Maj 2025 Nga: Crossway
Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.
Zanafilla 1:28
Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Jini të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni dhe sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.”
Ashtu siç Perëndia kishte bekuar krijesat e qiellit dhe të detit (Zanafilla 1:22), po ashtu ai e bekon njerëzimin. “Jini të frytshëm dhe shumëzohuni.” Ky motiv përsëritet gjatë Zanafillës, i ndërlidhur me bekimin hyjnor (shih Zanafilla 9:1, 7; 17:20; 28:3; 35:11; 48:4) dhe shërben si bazë e këndvështrimit biblik se, rritja e fëmijëve besnikë është pjesë e planit të Perëndisë për njerëzimin që prej krijimit. Plani i Perëndisë në krijim është që e gjithë bota të popullohet nga njerëz që e njohin dhe i shërbejnë atij me urtësi si zëvendësregjentë apo përfaqësues të tij. “Nënshtrojeni dhe sundoni.” Termi “nënshtrim” (hebraisht ‘kabash’) diku tjetër nënkupton mbledhjen e një populli nën varësi, që të kryejë shërbime për atë që e ka nënshtruar (Numrat 32:22, 29). Në këtë rast, ideja është që burri dhe gruaja duhet t’i përdorin burimet e tokës për benefitin e vet, që do të thotë se ata do të shqyrtonin dhe do të zhvillonin burimet e tokës për t’i bërë të dobishme për qenien njerëzore. Ky urdhërim na jep një themel për zhvillimet e mençura shkencore dhe teknologjike; mënyrat e këqija se si njerëzit e kanë ushtruar sundimin e tyre vijnë si rezultat i Zanafillës 3.
Eksodi 20:12
Ndero atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që ZOTI, Perëndia yt, po të jep.
“Ndero atin tënd dhe nënën tënde.” Fjala “ndero” do të thotë ta trajtosh dikë me respektin që i takon për shkak të rolit që ka. Për sa u përket prindërve, fjala “ndero” do të thotë: 1. t’i trajtosh me përnderim (krahaso me Eksodi 21:15, 17); 2. të sigurosh për ta dhe të kujdesesh kur të jenë në moshë të thyer (për këtë lloj nderimi, shih Fjalët e Urta 3:9). Edhe Jezusi edhe Pali theksojnë rëndësinë e këtij urdhërimi (Marku 7:1-13; Efesianëve 6:1-3; I Timoteut 5:4). Ky është i vetmi nga Dhjetë Urdhërimit pas të cilit vendoset një premtim specifik: që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokë – e cila nënkupton jo vetëm një jetë të gjatë, por një jetë të mbushur me praninë dhe favorin e Perëndisë.
Zanafilla 2:24
Për këtë arsye burri do të lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe do të jenë një mish i vetëm.
Teksti thekson idenë e njëjësimit që ekziston mes burrit dhe gruas. Adami shpall me gëzim: “Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im”. Kjo terminologji përdoret diku tjetër në lidhje me të afërmit e gjakut (Zanafilla 29:14). Kjo fjali, bashkë me historinë e krijimit të Evës, nxjerr në pah faktin se martesa është marrëdhënia më e afërt njerëzore nga të gjitha. Është gjithashtu e rëndësishme të vëmë re se Perëndia krijoi vetëm një Evë për Adamin, jo disa Eva apo një Adam tjetër. Çështja e monogamisë heteroseksuale për martesën është e mirëpërcaktuar nga Perëndia që në krijim. Për më tepër, lidhja midis burrit dhe gruas krijon detyrime që ia kalojnë edhe atyre ndaj prindërve (“Për këtë arsye burri do të lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet…” Zanafilla 2:24). Në Izraelin e lashtë, bijtë nuk lëviznin nga shtëpia kur martoheshin, por jetonin pranë prindërve dhe trashëgonin tokën e babait. “Lënia” e prindërve nënkupton vendosjen e mirëqenies së gruas mbi atë të fëmijëve. “Do të bashkohet” përdoret edhe diku tjetër duke iu referuar besnikërisë ndaj besëlidhjes (p.sh., Ligji i Përtërirë 10:20; shiko se si i bashkon Pali këto tekste te 1 e Korintasve 6:16-17); prandaj, tekstet e tjera biblike mund ta quajnë martesën një “besëlidhje” (p.sh., Fjalët e Urta 2:17; Malakia 2:14). Mësimet e Palit mbi martesën, tek Efesianëve 5:25-32, bazohen mbi këtë tekst. Ideja e të qenët bërë për njëri-tjetrin, reflektohet në termat “burrë” dhe “grua”; në hebraisht, ‘ish dhe ‘ishshah. Si rezultati i kësaj lidhjeje të veçantë, Zanafilla 2:24 vë në dukje se, kur një burrë lë prindërit dhe merr gruan, ata “do të jenë një mish i vetëm”, pra, një njësi (bashkimi i një burri dhe një gruaje, përmbushur në marrëdhënien seksuale). Jezusi i referohet këtij vargu dhe Zanafillës 1:27 kur jep këndvështrimin e tij për martesën (Mateu 19:4-5).
Mateu 19:4-6
Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: “A nuk e keni lexuar se ai që i bëri nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër, 5dhe tha: ‘Për këtë arsye do të lërë njeriu atin dhe nënën, dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë të dy një mish i vetëm’? 6Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, çfarë Perëndia e bëri çift, njeriu mos ta ndajë”.
“ai që i bëri nga fillimi... tha…” është një pohim i sigurt i frymëzimit hyjnor të Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër, sepse Jezusi citon fjalët nga Zanafilla, që nuk i atribuohen asnjë folësi (“...Për këtë arsye do të lërë njeriu…”, krahaso me Zanafilla 2:24) dhe ia atribuon këto fjalë Perëndisë.
“Prandaj, çfarë Perëndia e bëri çift” nënkupton se martesa nuk është thjesht një marrëveshje njerëzore, por një marrëdhënie në të cilën Perëndia ndryshon statutin e një burri dhe një gruaje nga beqarë (“nuk janë më dy”) në të martuar (“një mish i vetëm”). Prej momentit kur martohen, ata bashkohen në mënyrë të mistershme që nuk i përket asnjë marrëdhënieje tjetër njerëzore, duke pasur të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e dhëna nga Perëndia ndaj martesës, të cilat nuk i kishin më parë. Të qenët “një mish i vetëm” përfshin bashkimin seksual të burrit dhe gruas (shih Zanafilla 2:24), megjithatë është edhe më tepër se aq, sepse nënkupton që ata kanë lënë shtëpinë e prindërve (“...burri do të lërë babanë dhe nënën e vet…” Zanafilla 2:24) dhe kanë krijuar një familje të re, duke e pasur detyrimin e besnikërisë njerëzore së pari ndaj njëri-tjetrit, më shumë se ndaj kujtdo tjetër. “Njeriu mos ta ndajë.” Jezusi shmang argumentin e farisenjve për arsyet e divorcit dhe kthehet te fillimi i krijimit, duke treguar qëllimin e Perëndisë për institucionin e martesës. Duhet të jetë një lidhje e përhershme mes një burri dhe një gruaje që i bashkon në një njësi të re që shenjtërohet prej marrëdhënies fizike (Zanafilla 2:24).
Efesianëve 6:1-4
Ju, fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. “Ndero atin tënd dhe nënën (ky është urdhërimi i parë me premtim), që ty të të bëhet mirë dhe, kështu, do të jesh jetëgjatë mbi tokë”. Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por i rritni në edukim dhe këshillim të Zotit.
“Fëmijë.” Marrëdhënia e dytë familjare që ilustron nënshtrimin ndaj autoritetit (Efesianëve 5:21) është ajo e fëmijëve me prindërit. Ligji i Moisiut dënonte me vdekje fëmijën që godiste apo mallkonte prindin (Eksodi 21:15, 17; Levitiku 20:9), dhe Pali e liston mosbindjen ndaj tyre si një prej mëkateve të rënda (Romakëve 1:30; 2 e Timoteut 3:2). Megjithatë, Pali nxit tek Efesianëve 6:1-3 detyrën pozitive të fëmijëve për t’ju bindur “prindërve”. Bindja duhet të jetë ndaj të dy prindërve; nënshtrimi i nënës ndaj bashkëshortit të saj nuk ia heq dinjitetin prindëror, përkundrazi e rrit atë. “Të Zotit” plotëson foljen “bindjuni”. “E drejtë.” Ajo çka e bën këtë bindje “të drejtë” është përputhja e saj me urdhërimin e shenjtë të Perëndisë, që citohet te Efesianëve 6:2-3.
