zemërbutësia pamja

Qershor 2025                                             Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Efesianëve 4:1-3

Prandaj ju bëj thirrje, unë i burgosuri në Zotin, që të ecni në mënyrë të denjë për thirrjen me të cilën u thirrët, me çdo përulësi dhe butësi, me durim, duke duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur për të ruajtur njëshmërinë e Frymës në lidhjen e paqes.

Përulësia konsiderohej si e papëlqyeshme nga bota pagane në kohën e Palit. Krenaria çmohej më shumë. Të gjitha virtytet e përmendura – “përulësi, butësi, durim” dhe mbi të gjitha dashuria – u shfaqën në vetë karakterin e Krishtit dhe duhet të jenë të dukshme në ecjen e përditshme të çdo të krishteri.

Galatasve 5:22-23

Por fryti i Frymës është dashuri, gëzim, paqe, durim, mirëdashje, mirësi, besim, butësi, vetëpërmbajtje. Kundër gjërave të tilla nuk ka ligj.

Fryma lufton kundër mëkatit jo vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm duke prodhuar te të krishterët atributet pozitive të karakterit të perëndishëm, e të gjitha këto shfaqen te Jezusi përgjatë ungjijve. “Butësia” është një cilësi që Jezusi ia atribuon vetes te Mateu 11:29; ajo i aftëson njerëzit që të gjejnë pushim tek ai, për t’i inkurajuar dhe për t’i forcuar të tjerët.

Titit 3:1-2

Sillu ndërmend atyre që t’u nënshtrohen parive dhe pushteteve, që të jenë të bindur, që të jenë të gatshëm për çdo vepër të mirë, që të mos përflasin askënd, që të jenë jo luftarakë, por zemërgjerë, duke treguar çdo butësi ndaj të gjithë njerëzve.

Jetesa e duhur, sidomos përkundrejt atyre jashtë besimit. Pali i rikthehet përshkrimit të “jetesës sipas ungjillit”, duke iu referuar kësaj radhe ndërveprimeve me jobesimtarët. Në përgjithësi, cilësitë që inkurajohen këtu (Titit 3:1-2) janë e kundërta e përshkrimit që u bëhet mësuesve të rremë te Titit 1:10-16.

“Të gatshëm për çdo vepër të mirë.” Edhe nëse mësuesit e rremë janë “të papërshtatshëm për çdo vepër të mirë” (Titit 1:16), një nga qëllimet e kryqit është të krijojë një popull “të zellshëm për vepra të mira” (Titit 2:14).

Lista mbyllet me një thirrje për të marrë iniciativën që t’i bëjmë të mirën kujtdo. Duke treguar zemërgjerësi (greqisht “prauteta”) është një përkthim i mirë i një fjalë që shpeshherë keqkuptohet, që ka kuptimin “butësi/zemërbutësi”.

Fjalët e Urta 15:4

Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit frymën.

“Një gjuhë e shëndoshë... gjuha e çoroditur.” Një fjalë e drejtë, e thënë me butësi, sjell jetë dhe shërim, megjithatë gjuha e shëndoshë mund të përdoret për të maskuar qëllime të çoroditura – duke sfilitur frymën, duke dëmtuar moralin e duke shkaktuar lëndim.

Isaia 40:11

Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gjirin e tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi e kujdes delet që kanë të vegjlit e tyre.

Zoti i lavdishëm vjen te populli i tij si mbret fitimtar, si një bamirës zemërgjerë e si një “bari” zemërbutë.

Mateu 11:29

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam i butë dhe i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaja.

“Zgjedhën.” Korniza e drunjtë që bashkon dy kafshë (zakonisht qetë), që të mund të tërheqin ngarkesa të rënda, ishte një metaforë për nënshtrimin ndaj njëri-tjetrit, dhe gjithashtu një metaforë e mirënjohur në judaizëm për ligjin. Interpretimi i farisenjve për ligjin, që përfshinte një listë të tejzgjatur dënimesh, ishte bërë një barrë e rëndë dhe e pambajtshme (Mateu 23:4) megjithatë, njerëzit besonin se ishte interpretim hyjnor. Nga ana tjetër, zgjedha e Jezusit për dishepullimin, sjell “prehje”, thjesht për shkak të përkushtimit ndaj tij.

