Jan Hus

NGA GREG MORSE

Më 17 dhjetor 1999 ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur ndonjëherë — papa shpalli ekuivalenten ceremoniale të një ndjese moderne: “Faji ynë.”
 
Gjon Pali II iu drejtua një turme në Republikën Çeke, duke shprehur “keqardhje të thellë për vdekjen mizore” që iu shkaktua heroit të tyre. Mirëpo, “keqardhja e thellë” ishte më e pakta që Kisha Katolike mund të bënte në këtë rast.

Vulosur me gjak

I mashtruar për të shkuar në Koncilin e Konstancës nën yshtjen e premtimit të sigurisë personale, Jan Husi, sapo vuri këmbë atje, u fut në burg për gjashtë muaj, iu bë një gjyq qesharak dhe u urdhërua të hidhte poshtë mësimet e tij — gjë të cilën ai nuk pranoi ta bënte. Në korrik të vitit 1415, e zhveshën lakuriq, i vendosën në kokë një kësulë në të cilën ishin pikturuar djaj dhe ku shkruhej “Kryeheretiku” — dhe e gjithë kjo ndodhi, ndërsa ai lutej për armiqtë e tij.
 
Pastaj e çuan nga pas një kapice librash, të cilave u kishin vënë zjarrin, dhe e lidhën pas turrës së druve. Si përgjigje ndaj faktit që e lidhën me zinxhirë sikur të ishte një qen, ai tha: “Zoti im Jezu Krisht u lidh për mua me një zinxhir edhe më të fortë se ky, ndaj pse të turpërohem prej këtij zinxhiri të ndryshkur?” I kërkuan edhe një herë që të mohonte mësimet e tij, por ai refuzoi duke shpallur: “Atë që e dhashë mësim me buzët e mia, tani do ta vulos me gjakun tim.” Dhe pikërisht këtë bëri.
 
Teksa flakët merrnin hov, ai vazhdonte të këndonte. Sekretari i koncilit shpalli: “O Judë i mallkuar, për shkak se ke braktisur shtigjet e paqes dhe je këshilluar me judenjtë, ne po të heqim kupën e shpengimit.” Fatmirësisht, Kisha Katolike nuk e kishte autoritetin për të hequr tej kupën e shpengimit atë ditë.
 
Pas vdekjes së tij, i gjithë populli i Bohemisë u ngrit në këmbë kundër kësaj padrejtësie. Në emër të tij, plasi një kryengritje kundër Romës, e cila zgjati për më tepër se një dekadë. Jan Husi ishte predikues, figurë politike, një reformator prototip dhe martir i kategorisë së parë.

Kampioni i Uiklifit

Rreth vitit 1369, në vendin e patave lindi një patok. Jan Husi (që në çekisht ka kuptimin patë) lindi në Husinek (në çekisht vendi i patave) në mbretërinë e Bohemisë. Lindur në një familje të varfër, patoku braktisi tufën për t’u bërë prift në kërkim të një jete më të mirë dhe pozite më të lartë. Ai u bë predikues i famshëm në Kapelën e Bethlehemit, por pjesën më të madhe të kohës ai e kaloi duke shërbyer në fushën akademike si dekani i Fakultetit të Filozofisë në Pragë. Duke jetuar në një kohë trazirash sociale mes qytetarëve gjermanisht-folës dhe atyre që flisnin çekisht, Husi u bë një figurë kyç për nacionalizmin çek.
 
Husi jetoi në një periudhë kur imoraliteti kishte prekur thellë klerin e Kishës Katolike. Shumë shpejt filloi të predikonte “predikime të dhunshme” kundër paudhësisë flagrante të klerit derisa e spiunuan te kryepeshkopi dhe e ndaluan të predikonte. Teksa lexonte Shkrimin dhe shihte papët e kohës së tij që abuzonin me pushtetin e tyre, Husi arriti në konkluzionin që autoriteti i papës nuk ishte autoriteti përfundimtar. Ai kishte nevojë për një themel më të qëndrueshëm sesa themeli i ndërtuar nga kashta dhe shkarpat e opinioneve të njerëzve — pavarësisht nga fama që mund të kishin këta. Ai e ndërtoi jetën dhe shërbesën e tij mbi themelin e Fjalës së Perëndisë.
 
Pikëpamja e tij rreth autoritetit përfundimtar të Shkrimit u përflak, ndërsa nisi të lexonte veprat e mallkuara të Gjon Uiklifit. Uiklifi gjeti një dishepull besnik tek Husi. Husi i mbrojti veprat e tij me aq guxim, saqë një historian e quajti Husin “Kampioni i Uiklifit”. Ai ofroi argumente të forta kundër indulgjencave, kërkoi që si buka ashtu dhe vera të shërbeheshin gjatë Darkës së Zotit, si dhe predikoi në gjuhën e popullit (në dallim nga latinishtja e papërkthyer e kohës).
 
Edhe pse ende binte dakord me Kishën Katolike për sa i përket çështjeve si mesha, besnikëria e tij ndaj mësimeve të Uiklifit solli shkishërimin e tij, gjyqin për herezi dhe djegien në turrën e druve.
 

Patat nuk reshtën gagaritjet

Kur më në fund Husi u dënua me vdekje, ai shpalli: “Ju mund ta piqni patën, por pas njëqind vitesh do të ngrihet një mjellmë, këngën e së cilës nuk do të jeni në gjendje ta ndaloni.” Pikërisht 102 vjet më vonë, një murg mendjekthjellët gozhdoi nëntëdhjetë e pesë teza në derën e kishës së Vitenbergut.
 
Edhe ai, duke parë mospërputhjet mes doktrinës së Kishës së Romës dhe Shkrimit, u përpoq ta reformonte Kishën katolike. Edhe ai doli ta sfidonte papën. Edhe ai u dënua si heretik.
 
Gjatë Debatit të Lajpcigut, Luteri u tall me përbuzje si një “husit”. Ai e mohoi sakaq këtë emërtim, por ama kaloi kohë duke lexuar veprat e tij gjatë një pushimi, dhe kur u kthye i lavdëroi mësimet e të dënuarit Hus. Luteri ishte mjellma e Husit dhe më vonë do ta pranonte hapur këtë krahasim. Edhe në ditët e sotme e shohim shpesh të pikturuar rrethuar me mjellma.
 
Patoku, një pararendës i rëndësishëm i reformatorëve, qëndroi i palëkundur dhe u martirizua. Mjellma erdhi pas Patokut dhe Roma nuk ka mundur ende t’ia ndalë asaj këngën.

© dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme