Lobisti i Ungjillit – Thomas Cranmer

NGA MATTHEW WESTERHOLM

Ndërsa mbreti Henri VIII po jepte shpirt në shtratin e vdekjes, kërkoi vetëm një person që të vinte dhe t’i mbante dorën. Të lë pa fjalë fakti që personi që mbreti kërkoi, ishte një prej mbrojtësve më të mëdhenj të Reformimit protestant.

Tomas Krenmëri dha ndihmesën e tij në udhëheqjen e Reformimit anglez, por ai zor se mund të konsiderohet një hero kur e krahasojmë me Luterin, Kalvinin dhe reformatorët e tjerë. Ai nuk shkroi libra të rëndësishëm teologjikë dhe as qe pastori i ndonjë kishe të famshme. Në fakt, Krenmëri i përqafoi të vërtetat qendrore të Reformimit në një pjesë relativisht të vonë të jetës së vet. Mirëpo, gjatë viteve të Reformimit protestant, ai i dha formë teologjisë angleze ndoshta më shumë se çdo person që ka jetuar ndonjëherë.

Fara e ndarjes

Lindur në vitin 1489, në fshatin e vogël të Asloktonit, Tomas Krenmëri u rrit pranë pyllit Sherud ku ishte fshehur Robin Hudi tre shekuj më herët. Ai kishte vështirësi në lexim, aq sa iu deshën tetë vjet për të përfunduar studimet në universitetin e Kembrixhit, studime për të cilat normalisht nevojiteshin katër vjet. Mirëpo, ai qe një student tepër këmbëngulës, i përfundoi studimet me një diplomë masteri, u shugurua për shërbesë dhe u zgjodh nga drejtuesit e Kembrixhit që të jepte mësim atje. Ai u bë i mirënjohur për faktin se i nxiste studentët e tij që ta studionin Biblën për veten e tyre.

Teksa Krenmëri i kaloi vitet e tij në qetësi duke shërbyer në trupën akademike, Anglia po kalonte një kohë trazirash. Mbretit Henri VIII i kishte hipur në kokë që ta prishte martesën e tij me Katerinën e Aragonit. Në saje të një kombinimi të çuditshëm rrethanash, Krenmëri i këshilloi disa prej këshilltarëve të Henrit që t’i thoshin atij se mbreti i Anglisë nuk kishte kurrfarë detyrimi që t’i nënshtrohej sundimit të papës (gjë e cila i pëlqeu së tepërmi mbretit). Kështu, dashje pa dashje, këshilla e Krenmërit mbolli një farë që e ndau kishën e Anglisë nga Kisha Katolike e Romës.

Politikani i reformuar

Krenmëri e braktisi katolicizmin për doktrinën e reformuar afër fundit të jetës së vet, një transformim ky që reflektoi trazirat dhe përçarjet që karakterizuan Reformimin anglez. Gjatë studimeve në Kembrixh ai i kishte lexuar veprat e Martin Luterit me skepticizëm, por zunë t’i pëlqenin pikëpamjet e reformuara pasi u bë shok me Simon Grineun (Simon Grynaeus) dhe Andrea Osiandrin (Andreas Osiander). Pas shumë bisedave që pati me mikun e tij, Nikolas Ridlin (Nicholas Ridley), ai më në fund e mohoi doktrinën e transubstancionit. Pastaj Krenmëri u dha formë reformave të tij liturgjike përmes bisedave me reformatorin italian Pjetër Martiri dhe me reformatorin gjerman Martin Bucerin.

Teologjia e Krenmërit ndryshoi në mënyrë tepër dramatike për katolikët anglezë dhe shumë ngadalë për ungjillorët që dëshironin një reformim pa kompromise. Për disa (madje edhe sot), reformat e Krenmërit dukeshin kryesisht të motivuara nga pikëpamja personale dhe politike. Mirëpo, ai nuk e kishte luksin që të formulonte besime abstrakte në mes të një grupi akademikësh të paanshëm. Teologjia e tij mori formë në një situatë të trazuar prej krizash pastorale dhe politike.

Babai i Kishës Anglikane

Arritjet më të mëdha të shërbesës së Krenmërit erdhën gjatë mbretërimit të Eduardit VI, kur ai shkroi nga fillimi liturgjitë publike, predikimet pastorale (apo homilitë), lutjet private dhe rrëfimin e besimit. Këto shkrime përcaktuan strukturën doktrinare dhe përshpirtshmërinë personale të asaj që më vonë do të shndërrohej në Kishën Anglikane, gjë për të cilën ai kujtohet më së shumti.

Krenmëri dëshironte që të gjithë njerëzit në kishat angleze të përqafonin drejtësimin vetëm përmes besimit. Ai shkroi:

Ky pohim, pra, që jemi drejtësuar vetëm përmes besimit dhe pa pasur fare nevojë për veprat, shpallet që të heqim qartësisht dorë prej të gjitha meritave të veprave tona, meqë ato janë të pamjaftueshme për të fituar drejtësimin tonë prej Perëndisë; dhe, për rrjedhojë, të shprehim sa më fort dobësinë e njeriut dhe mirësinë e Perëndisë, papërsosmërinë e veprave tona dhe hirin jashtëzakonisht të bollshëm të Shpëtimtarit tonë, Krishtit; në këtë mënyrë arritja dhe merita e drejtësimit tonë i atribuohen plotësisht vetëm Krishtit dhe gjakut të tij shumë të çmuar që u derdh për ne. (The Works of Thomas Cranmer, fq. 131).

Mohimi i dyfishtë

Kur mbretëresha katolike Maria I erdhi në pushtet, bindjet e reformuara të Krenmërit i kushtuan atij jetën. Gjatë një periudhe trevjeçare vuajtjesh e mundimesh, ai u burgos, u vu në izolim, u poshtërua, u mor në pyetje, dhe u torturua. E detyruan gjithashtu që të shihte miqtë e tij, Nikolas Ridlin dhe Hju Latimerin, tek digjeshin të gjallë.

Më vonë, në çastin e ekzekutimit, Krenmëri gati sa nuk u dorëzua dhe ishte afër mohimit të besimit të tij, por ky burrë shteti, zakonisht ngurrues dhe i urtë, e demonstroi fuqishëm besimin e tij në Krishtin tek po digjej në turrën e druve.

Hajduti mbi fron

Momenti që e tregon më së miri trashëgiminë jetëgjatë të Krenmërit, nuk ishte dita e vdekjes së tij, por një ditë tjetër nëntë vjet më herët, teksa qëndroi pranë shtratit të vdekjes së mbretit Henri VIII. Më 27 janar 1547, mbreti Henri ishte duke vdekur. Një shërbëtor e pyeti se kë dëshironte të kishte pranë vetes në çastin e mbramë. Mbreti kërkoi që t’i sillnin Tomasin.

Kur Tomasi mbërriti, mbreti Henri nuk ishte më në gjendje që të fliste. Foksi na e tregon si më poshtë se si rrodhën ngjarjet:

Pastaj kryepeshkopi duke e nxitur që ta vendoste besimin e tij në Krishtin dhe t’i përgjërohej mëshirës së Tij, edhe pse mbreti nuk mund të fliste, i kërkoi që t’i jepte një lloj shenje me sy apo dorë që ai besonte në Zotin. Pastaj mbreti, teksa mbante dorën e Krenmërit, ia shtrëngoi me aq fuqi sa kishte. (Foxe’s Book of Martyrs, fq. 748)

Kjo skenë thekson në mënyrë të ëmbël miqësinë më të rëndësishme që shënoi fatin e Reformimit anglez. Çfarëdo që të ketë besuar mbreti Henri kur ia shtrëngoi dorën Krenmërit atë ditë, Perëndia e përdori këtë lidhje mes tyre për ta shkëputur Anglinë nga Kisha e Romës dhe që mbarë vendi të rifitonte të vetmin ungjill të vërtetë.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme