effective ministry 1

Janar 2025


Përsiat pak mbi fjalët e psalmistit:

Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua. Do të mendohem thellë për shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe për veprat e tua të mrekullueshme. Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme dhe unë do të tregoj madhështinë tënde. Ato do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde. Psalmi 145:4-7

Tani reflekto mbi këto fjalë nga Tedd dhe Margy Tripp:

Idhujt e zemrës e humbasin pushtetin mbi shpirtin kur zëvendësohen nga ëndje më të mëdha e të kënaqshme. Fëmijët tuaj janë krijuar për ëndje që zgjasin, jo nga ato të momentit, por nga ato për gjithë jetën e për përjetësinë. Për shkak se fëmijët tuaj janë krijuar për të adhuruar Perëndinë, një nga thirrjet më të rëndësishme për ju është t’ua shfaqni atyre lavdinë e Perëndisë. Detyra juaj është t’i ndihmoni fëmijët tuaj të shohin shkëlqimin verbues të Perëndisë. Fëmijët nuk do të mendojnë kurrë drejt për veten derisa të kenë menduar drejt për Perëndinë.

                                                                             (Instructing a Child’s Heart, e drejta e autorit 2008, fq. 97)

Si mund ta vendosësh këtë në praktikë? Fillimisht, është e dobishme t’u japim fëmijëve një përkufizim të lavdisë së Perëndisë. Për shembull, lavdia e Perëndisë është kur Ai na tregon madhështinë dhe vlerën e Tij. Ja disa shembuj të pyetjeve për diskutim që mund të përdorësh me fëmijën tënd.

Pyetje për diskutim prind-fëmijë

Veprat e lavdishme të Perëndisë

A mund të më japësh ndonjë shembull të veprave të lavdishme të Perëndisë? Çfarë gjërash ka bërë Perëndia që na mahnitin?

Të shohim lavdinë e Perëndisë

Lexoni dhe diskutoni Psalmin 19:1-4a. Vështroni me kujdes disa objekte dhe/ose foto të natyrës. Si na e tregon Perëndia lavdinë e Tij përmes asaj që ka krijuar? Si ta tregojnë këto gjëra madhështinë e Perëndisë?

Të lavdërojmë Perëndinë

Lexoni Psalmin 145:1-6. Kur Perëndia na tregon madhështinë dhe vlerën e Tij (lavdinë e Tij), si duhet të veprojmë ndaj Tij? Çfarë thotë psalmi? Çfarë mund të bësh këtë javë për të lavdëruar Perëndinë kur ke parë se Ai është i lavdishëm? Si mund t’i tregosh dikujt për gjërat e lavdishme që Perëndia ka bërë? Si mund ta studiosh një vepër të mahnitshme të Perëndisë?

T’i përgjigjemi lavdisë së Perëndisë

Lexoni Romakëve 1:20a. Gjithçka që Perëndia ka krijuar, tregon madhështinë dhe vlerën e Tij — lavdinë e Tij. Secili prej nesh u krijua për të shfaqur madhështinë dhe vlerën e Perëndisë. Si mendon se mund ta bëjë dikush këtë gjë? Si mund ta tregosh apo ta shfaqësh se Perëndia është më i veçantë, më i vlefshëm e më i mrekullueshëm se gjithçka tjetër?

Lavdia e Jezusit

Lexoni dhe diskutoni për disa prej këtyre pasazheve: 2 e Korintasve 4:6; Filipianëve 2:8-11; Kolosianëve 1:15 dhe Hebrenjve 1:3.


Përkthyer me leje: https://truth78.org/blogs/blog/helping-children-see-the-glory-of-god

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

EtiketaT78

Postime të ngjashme

Një përbërës kyç i efektshmërisë së shërbesës së fëmijëve dhe të rinjve