foto77

NGA JOHN PIPER

Në vjeshtë të vitit 1539, Gjon Kalvini i shkroi Sadoletos, një kardinali italian që po orvatej ta rifitonte Gjenevën për Kishën e Romës: “Zelli [yt] për jetën qiellore [është] një zell që e mban njeriun krejtësisht të përkushtuar ndaj vetes dhe as për një pikë të vetme nuk e nxit këtë të fundit drejt shenjtërimit të emrit të Perëndisë.” Kalvini do të shkruante më tej se Sadoleto duhet “të shpaloste para njerëzve si të vetmin motiv për ekzistencën e tyre zellin për të demonstruar lavdinë e Perëndisë” (Selections from His Writings, fq. 89).

Zelli për të shpalosur lavdinë e Perëndisë do të kthehej në një lajtmotiv të qartë të mbarë jetës dhe veprës së Kalvinit. Domethënia thelbësore e jetës dhe predikimit të Kalvinit është që ai ripërtëriu dhe mishëroi një pasion të pakufishëm për realitetin dhe madhështinë absolute të Perëndisë.

Magjepsur prej madhështisë

Kalvini lindi më 10 korrik 1509, në Nojon të Francës, në një kohë kur Martin Luteri ishte 25 vjeç dhe sapo kishte filluar të jepte mësim Biblën në Vitenberg. Mesazhi dhe fryma e Reformimit nuk do të mbërrinin te Kalvini edhe për plot dy dekada, dhe gjatë kësaj kohe ai do t’ia kushtonte vitet e rinisë studimit të teologjisë mesjetare, jurisprudencës dhe veprave klasike.

Mirëpo, më 1533-shin, në jetën e tij ndodhi diçka dramatike në saje të ndikimit të mësimeve të Reformimit. Kalvini kujton se si po bënte çdo përpjekje të mundshme për ta jetuar me zell besimin katolik, kur: “Perëndia, me anë të një kthimi të papritur e nënshtroi mendjen time duke e bërë atë të hapur dhe të gatshme për të mësuar… Kështu, pasi shijova disi njohurinë e perëndishmërisë së vërtetë, u pushtova sakaq nga një dëshirë e fortë për të përparuar më tej [në këtë drejtim]” (Selections from His Writings, fq. 26).

Befas, Kalvini zbuloi dhe shijoi madhështinë e Perëndisë në Shkrimin e Shenjtë. Qysh prej atij çasti, qoftë Perëndia qoftë Fjala e Perëndisë u vërtetuan në një mënyrë kaq të fuqishme në shpirtin e tij, saqë u bë një shërbëtor i dashur i Perëndisë dhe i fjalës së Tij për pjesën e mbetur të jetës së vet.

Pastori i Gjenevës

Kalvini e dinte se çfarë lloj shërbese dëshironte të kryente. Ai dëshironte të shijonte kënaqësinë e rehatisë akademike, me qëllim që ta përhapte besimin e reformuar nga katedra e një akademiku. Mirëpo, Perëndia kishte në mendje plane të tjera, jashtëzakonisht radikale për jetën e tij.

Pasi u arratis nga Parisi duke i dhënë lamtumirën edhe atdheut të tij, Francës, Kalvini e kishte ndarë mendjen që të shkonte në Strasburg, ku mendonte të kalonte një jetë të paqtë studimesh akademike. Mirëpo, kur Kalvini u ndal për një natë në Gjenevë, Uilliam Fareli, udhëheqësi i zjarrtë i Reformimit në atë qytet, me ta zbuluar që Kalvini gjendej aty, e kërkoi dhe e gjeti. Takimi mes këtyre të dyve do të ndryshonte vetë rrjedhën e historisë, jo vetëm për Gjenevën, por madje për botën mbarë. Ja se çfarë thotë Kalvini në lidhje me këtë takim në kujtimet e tij:

Fareli, i cili digjej nga një zell i jashtëzakonshëm për përhapjen e ungjillit, mësoi menjëherë që me zemër kisha vendosur t’u kushtohesha studimeve akademike,… dhe duke parë që nuk po ia dilte me përgjërime, më kërcënoi duke më thënë se, po qe se do të largohesha nga Gjeneva dhe nuk do t’i ofroja mbështetje atij në një kohë nevoje kaq urgjente, Perëndia do ta mallkonte tërheqjen time nga shërbesa aktive si dhe qetësinë e studimeve që po kërkoja. Një i tillë kërcënim bëri që të më pushtonte tmerri dhe kështu hoqa dorë nga udhëtimi që kisha nisur.

Rrjedha e jetës së tij ndryshoi një herë e përgjithmonë. Kalvini nuk do t’i shkruante veprat e tij rrethuar prej asaj që e quante “qetësia e studimeve”. Qysh prej atij çasti e tutje, çdo faqe e 48 vëllimeve të librave, traktateve, predikimeve, komentarëve dhe letrave që shkroi, do të farkëtohej mbi kudhrën e shërbesës baritore. Gjatë 28 viteve në vazhdim (pa llogaritur 2 vitet e mërgimit), Kalvini iu përkushtua ekspozimit (shtjellimit) të Fjalës — shpalosjes së madhështisë së Perëndisë duke pasur për bazë Shkrimet në të mirë të grigjës së besimtarëve të Gjenevës.

Lavdia e ripërtërirë

Në thelb, nevoja për Reformimin lindte nga fakti që katolicizmi e kishte “shkatërruar lavdinë e Krishtit në shumë mënyra” (Portrait of Calvin, fq. 9). Sipas Kalvinit, arsyeja pse kisha ishte “dhënë pas shumë doktrinave të çuditshme” ishte “se nuk arrinte më dot ta dallonte shkëlqesinë e Krishtit” (Portrait of Calvin, fq. 55). Me fjalë të tjera, pasioni për lavdinë dhe shkëlqesinë e Perëndisë në Krishtin është rojtari më i sigurt i doktrinës së shëndoshë biblike përgjatë shekujve.

Për rrjedhojë, konflikti me katolicizmin nuk qëndronte në tezat kryesore të Reformimit: drejtësimi, abuzimet e klerit, transubstancioni, lutjet drejtuar shenjtorëve dhe autoriteti i papës. Çështja themelore që gjendej poshtë gjithë këtyre tezave dhe që ishte në rrezik, kishte të bënte me faktin nëse lavdia e Perëndisë po shkëlqente në plotësinë e saj apo në njëfarë mënyre po zbehej. Busulla drejtuese nga fillimi i shërbesës së vet e deri në fund të jetës kishte të bënte me rolin qendror, epërsinë dhe madhështinë e lavdisë së Perëndisë.

Zbërthimi i thesareve të Shkrimit

Sipas mendimit të Gerard Vosit (Geerhardus Vos), ishte pikërisht fokusi në lavdinë e Perëndisë, i cili bëri që tradita e reformuar të kishte më tepër sukses sesa tradita luterane në “njohjen me themel të përmbajtjes së pasur të Shkrimeve”. Që të dyja këto tradita ishin “zhytur në Shkrimin e Shenjtë”, mirëpo ekzistonte një dallim në mes tyre:

“Për shkak se teologjia e reformuar ia doli t’i ngërthente idetë bazë më të thella të Shkrimeve të shenjta, ajo u bë e zonja që t’i trajtonte ato në një mënyrë më të plotë falë këtij boshti mendimi, duke ia dalë në këtë mënyrë që çdo përbërës të zinte vendin e vet. Kjo ide bazë, e cila shërbeu si çelësi për zbërthimin e sëndukut të thesareve të pasura të Shkrimeve të Shenjta, ishte epërsia e lavdisë së Perëndisë tek shqyrtojmë mbarë krijimin e Tij (Shorter Writings, fq. 234).”

Gjeniu i vërtetë i Gjenevës nuk ishte mendja e Gjon Kalvinit, por pasioni i pashoq për lavdinë e Perëndisë. Lipset që çdo brez t’i zbërthejë thesaret e Shkrimit të Shenjtë, me qëllim që të ballafaqohet siç duhet me rreziqet dhe mundësitë e veçanta që ofron koha e vet. Kjo gjë patjetër që vlen edhe për brezin tonë. Mendoj se do të jemi të zotët ta bëjmë këtë siç duhet, vetëm nëse jemi pushtuar thellësisht dhe me gëzim nga më i madhi realitet që na zbulon Shkrimi — madhështia e lavdisë së Perëndisë.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme