Luterani zemërbutë - Philip Melanchthon

NGA DAVID MATHIS

Filip Melanktoni nuk ishte ai lloj personi që niste revolucione, por që vendoste rregull në mes të rrëmujës së shkaktuar prej tyre. Udhëheqësi i tij frymëror e intelektual, Martin Luteri, ishte i ashpër, impulsiv dhe energjik, ndërsa Filipi ishte një person i druajtur dhe mendjekthjellët, i cili dinte se si t’i afronte dhe bashkonte njerëzit. Luteri vetë e pranonte se ishte “brumë, por pa fjalë”, kurse dishepulli i tij i ri, por mendjendritur, ishte “brumë dhe fjalë”.

Luteri as që bënte përpjekje për përpikëri apo për t’u ruajtur nga keqkuptimet; të shprehurit në mënyrë të saktë e të përpiktë ishte pika e fortë e Melanktonit. Luteri thoshte vetë që, ndërsa ai përdorte ushtën, Melanktoni ishte mjeshtër në përdorimin e thumbave dhe të gjilpërës. Luteri ishte shteghapës, sepse atij i takoi detyra që të përdorte satërin apostolik për të çelur një udhë të re mes përmes xhunglës së pashkelur shekullore të besëtytnive. Përkundrazi, Melanktonit, sikurse Bulingerit në Zyrih dhe Kalvinit në Gjenevë, i takoi që të luante rolin e sistemuesit të qetë dhe të përmbajtur, duke e përpunuar shtegun protestant për brezat që do të pasonin.

Ai ishte “reformatori i qetë” dhe partneri i duhur për Luterin e egër dhe të zhurmshëm. Mirëpo, Melanktoni nuk u bë i njohur vetëm për faktin që ishte i qetë e i butë, sepse kur vinte puna, ai shfaqte një nerv shpërthyes. Jo vetëm që ishte kureshtar i paepur dhe një zotërues mjeshtëror i çdo lënde, por gjithashtu çuditërisht ishte edhe besëtytë. Si çdo mëkatar tjetër, edhe ai kishte përzierjen e tij kontradiktore të virtyteve dhe veseve, por Perëndia nuk e kishte problem ta përdorte atë për veprën e Tij.

Talent, profesor, bashkëpilot

Lindur në vitin 1497 në jugperëndim të Gjermanisë, Melanktoni ishte nipi i humanistit të mirënjohur Johan Rojklin (Johann Reuchlin, 1455-1522), i cili duke ndjekur traditën humaniste e këshilloi Filipin që ta ndryshonte mbiemrin nga Schwartzerdt (“tokë e zezë”) në versionin e helenizuar Melankton.

Duke qenë vërtet një talent i rrallë që në fëmijëri, Melanktoni studioi letërsinë e vjetër greke e romake në Hajdelberg dhe Tybingen, dhe arriti në Vitenberg në vitin 1519 në moshën 22-vjeçare, ndërsa Reformimi po merrte vrull. Po atë vit, ai e shoqëroi Luterin si ndihmës në Debatin e Lajpcigut. Rreth vitit 1521 ai botoi versionin e tij të parë të Loci Communes (Konceptet bazë), i cili filloi si një komentar mbi letrën e Romakëve, por i frymëzuar nga shkrimet e Luterit u përpoq ta lidhte teologjinë e krishterë me tekstin biblik, në vend që të ndiqte kategoritë filozofike të veprave akademike mesjetare.

Teksa zjarret e reformës u ndezën edhe më fort, Melanktoni ishte përkrah Luterit në Marburg në vitin 1529, dhe në Augsburg në vitin 1530 u paraqit si përfaqësues i Luterit për të mbrojtur kauzën luterane, duke formuluar madje Rrëfimin e Augsburgut, meqenëse Luteri kërkohej nga drejtësia për t’u gjykuar dhe s’mund të merrte pjesë.

Mendje e pavarur

Sidoqoftë, lidhja e ngushtë e Melanktonit me Luterin nuk do të thoshte që të gjithë luteranët i përqafuan idetë e tij. Madje që kur ishte gjallë Luteri, disa e akuzuan Melanktonin si një doktrinëprishës, i cili po merrte kontrollin e lëvizjes së guximshme të Luterit për ta zbutur atë. Në të njëjtën kohë, shumë të tjerë e vlerësuan me gjithë zemër rafinimin, mendjekthjelltësinë, zotësinë teologjike të Melanktonit dhe menduan që ai po i ofronte një shërbim shumë të çmuar mikut të tij nismëtar.

Melanktoni ishte mendimtar tepër i kujdesshëm për të rënë dakord njëqind për qind me Luterin. Mirëpo, edhe atëherë kur dallimet në mes tyre dolën në pah, ai nuk reshti së konsideruari veten si dishepulli i Luterit. Ai po e ndihmonte udhëheqësin e tij frymëror e intelektual, duke i pjekur edhe më mirë pikëpamjet teologjike të këtij të fundit, pra, nuk po rebelohej kundër tij.

Dy dallimet e tij kyç me Luterin, për të cilat disa kundërshtarë do t’i kërkonin llogari deri më një, kishin të bënin me skllavërinë e vullnetit dhe Darkën e Zotit. Qysh në vitin 1540, dhjetë vjet pas Augsburgut dhe gjashtë vjet para vdekjes së Luterit, Melanktoni botoi një version të përditësuar të rrëfimit me një pikëpamje të rishikuar të Darkës së Zotit. Kundërshtarët e akuzuan se ishte një kriptokalvinist (kalvinist i fshehtë) për temën e Darkës së Zotit; megjithatë, për sa i përket pikës së dytë dalluese, ai u distancua dukshëm nga Gjeneva. Melanktoni e mohoi paracaktimin e dyfishtë, të cilën e konsideronte si rrjedhojë të natyrshme të pikëpamjes së Luterit për vullnetin, si dhe dyshonte që të paktën disa nga ndjekësit e Luterit po shkonin shumë larg në pikëpamjen e tyre për skllavërinë e vullnetit.

Udhëheqësi i luteranëve

Me kalimin e viteve, madje dhe pas vdekjes së tij në Vitenberg në vitin 1560, “reformatori i qetë” fitoi në një nga mosmarrëveshjet e tij dhe humbi në tjetrën. Në Formulën e Ujdisë (Formula of Concord) të vitit 1577 dhe Librin e Ujdisë (Book of Concord) të vitit 1580 “ortodoksia luterane nuk i kushtoi shumë rëndësi doktrinës së paracaktimit (duke mbajtur anën e Melanktonit) dhe pohoi praninë reale të Krishtit në Darkën e Zotit (kundër Melanktonit)”. Nga këndvështrimi i reformuar, që të dyja vendimet shkuan në drejtimin e gabuar dhe shpjegojnë ndryshimet kyç mes të reformuarve dhe luteranëve në ditët e sotme. Mund të themi që Ujdia do të kishte bërë mirë që të dëgjonte Melanktonin për Darkën e Zotit dhe Luterin për sa i përket skllavërisë së vullnetit.

Në fund të fundit, Melanktoni u bë udhëheqësi intelektual i luteranëve. Ai jo vetëm që ishte teologu i parë sistematik i Reformimit dhe një prej figurave të tij më të rëndësishme, por gjithashtu krijoi sisteme arsimore që e bënë luteranizmin të fortë e të qëndrueshëm jo vetëm në këto kohë paqëndrueshmërie, por edhe në ditët më të trazuara që do të vinin. Perëndia i përdori për mirë dhuntitë, sjelljet e çuditshme dhe madje tiparet kontradiktore të Melanktonit, për ta përforcuar teologjinë e Reformimit si një forcë botëndryshuese.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme