foto103

NGA BETSY HOWARD

Tabloja “Der Weinberg des Herrn” (Vreshti i Zotit, 1569) e Lukas Kranak i Riu (Lucas Cranach the Younger), e cila gjendet në Kishën e Shën Marisë në Vitenberg të Gjermanisë, paraqet reformatorët e Vitenbergut duke punuar krah për krah si bujq në një kodrinë, duke u kujdesur për hardhitë e reja dhe duke mbledhur të korrat. Edhe pse mundi i tyre është i madh, puna e këtyre reformatorëve bashkëpunëtorë ishte jashtëzakonisht e frytshme.

Përkrah të famshmit Martin Luterit dhe dijetarit Filip Melanktonit dhe shumë të tjerëve, është edhe Johan Bugenhageni, pastori i Kishës së Shën Marisë, i cili ka veshur një rrobë me ngjyrë të çelur, teksa prashit tokën. Edhe pse jo aq i famshëm apo i frytshëm sa Luteri dhe Melanktoni, Bugenhageni punoi me zell përkrah tyre, si në Kishën e Shën Marisë ashtu dhe më vonë në Universitetin e Vitenbergut.

Reformatori i katërfishtë

Edhe pse më së pari ishte pastor, Johan Bugenhageni, i cili njihet ndryshe edhe si Johan Pomerani (Johannes Pomeranus), i shërbeu Reformimit, siç e thotë më së miri edhe Kurt Hendeli, në katër role të veçanta, si teolog, ekzegjet, pastor, reformator shoqëror dhe si organizator kishe (Johannes Bugenhagen, fq. xi).

Bugenhageni ishte një teolog autodidakt; ai kishte fare pak trajnim teologjik, por kishte lexuar gjerësisht nga Shkrimet dhe etërit e kishës. Duke qenë një njohës i jashtëzakonshëm i latinishtes, Bugenhageni ia doli të fitonte një doktoratë në teologji nga Universiteti i Vitenbergut dhe po aty dha leksione teologjie. Si interpretues i Shkrimit, Bugenhageni ndoshta kujtohet më tepër për komentarin e tij mbi Psalmet botuar në vitin 1524, edhe pse botoi edhe komentarë për Jeremian dhe Mateun dhe një përkthim të Biblës në gjermanishten popullore.

Duke qenë se thirrja parësore e Bugenhagenit ishte ajo e pastorit të bashkësisë së Kishës së Shën Marisë në Vitenberg për tri dekada me radhë, pjesa më e madhe e punës së tij të përditshme kishte natyrë baritore. Megjithatë, nga gjithë rolet e tij, Bugenhageni dukej që ishte jashtëzakonisht i zoti për strukturimin e kishave të reja të reformuara, si dhe për jetën urbane që i rrethonte ato.

Administrimi i një lëvizjeje

Zotësia e Bugenhagenit për ndërtimin e strukturave të reja kishtare për famullitë, qytetet dhe rajonet që iu bashkuan Reformimit u shfaq qartë gjatë këtij procesi; Uolltër Rukiusi (Walter Ruccius) e përshkruan punën administrative të Bugenhagenit si një prej dy dhuntive të tij të veçanta. Përveç “besnikërisë sypatrembur ndaj asaj që ai e konsideronte të vërtetë”, shkruan Rukiusi, Bugenhageni kishte edhe “dhuntinë e organizimit” (John Bugenhagen Pomeranus, fq. 3). Bugenhageni e përdori “dhuntinë e tij të organizimit” për të krijuar struktura të jashtëzakonshme qeverisëse dhe shoqërore për komunitetet e reja të Reformimit.

Në mënyrë të veçantë libri i tij Kirchenordnungen, apo “Organizimi i kishës”, shtjellon ndërvarësinë mes autoriteteve politike dhe kishave lokale, si dhe organizimin brenda kishave individuale. Aftësia për t’i ndarë dhe modifikuar në mënyrë të frytshme këto struktura shoqërore dhe kishtare ishte çelësi i përhapjes së shpejtë të Reformimit më së pari në Gjermani dhe pastaj në Skandinavi.