I Timoteut 6:11-12

Por ti, o njeri i Perëndisë, ik prej këtyre gjërave dhe ndiq drejtësinë, përshpirtërinë, besimin, dashurinë, qëndresën dhe zemërbutësinë. Bëje ndeshjen e mirë të besimit, mbërthe jetën e përjetshme, për të cilën u thirre dhe bëre rrëfimin e mirë përpara shumë dëshmitarëve.

Referenca për Timoteun si “njeri i Perëndisë”, pohon autoritetin dhe vendin e tij përballë mësuesve të rremë, të cilët nuk janë njerëz të Perëndisë. “Njeri i Perëndisë” përdoret shpeshherë në Dhiatën e Vjetër për profetët (p.sh., Ligji i Përtetërië 33:1; 1 i Samuelit 9:6; Psalmi 90:1). Thirrja: bëje ndeshjene mirë të besimit” dhe mbërthe jetën e përjetshme” përfshijnë largimin nga mëkati dhe kërkimin me zell të perëndishmërisë (krahaso me II Timoteut 2:22).

I Pjetrit 3:3-4

Stolisja juaj të mos jetë e jashtme, si gërshetimi i flokëve dhe varja e stolive prej ari, apo veshja e rrobave të shtrenjta, por të jetë njeriu i fshehtë i zemrës, me stolinë e paprishshme të frymës së butë dhe të qetë, e cila është shumë e kushtueshme përpara Perëndisë.

“Stolisja juaj të mos jetë e jashtme.” Udhëzimet e Pjetrit në këtë pasazh ishin të zakonshme për kohën e tij (shih Seneka, Letrat, për Helvian 16:3-4; Dio Chrysostom, Orations 7.117; Juvenal, Satire 6.457–463; 490–511; Plutarch, Advice to Bride and Groom, Moralia 141E; Epictetus, Handbook 40). Kjo lloj “stolisja... e jashtme” mund të dëshmohet në portretet dhe skulpturat e shekullit të parë, kur “gërshetimi i flokëve” dhe vënia e stolive që binin në sy ishte e zakonshme te shtresa e lartë e shoqërisë romake. Përkundrazi, gruaja e krishterë duhet të përqendrohet në bukurinë e brendshme (të fshehur) të “zemrës”. Ajo që është e rëndësishme për Perëndinë është karakteri i perëndishëm i gruas, që karakterizohet prej frymës “së butë dhe të qetë”. Është e qartë se Pjetri nuk po ndalon gërshetimin e flokëve apo vënien e stolive të arta, sepse po të ishte ashtu, të njëjtat rregulla do të aplikoheshin për rrobat. Në fakt, Pjetri paralajmëron që të mos shqetësohemi më shumë seç duhet për pamjen e jashtme dhe për të mirat materiale.

Fjalët e Urta 15:1 

Përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.

“Fjala therëse” (Fjalët e Urta 15:1) do të thotë “fjalë dhimbjeje”, pra, një fjalë që lëndon. Fjalët e zgjedhura me kujdes nxisin ndërveprim të qetë e nuk provokojnë “zemërimin” (Fjalët e Urta 15:1), ato udhëzojnë me shembull (Fjalët e Urta 15:2), dhe inkurajojnë, në vend që të dekurajojnë (Fjalët e Urta 15:4).

I Pjetrit 3:15

Por shenjtëroni Zotin, Krishtin, në zemrat tuaja, përherë të gatshëm për mbrojtje ndaj çdokujt që ju kërkon arsye rreth shpresës që është në ju.

Besimtarët duhet të jenë gjithmonë gati për të siguruar mbrojtje për besimin e tyre, mirëpo duhet ta bëjnë me drejtësi dhe urtësi. Dhe, nëse kanë “ndërgjegje të mirë”, çfarëdolloj akuze kundrejt tyre do të jetë pa bazë, dhe paditësit do “të turpërohen”. Ndonjëherë është “vullneti i Perëndisë” që të krishterët të vuajnë “duke bërë mirë”.


Të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Vjetër janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV, sikurse të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Re janë përshtatur nga Bibla PRO.


Kategoria: Zemërbutësia

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-gentleness/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2025


Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
10 vargje kyç mbi familjen