithë pjesës së 1 e Thesalonikasve 5:16–18.

Mateu 6:5–6

Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t'i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.

Lutja ishte një shtyllë e devotshmërisë judaike. Lutja në publik, e thënë me zë të lartë në mëngjes, pasdite dhe në mbrëmje ishte shumë e zakonshme. Në kohën e përcaktuar të lutjes, judenjtë e devotshëm linin gjërat që po bënin dhe luteshin, disa në fshehtësi, por të tjerë në shfaqje të qëllimshme. Jezusi nuk dënoi çdo lutje publike, siç tregohet qartë edhe nga vetë lutjet e Tij në publik (p.sh., Mateu 6:14–19, 15:36). Motivimi i brendshëm i dikujt është shqetësimi kryesor. Mbylle derën, edhe pse lutja publike ka vlerë, lutjet larg publikut i mundësojnë një personi (ose grupi) të përqendrohet plotësisht te Perëndia.

Psalmi 105:1–2  

Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij,
bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
Këndojini atij, këndojini lavde atij,
mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

Pjesa hyrëse e Psalmit 105 e fton bashkësinë të festojë atë që Zoti ka bërë, duke nxitur një atmosferë gëzimi përmes termave si, kremtoni, këndoni, këndoni lavde, bëni të njohura dhe gëzohuni. Themeli i mirënjohjes është të kujtosh veprat e mrekullueshme që Zoti ka bërë, në veçanti ato që ka bërë për popullin e Tij, për pasardhjen e Abrahamit (krahaso me Zanafilla 15:5, 13, 18; 17:7). “Lutjuni për ndihmë emrit të tij” është një shprehje që nxit kërkimin e Zotit në adhurim publik (krahaso me Zanafilla 4:26; 12:8).

Kolosianëve 3:16

Fjala e Krishtit të banojë në ju me begati; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!

“Fjala e Krishtit” me shumë mundësi i referohet mësimeve të Krishtit dhe vetë fjalëve të Krishtit, që ishin pjesë e traditës së folur që u ishte kaluar besimtarëve në vitet e para pasi Krishti u ngjit në qiell, para se të shkruheshin Ungjijtë. Psalmet, himnet dhe këngët shpirtërore janë një mënyrë mësimi dhe këshillimi. Adhurimi i përbashkët ka një funksion mësues përmes vargjeve të këngëve. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme në kulturën e folur të kohës së Palit.

1 e Kronikave 16:29  

Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij,
çojini oferta dhe ejani para tij.
Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij;

Thirrjet për të kërkuar Zotin dhe forcën e Tij; për të kërkuar praninë e Tij vazhdimisht (1 e Kronikave 16:11) janë veçanërisht të përshtatshme përpara arkës, dhe një mendim karakteristik për shkruesin (shih 1 e Kronikave 22:19a). Për kronistin e Kronikave adhurimi nënkupton një përfshirje transformuese me Perëndinë. Udhëzimi i përsëritur ndaj Izraelit për të kujtuar mrekullitë e shkuara të Perëndisë, dhe premtimet e Tij për tokën dhe mbrojtjen ndaj Abrahamit dhe Izraelit (1 e Kronikave 16:18–22), do të jehonin në komunitetin e vogël e të pambrojtur pas mërgimit, qëndrimi i të cilëve në tokën e re mund të dukej i rrezikuar e i kërcënuar (shih Nehemia 4:6).

Festimi në adhurim i mbretërimit të Perëndisë mbi të gjithë tokën zë vend para arkës së fronit të Tij (1 e Kronikave 13:6) dhe duhet të nxisë besim e shpresë të njëjtë edhe në Izrael. Psalmi deklaron se perënditë e popujve janë idhuj të pavlefshëm, ndërsa Zoti i Izraelit mbretëron dhe vjen për të gjykuar tokën.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: 

https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-spiritual-discipline/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>