Si një njeri i dhënë pas teologjisë dhe me aftësi të jashtëzakonshme organizative, Bugenhageni i shërbeu Reformimit në mënyrën më domethënëse përmes strukturave shumë praktike që ai shpiku dhe solli në jetë. Edhe pse rregullat e Kirchenordungen mund të duken shumë të çuditshme për konceptin tonë bashkëkohor të marrëdhënieve kishë-shtet, vepra e Bugenhagenit dëshmon për vlerën e dhuntive administrative në përhapjen e ungjillit.

Miqësia me Luterin

Pavarësisht nga shkrimet e shumta, udhëtimet e shpeshta dhe nga vepra e vazhdueshme organizuese dhe skicuese, Bugenhageni ruajti një marrëdhënie të ngushtë me reformatorët e Vitenbergut si miku dhe pastori i tyre. Ai ishte veçanërisht i afërt me Luterin. Bugenhageni martoi Luterin me Katerina fon Borën (Katharina von Bora), pagëzoi fëmijët e tyre dhe shërbeu si rrëfyesi i Luterit.

Prandaj, kur Bugenhageni mbajti predikimin në shërbesën funebre të Luterit më 22 shkurt 1546, ai druhej se nuk do të ishte i zoti “që të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme për shkak të lotëve”. Pasi falënderoi Perëndinë për guximin e Luterit për t’u ngritur kundër korruptimit të Kishës Katolike të Romës, madje edhe përkundër “përndjekjes dhe shpifjeve”, Bugenhageni u lut: “Mbroje krishterimin tënd të gjorë… Bëj që në kishën tënde të ketë përherë predikues të mirë dhe besnikë” (A Christian Sermon).

Polemikat e Vreshtit

Ashtu sikurse Bugenhageni u lut për besnikëri dhe qëndrueshmëri në punën e predikimit, edhe tabloja “Vreshti i Zotit” e Kranakut i paraqet reformatorët e Vitenbergut si një grup ungjilltarësh dhe predikuesish që punojnë së bashku për t’u kujdesur dhe për ta rritur kishën drejt pjekurisë për hir të Krishtit.

Megjithatë, si retorika e Bugenhagenit, ashtu dhe paraqitja e kishës nga Kranaku nuk i shmangen debatit dhe polemikave. Në anën tjetër të kodrës që paraqitet në tablonë “Vreshti i Zotit”, Kranaku paraqet përfaqësuesit e katolicizmit tek shkatërrojnë pa reshtur vreshtin, tek djegin të korrat dhe tek mbushin puset me gurë. Përshkrimet e Bugenhagenit për katolicizmin janë të barasvlershme me pamjet e tablosë së Kranakut. Kështu, në predikimin e mbajtur në funeralin e Luterit, Bugenhageni u ankua kundër “blasfemive të mëdha, të pafytyra dhe mizore të kundërshtarëve dhe të priftërinjve dhe murgjve zemërgurë” si dhe të “papës zemërak”, duke përdorur gjuhë apokaliptike për ta krahasuar Kishën e Romës me Babiloninë.

Por sulmi kundër veprës së Kranakut dhe retorikës së Bugenhagenit vë në pah atë që rrezikohej gjatë Reformimit dhe urgjencën apokaliptike që ndien reformatorët: kisha është si një vresht që i përket Jezusit. Sikur Krishti të kthehej papritur për të sjellë kështu fundin e kohërave, një ngjarje për të cilën ai ishte i bindur që do të ndodhte së shpejti, Bugenhageni donte me çdo kusht që, kur kjo të ndodhte, Zoti i vet ta gjente “në vreshtin e Zotit” duke punuar përkrah shokëve të tij të Vitenbergut.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme

Kalvinisti i parë – Theodore Beza
>