Kolosianëve 3:20-21
Ju, fëmijë, bindjuni prindërve në të gjitha, sepse kjo është e pëlqyeshme në Zotin! Ju, etër, mos i ngacmoni fëmijët tuaj, që të mos shkurajohen!
Fjalët e Palit ndaj fëmijëve reflektojnë urdhërimin e pestë (Eksodi 20:12). “Mos i ngacmoni fëmijët tuaj.” Njeriu nxitet të kontrollojë zemërimin dhe çfarëdolloj sjelljeje tjetër që mund të hidhërojë fëmijët (krahaso me Efesianëve 6:4), në mënyrë që të mos dëshpërohen nga përpjekja për t’u pëlqyer prindërve.
Psalmi 127:3-5
Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga ZOTI;
fryti i barkut është një shpërblim.
Si shigjeta në duart e një trimi,
kështu janë bijtë e rinisë.
Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot!
Ata nuk do të ngatërrohen kur të flasin
me armiqtë e tyre te porta.
Bekimi i të pasurit fëmijë. Njësoj si me pjesën e parë, kjo nuk eliminon veprimtarinë njerëzore: “bijtë janë një trashëgimi që vjen nga ZOTI”, pra, janë dhuratë e tij. Megjithatë, burri dhe gruaja duhet të bëjnë diçka që t’i sjellin ata në botë e t’i rrisin që të bëhen anëtarë besnikë të popullit të Perëndisë. Në këtë rast, theksi bie te “bijtë e rinisë”, që tashmë janë rritur dhe qëndrojnë pranë të atit, “kur të flasin me armiqtë e tyre te porta” (pra, vendi ku ushtrohet drejtësia, Ruthi 4:1-2). Do të jetë e vështirë që armiqtë (që hamendësohen si të padrejtë) të frikësojnë një njeri të tillë.
Fjalët e Urta 17:6
Bijtë e bijve janë kurora e pleqve dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre.
Familjet varen nga njëra-tjetra për identitetin dhe gëzimin e tyre. Edhe të rinjtë, edhe të moshuarit duhet të çmojnë marrëdhëniet ndërbreznore.
1 e Timoteut 5:8
Por nëse dikush nuk përkujdeset për të vetët, dhe veçanërisht për shtëpiarët, e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.
“Më i keq se një jobesimtar.” Sigurimi për familjen është një çështje frymërore me rëndësi të madhe. Nëse nuk e jetojmë besimin në këtë mënyrë, është njësoj si të jemi duke mohuar besimin.
Mateu 12:46-50
Ndërsa ai ende po u fliste turmave, ja, nëna dhe vëllezërit e tij po qëndronin jashtë, duke kërkuar për t’i folur. 47Dhe dikush i tha: “Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu po qëndrojnë jashtë, duke kërkuar për të folur me ty”. Por ai, duke u përgjigjur, i tha atij që i foli: “Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?!”. Dhe duke shtrirë dorën drejt dishepujve të tij, tha: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. Sepse cilido që të bëjë vullnetin e Atit tim që është në qiej, ai më është vëlla dhe motër, dhe nënë”
Dishepujt janë familja e vërtetë e Jezusit. Jezusi thërret një familje të re frymërore në marrëdhënie me të dhe me Atin e tij, një familje e bashkuar në karakteristikën shquese të jetës dhe shërbesës së Jezusit: bindja ndaj vullnetit të Atit (Mateu 12:50).
“Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.” Misioni mesianik i Jezusit ka prioritet edhe ndaj detyrave familjare. Në vend që të shfuqizojë rëndësinë e familjes biologjike (krahaso me Mateun 15:3-9), Jezusi po tregon epërsinë që duhet të ketë përkushtimi ndaj tij dhe ndaj mbretërisë së qiellit.
Të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Vjetër janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV, sikurse të gjitha pjesët e komentarit të Besëlidhjes së Re janë përshtatur nga Bibla PRO.
Kategoria: Familja
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-family/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2025